17 Gusht, 2022 - 4:00 pm
Nga sot deri më 21 gusht, Shoqata e Botuesve Shqiptarë organizon në qytetin e Durrësit “Festivalin Veror të Librit”, me mbështetjen e Bashkisë Durrës, Ministrisë së Kulturës, Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe Ministrisë së Turizmit.
Një ngjarje e rëndësishme kulturore, që bën bashkë shkrimtarë, përkthyes, botues, pedagogë, aktorë, muzikantë e personalitete të tjera të fushës së letrave që kanë një qëllim: të gjallërojnë jetën kulturore të qytetit bregdetar dhe të nxisin dashurinë për librin e leximin, veçanërisht te të rinjtë.
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, fton të gjithë ata që do të gjenden në Durrës, që gjatë këtyre ditëve, të vizitojnë panairin, në shëtitoren Taulantia, ku do të mund të takojnë shkrimtarë dhe do të gjejnë librat më të mirë botuar përgjatë vitit. Stendat e shtëpive të ndryshme botuese do të qëndrojnë të hapura prej orës 19.00 deri në 23.00. Shtëpitë botuese kanë njoftuar se librat që do të shiten gjatë prezantimit, do të kenë një zbritje të konsiderueshme.
Sonte pas fjalës së kryetarit të Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri si edhe të kryetares së Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, të pranishmit do të kenë mundësinë të ndjekin një mbrëmje poetike të poetëve vendas, ndërthurur me poezitë e Safos, shoqëruar me tinguj muzikorë. /atsh / KultPlus.com