20 Janar, 2022 - 10:30 pm
Era Berisha
Sot në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, për herë të parë nisi projekti i ri i titulluar “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie”, projekt ky i organizuar nga PEN Qendra e Kosovës i cili synon të krijojë aktivitete të veçanta kulturore e letrare, me ç’rast sot për të shënuar fillimin e rrugëtimit të këtij projekti origjinal, u shqyrtua tema “Liria dhe e drejta e autorit”, shkruan KultPlus.
Për të biseduar e diskutuar rreth kësaj teme, në panel të ftuar ishin: shkrimtari Milazim Krasniqi, shkrimtari dhe publicisti, Ibrahim Berisha si dhe moderatori Avni Spahiu.
Ora shënoi 17:00 kur të pranishmit zunë vendin e tyre për të dëgjuar nga afër temën “Liria dhe e drejta e autorit”, temë kjo që shpeshherë zgjon kureshtjen tek jo vetëm të rinjtë e pasionuar pas letërsisë, por edhe tek ata të cilët në bagazhin e tyre tashmë kanë një numër të madh veprash por të cilët çdo herë vazhdojnë të dëgjojnë e të jenë pjesë e këtyre temave që e preokupojnë letërsinë shqiptare në përgjithësi, por sidomos atë në Kosovë.
Po ashtu, u bë e ditur se të gjitha punimet e pjesëmarrësve në panel do të botohen në një libër kur të përfundojë i gjithë projekti. Në këtë projekt të përfshirë janë gjithsej 22 intelektualë që do të flasin nga kontekste të ndryshme për tema të caktuara përgjatë muajit janar dhe shkurt.
Mbrëmjen e hapi moderatori Avni Spahiu, i cili fillimisht nisi këtë mbrëmje duke folur për dy temat të cilat do të shtjelloheshin pas pak momentesh.
“Janë disa tema që do të diskutohen gjatë periudhës në vijim dhe në fakt janë shumë me interes. Liria e autorit dhe të drejtat e autorit, janë këto dy tema që do të shtjellohen sot. ‘A duhet të ruhet pasuria intelektuale’, ‘A ka të drejta autori’, ‘Cilat janë të drejtat e autorit’, janë vetëm disa nga pyetjet që bëhen vazhdimisht. Ne shkrimtarët e kemi pasur një përvojë jo të mirë në këtë aspekt por tani është koha që të filloj një debat që të shihet qëndrimi i autorit nga dy pikëpamje të ndryshme”, thotë Spahiu.
Fillimisht në këtë ngjarje për të diskutuar më gjerë rreth këtyre temave që trajtojnë disa aspekte të shkrimtarit, intelektualit dhe kulturës në tërësi por edhe në kontekstin e pandemisë, shkrimtari dhe publicisti Ibrahim Berisha ka paraqitur disa vrojtime në lidhje me lirinë e shprehjes dhe të drejtat e autorit.
“Në Pandemi 2020, njerëzit u hutuan duke e kujtuar lirinë që e kishin dhe nuk e panë më herët as nuk e ndjenë në përmasën e duhur. Kishte dhe ka gjithë keqkuptime për të kuptuar lirinë, edhe lirinë e shprehjes. Kjo ndodhte edhe kur gjithçka ecte në ritmin normal, e lërë më në një gjendje pandemie, kufizimesh e mbylljesh drastike. A e ndryshoi mendimin për lirinë, Pandemia? Mendimin e botën e shkrimtarëve, krijuesve? Vështirë, për të thënë po, por kaq edhe për të thënë jo. Liria është me e thellë dhe më e largët se Pandemia. Por, do pranuar, se edhe Pandemia nisë pikërisht nga një cep i lirisë së virusit Kovid 19”, thotë Berisha.
Sipas tij, virusi sprovoi mendimin e Erih Fromit, psikologut social, i cili shkruan se njerëzit nuk janë të dhënë mbas lirisë, së paku jo aq sa thonë. Fromi nuk kishte pasur parasysh gjithaq lirinë fizike, të cilën Shopenhaueri e përcakton si liri të nivelit më të ulët.
“Thënë thjeshtë, liria e fjalës dhe e mendimit, bënë pjesë në fushën e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe ajo barazohet me detyrimet dhe përgjegjësitë. Nuk ishte edhe pamundur që të shkruhej e mendohej edhe në Pandemi. Edhe në kontekstin tonë, të Kosovës, pra, liria është e padefinueshme, sepse koha dhe rrethanat janë të pazakonshme. Kujtoj, të drejtat janë të përfshira në nenin 10 (1) te Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ku thuhet: Secili ka të drejtën e shprehjes së lirë. Kjo e drejtë do të përfshijë lirinë për mbajtjen e mendimeve dhe pranimin dhe dhënien e informacioneve dhe ideve pa ndërhyrjen e autoriteteve publike, pavarësisht nga kufijtë. Megjithatë, neni 10 (2) përcakton që: “Ushtrimi i lirive, mbasi përmban me vete detyrë dhe përgjegjësi, mund të jetë subjekt i formaliteteve, kushteve, kufizimeve dhe sanksioneve të parashikuara nga ligji dhe në një shoqëri demokratike, është në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial”, shpalos Berisha.
Për të, pandemia ka treguar saktë atë që thotë Russo: Lira ka të bëj më atë që nuk do. Pra duhet bërë e padëshirueshmja. Ndodhi dhe vazhdon konflikti edhe ndër intelektual për detyrimin e vaksinimit. Natyrisht, dilema është e pazgjidhshme. Kushtetuta e Republikës, Kosovën e përkufizon shoqëri demokratike. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të garantuara. Në Kushtetutë klasifikohen një varg të drejtash dhe lirisë, po për temën për të cilën flasim, theksohen veçantë tri: Të drejtat dhe liritë personale; Të drejtat dhe liritë civile dhe politike; Të drejtat dhe liritë sociale, ekonomike dhe kulturore. Tek liritë civile dhe politike është e garantuar liria e shprehjes, liria e medieve, e tubimit, asoocimit, e drejta e zgjedhjes dhe e pjesëmarrjes etj.
“E vërteta, Zyra për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, organ administrativ, nuk duket e gjallë, po aq sa edhe të tjerë organizma që marrin frymë publike duke pasur fokus programor këtë mbrojtje. Ngado sillesh, janë të dukshme fotokopjet, cenimi i autorësisë, publikimet pa autorizim. Pandemia nuk ka ndryshuar këtë praktikë, madje veç e ka konservuar. Në Kosovë, është e përhapur plagjiatura apo shfrytëzimi i vlerave intelektuale pa u shënuar burimi apo edhe pa u marrë pëlqimi i autorit apo trashëgimtarëve të të drejtës autoriale. Fotokopjet, lokale fizike këto, përreth fakulteteve të Universitetit të Prishtinës janë dëshmi e paprekshmërisë së shkelësve të të drejtës së autorin në sy dhe prani të të gjitha institucioneve që duhej të merreshin me ndëshkimin si; parashihet me ligj”, thotë ai.
Tutje, ai si plagjiaturë specifike të kohëve të reja, veçmas në vitet i 2000, e konsideron edhe paraqitjen e veprës si e tij, të cilën “ia ka punuar tjetërkush (autori i vërtetë nuk dihet). Kur dikush e paraqet një vepër të huaj me emrin e tij (plagjiaturë e plotë). Edhe huazimet pa theksimin e burimit, po kështu janë konsideruar nga ana e tij, si dukuri publike në Kosovë. Pra, ai beson se nuk ka ndonjë rast të jetë ndëshkuar dikush për plagjiaturë të tillë, sado që janë dëshmuar e vërtetuar ato.
“Rast drastik i shkeljes së të drejtës së autorit është RTK. Ajo shfrytëzon arkivin e një institucioni tjetër, RTP, madje duke mos treguar në asnjë formë kur shfrytëzon ato se nuk kanë të bënë me prodhim origjinal të RTK, madje në ekran del logoja gjithnjë RTK. Për dukurinë e vetëplagjiaturës në Kosovë ende nuk flitet. Shembull i shkeljes së të drejtës autoriale, vetëautoriale, për përfitime materiale, është Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ribotime dhe modifikime librash pa rezultate origjinale që proklamohen dhe prodhojnë privilegje karriere dhe financiare. Formë e përhapur e shkeljes së të drejtës së autorit, kjo edhe një praktikë globale, po e pranishme gjerësisht edhe në Kosovë, është edhe plagjiatura në internet, plagjiaturë kjo e një vepre të plotë, të pjesshme, huazim teksti të huaja, pa theksuar në asnjë rast burimi. Kjo dukuri është e njohur si copy & paste. Pikërisht në këtë kontekst, gjykoj, se ka ende zbrazëti në normën aktuale pozitive po edhe në kodet etike në Kosovë, për të rregulluar, nëse jo plotësisht së paku, në një përmasë më reale”, përfundon Berisha.
Krejt në fund ai citoi edhe shkrimtarin nobelist Mario Vargas Llosa, i cili në një intervistë duke bërë fjalë për Pandeminë dhe shkrimtarin, ka dhënë një përgjigje universale që do të mund t’i përgjigjej edhe natyrës së këtyre temave: “Jam mirë, falë Zotit! Gjatë disa muajve të izolimit, praktikisht u burgosa këtu, në shtëpinë time në Madrid, i përkushtuar ekskluzivisht leximit të librave dhe shkrimit, që është një kurë për çdo shkrimtar. Shpresoj që nga kjo përvojë të dalim më të zgjuar dhe më të përgjegjshëm ndaj mjedisit, si dhe të ndajmë shumë më tepër fonde për sistemin shëndetësor në të ardhmen. Sepse, ishte e qartë se asnjë vend nuk ishte gati të përballej me një sfidë kaq të madhe sa kjo Pandemi.”
Ndërsa, shkrimtari Milazim Krasniqi foli rreth dy pikave kryesore në analizën e tij: liria e shkrimtarit si ‘Albatrosi’ i Bodlerit dhe të drejtat e autorit si fshatrat e Potemkinit.
“Liria e shkrimtarit është në përmasat e fantazisë së tij, aty ku ai e imagjinon botën sipas mënyrës së vet, pa pasur ndërhyrje nga oponentët, ose nga institucionet e specializuara për censurë, kontroll, mbikëqyrje kafkiane e orveliane. Liria e shkrimtarit në fantazinë e tij, është tharmi i krijimtarisë artistike, sepse pa atë liri, krijimtaria do të mbetej si rrëfim kuazihistoriogafik, pseudoreligjioz, ose pseudofilozofik. Kjo liri i thyen konvencat e të menduarit konceptual, linear, duke e bërë si kalë beteje të menduarit asociativ, abstrakt dhe spekulativ. Për këtë shkak, Platoni ishte i zemëruar në poetët dhe thoshte se ata nuk mund ta realizojnë njohjen. Duke e matur me kutin e filozofit dhe ideologut të shtetit ideal, ai thoshte se poeti nuk e kupton as vetë atë që shkruan. I tmerruar nga liria e fantazisë së tyre, ai propozonte që ata të përjashtoheshin nga shteti ideal, përveç atyre që do të konvertoheshin në shkrimtarë të kontrollueshëm, realisht në poetë pa liri”, thotë Krasniqi.
Sipas tij, Platoni kërkonte që poezia t’i subordinohej shtetit dhe etikës: “Në shtetin tonë mund t’i pranojmë vetëm ato këngë që janë himne perëndive dhe fjalime lavdëruese të dedikuara të mirave.” Është konsideruar se që nga ajo kohë e deri në ditët tona, ajo liri e shkrimtarit, që banon në fantazinë e tij, është denoncuar e luftuar në forma të ndryshme, që nga futja me dhunë e shkrimtarëve në spitalet psikiatrike, siç bëhej në regjimin e Stalinit, ose dënimet e tyre me pushkatime siç ka pasur raste në regjimin tij, po edhe të Enver Hoxhës.
“Lufta me lirinë e fantazisë së shkrimtarit nuk ka mundur e as nuk mund të fitohet. Ai aty mbetet i lirë dhe sovran. Natyrisht në jetën reale shoqërore nuk është ashtu. Në jetën reale shoqërore liria e shkrimtarit është e dozuar nga natyra e regjimit, nga vlerësimi për rrezikshmërinë që paraqesin idetë e tij dhe angazhimi i tij, nga ndikimi që ka vepra e tij mbi publikun. Në disa shtete si në Çekosllovaki, në Poloni dhe në ish Jugosllavi, shkrimtarët u bënë adresa e rebelimit antikomunist. Kujtojmë Adam Mihnjik, Franjo Tuxhmani, Ibrahim Rugova, Dimitrije Rupeli, Jasha Zllobeci, Adem Demaqi, Dubravko Horvatiqi e shumë të tjerë. Por, në të njëjtën kohë pati edhe raste të angazhimit për restaurimin e regjimit nazifashist, siç ndodhi në Serbi, fjala vjen me shkrimtarët si Dobrica Qosiqi, Vuk Drashkoviqi, Miodrag Bullatoviqi, Brana Cërnqeviqi e dhjetëra të tjerë. Deri sa në rastin e parë shkrimtarët aspironin ta fitonin lirinë duke iu kundërvënë regjimit totalitar, në rastin e dytë shkrimtarët iu shitën regjimit totalitar e gjakatar serbomadh kundër lirisë së kombeve të tjera”, shpalos Krasniqi.
Për të, shkrimtarët si: Mario Vargas Ljosa, Adam Mihnjik, Vacllav Havel, Umbeto Eko, Suzan Sontag, Eli Vizel dhe Hans Magnus Enserberger, ndihmuan që publiku të kuptonte përmasat e tragjedisë së popullit shqiptar të Kosovës. (Fatkeqësisht dhe në këtë rast pati shkrimtarë që ndoqën linjë të kundërt, siç bënë Gabriel Garsia Markes, Peter Handke e deri edhe dijetari Noam Çomski.)
“Një rol konkret dhe domethënës gjatë kohës së spastrimit etnik serb kundër shqiptarëve të Kosovës ka pasur shkrimtari hebrejo-amerikan, Eli Vizel, si emisar special i presidentit Bill Klinton. Raporti i tij që konfirmoi se në kampet e refugjatëve në Maqedoni ishte fjala për dëbim me dhunë dhe për spastrim etnik të shqiptarëve, u përdor si argument edhe nga administrata amerikane e edhe nga OKB. Kur e kam lexuar romanin e tij „Agimi“ ku e denoncon edhe cinizmin hebraik, e kam kuptuar edhe më qartë se ku e ka burimin integriteti i tij moral, te liria e tij si shkrimtar dhe si njeri, e fituar si i mbijetuar i kampeve naziste të përqendrimit. Shkrimtarët që kanë liri maksimale në fantazinë e tyre dhe konfrontime permanente me realitetin, ku shumë herë janë humbës, i ka përshkruar më së miri Sharl Bodleri në poezinë e tij me titull ,,Albatrosi” Sipas Bodlerit, ai shpend guximtar, që fluturon lart e nëpër furtuna, kur është në tokë, në mol është i objekt i talljes së marinarëve”, thotë ai.
Krejt në fund ai e shtron pyetjen: ‘A ka ndonjë shkrimtar në Kosovë që mund të jetojë nga puna si shkrimtar?’, teksa përgjigjet vetë: “Jo. Atëherë, ose kjo punë është e pavlerë, ose nuk vlerësohet realisht. Që është punë e pavlerë nuk mund të thuhet, e pakta në rastet e shkrimtarëve seriozë dhe që kanë sjellë vlera mirëfilli estetike në letërsinë shqipe.”
“Në Kosovë kushdo mund të jetojë nga puna e vet si elektricist, taksist, hidraulik, çoban, por jo si shkrimtar. Konkluzioni: ashtu si e ka shteti qëndrimin ndaj shkrimtarëve e letërsisë, ashtu e kanë qytetarët qëndrimin ndaj shtetit, pra janë mospërfillës dhe injorues. Në Kosovë ekziston infrastruktura ligjore për mbrojtjen e të drejtave të autorit. Por, është ligj që synon të mbrojë diçka që nuk ekziston në realitet. Kjo ka të bëjë veçmas me krijimtarinë letrare, e cila në shtetin tonë është e dërrmuar, e injoruar, praktikisht e ngulfatur, në njërën anë nga injoranca në rritje e popullit e në anën tjetër nga politikat injorante të parlamenteve e qeverive tona. Rrjedhimisht ajo infrastrukturë ligjore për të drejtat e autorit, në këtë rast u përngjet shumë fshatrave të Potemkinit”, përfundon Krasniqi.
Pastaj të pranishmit vazhduan me bisedimet e tyre të mëtutjeshme nën praninë e dritave të ngrohta të vendosura anash bibliotekës së KultPlus Caffe Gallery dhe njëkohësisht admiruan edhe ekspozitën e artistit Sadri Morina që ende po qëndron e hapur për admiruesit.
Projekti “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe e Sportit e Republikës së Kosovës.
PEN Qendra e Kosovës më parë ka realizuar disa projekte, po ashtu me përkrahje të MKRS-së.
Nga këto projekte vlen për të përmendur ato që bosht kishin përkujtimin e shkrimtarëve të ndjerë të Kosovës që kanë lënë gjurmë në letërsinë tonë. Kështu, në vitin 2020 janë mbajtur takimet me titull “Ora e Shkrimtarit”, dhe vjet, më 2021, takimet “Ora e Shkrimtarit 2”. / KultPus.com