12 Mars, 2018 - 11:40 am
Sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës Valmir Azri dje në Likovë e hapi edicionin e 26-të të manifestimit tradicional “Takimet Poetike të Karadakut”.
Ky manifestim tashmë i kthyer në traditë për poetët dhe dashamirët e poezisë mbahet në kujtim dhe në nder të sakrificës të gjithë rinisë studentore shqiptare të viteve të 81-ta që dhanë shumë mund, djersë e gjak, deri në brezin e viteve 2001, për një ditë më të mirë për të gjithëve, theksoi në manifestim, Aziri.
Në orën letrare të mbajtur në Likovë, Aziri përgëzoi organizatorët dhe tregoi para të pranishmëve që Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë, duke marrë parasysh traditën e gjatë, punën dhe veprimtarinë serioze të këtij klubi, sivjet i ka përkrahur katër projekte me të cilët është konkurruar, në mesin e të cilëve edhe ky manifestim.
“Arti dhe poezia gjithherë kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë impakt të jashtëzakonshëm në zhvillimet e përgjithshme shoqërore. Fjala e bukur artistike shpeshherë ka depërtuar aty ku asnjë forcë tjetër nuk ka mundur të depërtojë. Nëpërmjet poezisë dhe këngës, shumë herë populli ynë ka marrë guxim e krenari për sfida dhe beteja të reja”, theksoi në fjalim Aziri.
Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë, shtoi më tej Aziri, duke marrë parasysh traditën e gjatë, punën dhe veprimtarinë serioze të këtij klubi, sivjet i ka përkrahur katër projekte me të cilët është konkurruar, në mesin e të cilëve edhe ky manifestim. Shpresojmë dhe besojmë që në të ardhmen edhe më tepër të kontribuojmë bashkë për zhvillimin e artit dhe kulturës shqiptare.
Aziri, Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut”, i uroi shumë suksese në punën e tyre, sipas tij sa artistike, po aq edhe fisnike që po e bëjnë, për ta gjallëruar jetën kulturore e artistike në këto anë, kurse, poetëve u dëshiroi paraqitje sa më të suksesshme dhe qëndrim të këndshëm në Kumanovë e Likovë, shkruan zhurnal.mk./ KultPlus.com