9 Prill, 2020 - 11:30 pm
Shkruar nga Durs Grünbein
Një armik, i padukshëm
Semaforët punojnë edhe gjatë natës,
ndonëse nuk ka trafik.
S’ka më teatër,
kinematë dhe baret janë të mbyllura
në kohën e pandemisë.
Kaq i sigurt s’ka qenë kurrë qyteti.
Në shtëpi mallrash vajtojnë mallrat.
Madje edhe në lagjet me tempuj të konsumit
në pikë të ditës nuk shihet njeri i gjallë.
Udhëtarë të vetmuar, të maskuar në mënyrë aziatike,
sillen si në xhirim të ngadalësuar rrotull blloqeve të banimit
si aktorë mbi një skenë të zbrazët antike.
Janë ashpërsuar frontet e rrugëve
me sallonet e tyre të floktarisë, me zyrat
e bardha si klinika, lakuriq nën shikimin prej rëntgeni.
Dikush ose diçka e ka rrethuar qytetin,
një armik, që mbetet i padukshëm.
Flitet vetëm për të,
nuk flitet për asgjë tjetër.
Është shuar gjithë jeta civile
përveç konferencës së përditshme për shtyp,
radhëve të rralluara para ushqimores.
Kaq shpejt ndryshon çdo gjë,
shkruan një vajzë e vogël në ditar,
dhe diçka mbi një ëndërr të ligë,
e cila e gllabëron pranverën,
mbi arrestin shtëpiak, i cili pritet të përfundojë së shpejti.
Jo të gjithë do të takohen përsëri.
Nga gjermanishtja:
Enver Robelli
Durs Grünbein u lind më 9 tetor 1962 në Dresden. Është poet, eseist dhe përkthyes. Jeton në Berlin dhe Romë. Pas rënes së Perdes së Hekurt udhëtoi nëpër Europë, në Azinë Juglindore dhe në Shtetet e Bashkuara. Për veprën e tij është nderuar me disa çmime, mes tjerash me: çmimin Peter Huchel, çmimin Georg Büchner, çmimin Friedrich Nietzsche dhe çmimin letrar të Berlinit. Librat e tij janë përkthyer në disa gjuhë.