16 Gusht, 2017 - 9:00 am
Libri me titull ‘Përralla popullore shqiptare’, (Mbledhur në Tetovë dhe Gostivar me rrethinë) nga Edibe Selimi-Osmani, paraqet padyshim librin, apo përmbledhjen më madhore të folklorit shqiptar në Maqedoni, veçmas në kuadër të prozës popullore.
Një përmbledhje e tillë mëton të plotësojë një zbrazëtirë të madhe në krijimtarinë popullore të kësaj ane, sidomos kur dihet fakti se proza popullore jo vetëm që nuk është eksploruar, por ajo pandehej se tanimë ishte zhdukur njëherë e përgjithmonë dhe vështirë ta gjeje në terren në trajtë autentike, sidomos në këtë kohë të globalizmit i cili si një përbindësh i pangopur po përthith gradualisht të gjitha vlerat me taban arkaik duke i zëvendësuar ato me vlera të reja të karakterit universal.
Megjithatë, një autore e pasionuar dhe e palodhur e folklorit shqiptar në Maqedoni, siç është, Edibe Selimi – Osmani, në vazhdimësi me dekada të tëra, në heshtje dhe pa ndonjë bujë të madhe, ashtu siç veprojnë si zakonisht njerëzit e mëdhenj, i kishte vjelur këto raritete të shtrenjta etnokulturore nga njëri fshat në fshatin tjetër të zonës së Pollogut dhe i kishte kyçur në “arkëzën” e saj duke i ruajtur ato me xhelozinë më të madhe dhe njëkohësisht duke pritur një ditë më të mirë, përkatësisht rastin e volitshëm që t’i shpaloste këto xhevahire të folklorit shqiptar, nënkuptohet në trajtë publikimi. Pikërisht, publikimi i këtyre përrallave popullore do të shënojë një të arritur të madhe në fushën e folklorit shqiptar në Maqedoni, pasi do të mundësojë që në të ardhmen të kihet qasje edhe në këtë pjesë të krijimtarisë popullore e cila fatkeqësisht deri tani ishte tejet e ngushtuar dhe modeste. Ky libër i publikuar do ta pasurojë dukshëm horizontin e përrallave popullore shqiptare në Maqedoni dhe do të paraqesë një bazë të mirë për hulumtime të mëtejme teorike në fushën e folkloristikës shqiptare, veçmas në Maqedoni, por edhe më gjerë.
Vlen të theksohet se libri, apo përmbledhja në fjalë, rezulton të jetë një ndër të parat e kësaj natyre, pasi pretendon brenda kopertinave të saj, të përfshijë një material voluminoz dhe tejet joshës, por njëherit edhe tejet paradigmatik dhe arkaik në kuadër të prozës sonë popullore, veçmas të përrallave popullore, në veçanti të atyre të llojit fantastik. Njëkohësisht edhe zona e eksplorimit të tyre, siç është ajo e fshatrave shqiptare të Tetovës dhe Gostivarit rezulton të ketë qenë një trevë në të cilën me përkujdejsjen më të madhe janë kultivuar të gjitha gjinitë dhe llojet e folklorit burimor. Në këtë kontekst, duke iu referuar librit të sipërpërmendur, mund të thuhet lirshëm se edhe proza popullore, veçmas përrallat popullore kanë qenë tejet të dendura, si zakonisht me një numër të madh të motiveve dhe varianteve të shumta.
Libri në fjalë gjithsesi se mëton t’i ndjek parametrat e pajisjes me aparaturën e nevojshme shkencore, andaj në këtë drejtim autorja e tij është përkujdesur që fjalët e panjohura në kuadër të tekstit të përrallave popullore, t’i shpjegoj në mënyrë të duhur dhe adekuate me qëllim të vendosjes së komunikimit të mirëfilltë, sidomos me lexuesin që nuk posedon njohuri të mjaftueshme të së folmes së kësaj treve gjeografike. Nënkuptohet se trajtat e pasura frazeologjike dhe fondi i madh i leksemave specifike që shoqërojnë përmbajtjen gjuhësore të përrallave të prezentuara gjithsesi se do paraqesin një material të begatshëm edhe për gjuhëtarët, sidomos për dialektologët që gjakojnë pas dukurive specifike të të folmeve në të gjitha zonat e arealit tonë gjuhësor. Megjithatë, vlera më e madhe dhe parësore e kësaj përmbledhjeje mbetet dhe ndërlidhet me folklorin shqiptar pasi nëpërmjet saj mund të vërejmë gamën e gjerë të besimeve tradicionale popullore, strukturën narrative fragmentare të miteve, mbijetojave të ritualeve të ndryshme, etj., që janë shtresuar në përmbajtjen e përrallave të trevës së Pollogut, përkatësisht fshatrave të rrethinës së Tetovës dhe Gostivarit.
Më konkretisht, në brendinë e librit është përfshirë, veçmas lloji i përrallave të mirëfillta, apo përrallave fantastike të cilat veçohen, apo dallohen me elementin e së jashtëzakonshmes, apo trajtën e së mrekullishmes si një tipar i rëndësishëm i ndërtimit të syzheut të tyre. Nënkuptohet se të gjitha këto elemente të mrekullishme, apo të jashtëzakonshme gërshetohen edhe me elemente tjera të zakonshme duke krijuar në këtë mënyrë një pleksje të veçantë të ndërtimit të strukturës së tyre narrative. Në funksion të klasifikimit të syzheve dhe motiveve të këtyre përrallave, në rrafshin ndërkombëtar edhe më tej, përdoret katalogu i mirënjohur Arne – Thomson, i pagëzuar me emrin e dyshes së autorëve që u orvatën të merren me këtë dukuri komplekse të klasifikimit të prozës popullore. Në këtë drejtim, nëse i referohemi këtij katalog të klasifikimit ndërkombëtar të përrallave, atëherë rezulton se në kuadër të përrallave të mirëfillta, apo fantastike që janë prezantuar në librin e Edibe Selimi-Osmanit, i hasim pothuajse të gjitha grupet e syzheve të përrallave të tilla.
Në grupin e parë të përrallave të këtij lloji, të njohura me syzheun kundërshtar i mbinatyrshëm janë përfshirë përmbajtjet në të cilat heroi i përrallës zhvillon dyluftim, apo duel me qenie mitike me fuqi të mbinatyrshme, veçmas me kuçedrat, apo variante tjera të tyre. Nënkuptohet se të gjithë këta kundërshtarë posedojnë fuqi kolosale dhe heroi i mposht ata vetëm me ndihmën e ndonjë mjeti mitik. Përrallat e kësaj natyre janë pjesë përbërëse edhe të përmbledhjes sonë, andaj në përrallën me titull Llamja, azhderi ene gjali, ja si përshkruhet një qenie mitike e kësaj natyre, përkatësisht Azhderi: “Erdhë azhderi i molit, ishte sa s’dihet i modh, sejtë i vizgëllojshin si ejllzat n’hava, ishte shpatullmadh, sallde kamët i kishte t’gjata sa gjali, durët e gjata, shpoullat e durve sa s’dihet”. Pra, kemi të bëjmë me një kundërshtar me sy të mëdhenj që vezullojnë si dy yje në qiell, por edhe me gjymtyrë të jashtëzakonshëm që vështirë se mposhten në rrethana të zakonshme. Megjithatë, në këtë dyluftim heroit të përrallës i ndihmon vetëm mjeti magjik, në rastin konkret – penda e një shpendi që bën çudira të mëdha. P.sh: Penda i dha gjalit t’peje nji safë t’madhe me tamël zane. Sa e pejti tamlin, ki gjali u ba azhder, ma i madh sa aj. Pra, në prag të dyluftimit nëpërmjet pendës magjike heroi pajiset me qumësht zanash me pirjen e të cilit përfiton fuqi kolosale fizike. Nga ky fragment rezulton se heroi i përrallës e mposht azhderin vetëm në saj të fuqisë së vet fizike që arrihet nëpërmjet qumështit me atribute të mbinatyrshme.
Kjo sekuencë e përrallës përkon me motivet e këngëve kreshnike që ndërlidhen me kryeprotagonistin e tyre – Mujin i cili përfiton fuqinë fizike po ashtu nga pirja e qumështit të zanave si krijesa mitologjike. Nëse i kthehemi përrallës në fjalë, përmbajtja e saj nxjerr në syprinë edhe një rast tjetër interesant si vijon. P. sh.: Sa cofi azhderi, dulë menjihere nji çen, pi çenit u bo macë, pi macës, voe, në atë voe kishte nji llomje t’xhallë. Mund të vërehet se nga trupi i azhderit të mbytur dalin një varg kafshësh që transformohen në vazhdimësi që më në fund nga veza të dalë edhe llamja. Në këto korniza dalin në spikamë edhe atribute dhe prurje të reja semantike që u referohen figurave mitologjike, si kuçedrës, azhderit, llamjes e kështu me radhë.
Libri me përralla popullore, të mbledhura në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit nga autorja Edibe Selimi – Osmani përmban edhe përralla të mirëfillta, apo grupin e dytë të syzheve të tyre, të pagëzuara në katalogun e Arne-Thomsonit, me sintagmën bashkëshortë të mbinatyrshëm. Mund të thuhet lirshëm se përrallat me syzhe të tillë janë edhe tejet të pasura, andaj janë dhënë edhe shumë variante të tyre. Kjo flet se ky grup i përrallave ka qenë tejet mbizotërues në rajonin e Pollogut. Në të vërtetë bëhet fjalë për përmbajtjet e përrallave në të cilat gjarpri shndërrohet në një bashkëshort të bukur pas martesës me të bijën e mbretit.
Paraprakisht, gjarpri duhej të përmbushte, apo të kryente ndonjë detyrë të vështirë, të parashtruar nga ana e mbretit me qëllim që të vihej në sprovë aftësia e tij e mbinatyrshme që do të ishte si kusht thelbësor i martesës së tij. Në përrallën me titull Pqaku ene gjali-xharpën ndodh një gjë e tillë, përkatësisht djali – gjarpër jetëson dëshirën e mbretit si parakusht për martesën me të bijën e tij. P. sh.: Gjali-xharpën, sallde e ngrejti krejën drejtë tërmo, kur pi havaje vijnë nji mjegull e erë e fortë, thou se e shkuli krejtë katoundin. U ngrejtën krejtë mileti n’komë, çish qe ki qamet. E kurdisi era, shpejën ngat pojatës, pallatin e madh ma t’mejrë, e ma t’madh se t’mbretit. Përrallat e kësaj natyre, të prezentuara në librin e Edibe Selimi – Osmanit, janë me variante të ndryshme, por me këtë rast vlen të ceket edhe pjesa tjetër e përmbajtjes së tyre që ka të bëjë me shkeljen e tabusë, përkatësisht djegien e këmishës së gjarprit. Nusja mendonte se me këtë akt – djegien e këmishës, bashkëshorti i saj nuk do të kishte mundësi që ta veshte këmishën gjatë ditës dhe të shndërrohej në gjarpër, por do të mbetej i transformuar përgjithmonë vetëm në figurën e bashkëshortit tejet të bukur, ashtu siç ishte gjatë natës. Thyerja e tabusë do të ndikoj në braktisjen e bashkëshortes nga ana e gjarprit. Pjesa vijuese e përrallës i dedikohet bashkëshortes e cila vihet në kërkim të bashkëshortit të saj – gjarpër. Siç mund të vërehet në përrallën në fjalë, gjarpri me siguri ndërlidhet me besime totemike, por edhe me kultin ndaj tij që ishte tejet i zhvilluar në kuadër të mitologjisë ilire, por që bartet më vonë edhe te shqiptarët si pasardhës të tyre.
Po ashtu, edhe grupi i tretë i përrallave i njohur me syzheun detyra të mbinatyrshme është jashtëzakonisht i pasur në kuadër të përmbledhjes së Edibe Selimi-Osmanit. Pjesë përbërëse e përmbajtjes së këtyre përrallave janë motivet që ndërlidhen me dhënie të detyrave të vështira, por që kryeprotagonistët arrijnë t’i zgjidhin nëpërmjet ndihmësve mitikë dhe në këtë mënyrë të sendërtojnë idealin e tyre, përkatësisht martesën me bashkëshortë të shtresave të pasura sociale. Përrallat më tipike të kësaj natyre të trevës së Pollogur rezulton të jenë ato të pagëzuara si Fatime Përhiçka në të cilat protagonistja në fjalë edhe përkundër maltretimeve nga njerka e saj, megjithatë ia arrin të jetësojë idealin e saj, përkatësisht të martohet me princin. Kjo përrallë posedon variante të shumta duke përdëftuar begatinë e saj në rajonin gjeografik në fjalë. Të kësaj natyre janë edhe variantet tjera të pagëzuara si Couca xhi u bo gogufçe e që i referohen po ashtu jetimes, apo bonjakes që transformohet në këtë shpend, por në fund sërish transformohet në nuse dhe vazhdon jetën bashkëshortore me princin e saj. Duhet theksuar se përrallat dedikuar Fatime Përhiçkës, apo Jetimes, në literaturën folklorike janë të njohura me sintagmën heroina e dëbuar, apo e ndjekur padrejtësisht. Këto përralla, mes tjerash, ndërlidhen me rishtarinë femërore të adoleshencës, apo pubertetit. Si rrjedhojë, edhe bartësit e rrëfimit të këtyre përrallave janë kryekëput ato të gjinisë femërore, pasi në përmbajtjet e tyre flitet për ngadhënjimin e heroinës, por paraprakisht edhe për vuajtjet e vajzës që torturohet padrejtësisht nga njerka e saj. Ndërkaq, torturat e vajzës bonjake ndërlidhen me sfidat e rishtarisë së pubertetit, përkatësisht të kalimit nga fëmijëria kah pjekuria e vajzës si bazë e patjetërsueshme për të aderuar në martesën që pason më vonë. Vajza bonjake edhe pse e torturuar dhe nën trysninë e detyrave të vështira që i parashtron njerka e saj, megjithatë arrin t’i përmbush ato si rezultat të ndihmësve mitikë. Ajo në fund arrin sukses që të martohet me të birin e mbretit. Në ndërkohë, edhe njerka e detyron vajzën e saj që të ndjek rrugën e bonjakes, por kjo e fundit nuk ia arrin qëllimit. Pra, paralelisht zhvillohen dy rishtari, apo inicime, por njëra është e vërtetë, kurse tjetra e imponuar, andaj arrin sukses vetëm e para, ajo e bonjakes, kurse e dyta dështon, madje në disa variante e humb edhe jetën e saj. Jetimja, apo bonjakja arrin sukses pasi kur i takon ndihmësit mitikë sillet mirë dhe këndshëm me ta, përkatësisht i ndihmon dhe bashkëpunon sinqerisht, kurse gjysmëmotra e saj është arrogante dhe nuk bashkëpunon me ta, andaj edhe pëson duke mos arritur ta realizoj synimin e saj, përkatësisht rishtarinë e pubertetit, apo adoleshencës. Edhe një përallë tjetër, e përfshirë në këtë libër me titull Motër e vlla jetemja është pjesë përbërëse e syzheve të ngjashëm, por në rastin e kësaj përralle, njerka don të hajë mish njeriu, përkatësisht mishin e fëmijëve bonjakë që i has te bashkëshorti i saj. Si rrjedjojë, vëlla e motër detyrohen të arratisen dhe të shpëtojnë nëpërmjet përdorimit të mjeteve mitike. Pra, mund të vërehet se në këtë përrallë dalin në spikamë elemente të kanibalizmit.
Edhe një grup tjetër i syzheve të përrallave të mirëfillta, apo fantastike i njohur me sintagmën objekte të jashtëzakonshme, apo të mbinatyrshme po ashtu është i pranishëm në kuadër të përmbledhjes në fjalë. Në të vërtetë, në kuadër të këtyre përrallave dallohen objektet e mrekullishme, si unaza, fyelli magjik, guri ndër gjuhë, si dhe të tjerë, nëpërmjet të cilëve jetësohen synimet e kryeprotagonistit. Në këtë drejtim në kuadër të përmbledhjes sonë dallohen përrallat Guri ndër guhë i xharpnit dhe Mihiri i gjalit ene cauca e mbretit. Në përrallën e parë, kryeprotagonisti përfiton gurin me elemente të mrekullishme në shenjë mirënjohjeje, pasi paraprakisht ia shpëton jetën një gjarpri të cilin fëmijët e qëllonin me shkop. Gjarpri mirënjohës e dërgon te nëna e vet – gjarpër e cila e pajis shpëtimtarin (kryeprotagonistin) me të ashtuquajturin gur ndër gjuhë i cili ka veti të mrekullishme pasi realizon çdo dëshirë. Ai nëpërmjet këtij objekti magjik arrin ta kurorëzoj dëshirën e vet që të martohet me të bijën e mbretit pasi paraprakisht realizon disa parakushte që i kërkon mbreti. Ja, një kërkesë e mbretit dhe realizimi i saj. P. sh. Nana shkon i kallzon mbretit, ki mbreti i thot: – Kur de e shtroje gjali jot udhën pi ke shpaja jeme njer ke shpaja juj me qilim ene t’mbejlle molla ene t’kijen koka, atëherë dë ja japi caucën. Majrëpo, at-here ka kanë dimën për molla, po gjali me gurin ndër guhë e len, atej-atej mbejllet molla e bon qot koka, sa inson xhi kapërcejn kan ngran, at-here mbreti ja ep caucën. Pra, guri që vendoset ndër gjuhë ka veti të jashtëzakonshme në jetësimin e dëshirave të heroit. Edhe në përrallën e dytë, mihiri, apo unaza ka veti të mrekullishme, madje edhe syzheu i përrallës është i njëjtë me të parin. Në të vërtetë, heroi tani mihirin e përfiton nga babai – gjarpër. Pas përfitimit të tij: Ki najsën n’shpej t’shkoje. Sa shkon hejnë n’shpej e hukatën mihirin at-here nanës i çelet sëjta, e hukatën ene ni here, i mbushet maxhja me mejll, për s’treti kur e hukatën menjihere bahet shpeja e re. Pra, edhe unaza realizon dëshirat e heroit. Në kontekst të objekteve të mrekullishme, kemi edhe kapelën magjike që e bën të padukshëm lëvizjen e heroit të përrallës, pastaj intrumentin muzikor – dudukun e kështu me radhë. Në një përrallë të kësaj natyre me titull Tra la-la, tru-lu-lu, mbreti ka brina, heroi përfitohet me këto gjësende të çuditshme përnjëherë, si: Sa u largoun pi xharpnejve, xharpni, e mëson si t’i përdore qulahin, dudukin ene mihirin. – Kët qulahin da vijësh n’kreje ene nauk dukesh. Dudukit, di biesh tre here tu-tu-tu dë vëje Arap i Zi. Aj dë t’çoje ku t’duësh. Me mihirin dë xhejsh pare t’vjetra, toka kmejshe, i shtejpish me mihirin ato dë bahen lira. Pra, mund të vërehet nga fragmenti i përrallës se çdo objekt ka funksionin e vet magjik në ndihmën që ia japin heroit për të arritur deri te synimi i tij përfundimtar – martesa me të bijën e mbretit.
Një tjetër grup i përrallave, sipas Indeksit të Arne-Thomsonit, është i pagëzuar si fuqia dhe dija. Dija, apo njohja e gjuhës së kafshëve paraqet dhuratë për heroin për shkak të shpëtimit të ndonjë jete të ndonjë kafshe. Në një përrallë tipike të kësaj natyre, me titull Çubëni xhi u buë zingin ene xharpni, një bari dhensh arrin të shpëtoj një gjarpër i cili paraprakisht ishte kapluar nga zjarri. Në shenjë mirënjohjeje, gjarpri e dërgon te babai i vet që ishte mbret i gjarpinjve dhe ky i fundit e pajis me aftësinë e të kuptuarit të gjuhës së kafshëve e shpendëve. Duke dëgjuar bisedat e kafshëve, heroi gjen flori dhe bëhet i pasur.
Heroi i përrallës do të vdiste, nëse tregonte fshehtësinë e tij. Gruaja e tij do ta detyrojë pothuajse ta tregojë fshehtësinë, por heroi apo bashkëshorti i saj, paraprakisht do të dëgjojë gjelin sesi e përqesh atë, pasi nuk mund të dalë në krye me një grua, kurse ai (gjeli) mundej ta bënte një gjë të tillë me njëzet pula. Heroi inspirohet nga ky sugjerim i tërthortë i gjelit dhe do ta mbys bashkëshorten që të mos e bezdiste për t’ia treguar fshehtësinë pas së cilës do të pësonte ai, përkatësisht do të vdiste. Një syzhe i kësaj natyre është i njohur edhe në “1001 net”.
Grupi i fundit i syzheve të përrallave tjera, gjithnjë sipas Indeksit Arne – Thomson, është i pagëzuar si Përralla tjera të mrekullishme në të cilat përfshihen përrallat që nuk mund të inkuadrohen në grupet paraprake. Në mesin e përrallave të këtilla mund t’i përfshijmë, mes tjerash edhe përrallat në të cilat bëhet fjalë për kësmetin, apo fatin e njeriut në bashkëshortësi, por në pajtim me besimin popullor se secili njeri ka fatin e vet që nuk mund t’i shmanget pasi është përcaktuar nga fuqia hyjnore që në çastin e lindjes. Ky botëkuptim fatalist mbizotëron edhe në përrallën me titull Kësmeti i coucës mejrë ke çeni. Në të vërtetë, në përmbajtjen e saj realizohet profecia e bilbilit. P. sh.: “Cju, cju, cju, oj coucë, / sa e mejra je, sa e zonja je, / sa punëtore je, / po, kësmetin ke ni çen e ke”. Ky parashikim ia turbullon mendjen vajzës dhe ajo ia qan hallin nënës së vet e cila e ngushëllon atë se do t’i gjente për bashkëshort djalin më të mirë të fshatit. Kjo edhe ndodh, por gjërat nuk shkojnë si duhet menjëherë pas martesës. Djali, apo bashkëshorti gjatë natës nuk qëndronte në shtëpi me bashkëshorten, por largohej duke e porositur nusen që të mos hapte assesi një dhomë në shtëpi. Nga kërshëria e madhe, nusja do ta hapte derën e kësaj dhome, por do të befasohet nga ajo që do shoh. P. sh.: Nji ditë e çeli odën, kur e shef çish me pa mërsha, ka mbajtë inson, hajvonat, krejt i ka mbajtë e i ka shte n’atë odën. Burri asnjihere bukë nuk hanka n’shpej, po sallde mërsha. Pra, rezulton se fati i vajzës që iu diktua paraprakisht nga bilbili do të realizohet, meqenëse më vonë, nusja e re, do t’i shmanget burrit të saj.
Në vija të përgjithshme, përmbledhja me titull Përralla popullore shqiptare (Mbledhur në Tetovë dhe Gostivar me rrethinë) nga Edibe Selimi-Osmani ngërthen në brendinë e saj një numër të madh të përrallave popullore të trevës së Pollogut që veçohen me përmbajtjen e tyre të begatshme dhe të veçantë, apo me kronotopin specifik të veprimit të protagonistëve të cilët kalojnë nëpër sfida të ndryshme që më në fund të arrijnë të gjejnë shtegun e lumturisë. Me një epilog të tillë fatlum, të gjitha përrallat, sidomos ato të llojit të mirëfilltë, apo fantastik, afirmojnë kryekëput konceptin optimist të jetës. Njëkohësisht, struktura e tyre tekstore reflekton edhe mendësinë, apo mentalitetin e bartësve të tyre kundruall realitetit objektiv, pasi dihet se teksti dhe mendësia paraqesin një binom të llojit të vet. Si rrjedhojë e kësaj, të gjitha këto përralla paraqesin një dokument të mirë të përdëftimit të një strukture mendësore të një zone të caktuar, siç është ajo e Pollogut. Aq më shumë kur përralla konsiderohet edhe në cilësinë e një dokumenti të lashtë që pasqyron zhvillimin e vetëdijes shoqërore duke filluar nga trajtat më të lashta fetare, si animizmi, fetishizmi, totemizmi e kështu me radhë. Në këtë drejtim, jo rastësisht, pionierët e folkloristikës evropiane, vëllezërit Grim angazhoheshin që përrallat të konsiderohen jo vetëm si pjesë e imagjinatës, por edhe si dokument me vlera të larta historike. Sipas tyre, historia nuk paraqet vetëm prezentimin kronologjik të fakteve, por edhe tërësinë e asaj që populli e mendon dhe e ëndërron, pavarësisht prej faktit sesi mendon dhe ëndërron. Përrallat popullore, sipas vëllezërve Grim, në të vërtetë, flasin për një periudhë të artë, për një periudhë e cila ka qenë përplot jetë, kur zogjtë dhe bimët flisnin, kurse nimfat pushonin pranë lumenjve, kurse hëna dhe yjet vizitonin botën njerëzore.
E veçanta e këtij libri, apo e përrallave fantastike që janë eksploruar në zonën e Pollogut qëndron në faktin e pranisë së madhe të qenieve mitike që vihen në marrëdhënie të ndryshme me heroin. Ndonjë qenie e tillë mitike paraqitet edhe me atribute të veçanta që janë karakteristike vetëm për trevën e Pollogut. E kësaj natyre është edhe figura mitike e Aufes që ndërlidhet në aspektin semantik me pasthirmën Oh e cila përdoret kur jemi shumë të lodhur ose kemi një dhimbje a një shqetësim në trup. Në përrallën me titull Nana me tre caucat ene Aufja, kjo e fundit del si një figurë e mbinatyrshme e cila shfaqet në çastin kur heroina apo vajza e lodhur lëshon nga goja pasthirmën provinciale auf. Figura mitike e Aufes, në kontekst të përrallës, paraqitet në cilësinë e një hyjneshe ktonike që sundon me gjarpinjtë. Ndoshta lodhja e protagonistes që lëshon pasthirmën në fjalë ka të bëjë edhe me ndjelljen e vdekjes, pasi nënkupton jetën e vështirë që ndonjëherë kërkohet të braktiset nëpërmjet vdekjes. Njëkohësisht,
kjo figurë mitike, zotëron edhe pasuri, andaj e shpërblen heroinën, pasi ishte përkujdesur për ushqimin e gjarpinjve. P sh.: Kur vajn Aufja n’sabah i thotë: – A i ke hishejë xharpnajtë. Xharpnajt thaunë: – Ohëë. Ene e lishojn caucën, i jep ni thes me lira. Me interes është edhe figura e Dhëmbëkuqes e cila paraqitet në cilësinë e një figure mitike që han drunj, kafshë dhe njerëz. Si e tillë, ajo edhe dhëmbët i ka të kuq pasi ushqehet me gjak. Kjo figurë haset në përrallën Motra dhëmbëkuçe ene vllaznit në të cilën kjo motër jo e zakonshme, paraqitet në cilësinë e kanibalistes pasi shuan etjen duke ngrënë njerëz e kafshë. Ajo i han edhe njerëzit e saj më të afërm, si prindërit e saj, madje edhe kafshët, përderisa vëllai i saj nuk e heton atë. Po ashtu edhe një figurë tjetër mitike paraqitet me interes, siç është ajo e Tollosunit që dallohet po ashtu me atribute ktonike. Në të vërtetë, kjo figurë paraqitet në përrallën me titull Gjali i padishait ene Tollosuni në të cilën ky i fundit ua han mollat tri djemve dhe si zakonisht vetëm më i vogli i kundërvëhihet atij, madje duke e plagosur atë – Tollosunin. Gjurmët e gjakut e dërgojnë heroin – djalin në pus ku kishte hyrë Tollosuni. Heroi i përrallës, apo djali i vogël hyn në pus dhe prej andej do të nxjerr vajza të bukura me të cilat do të martohet ai dhe vëllezërit e tij. Pra, siç mund të vërehet kjo figurë mitike paraqitet si figurë analoge e kuçedrës, veçmas në krahasim me përrallat tjera të kësaj natyre në viset tjera shqiptare.
Edhe figura tjera mitologjike, si Kuçedra, Gjarpri, Shejtani (Djalli), Hëzri, Exhinet, Nëna e Difave, Difat, Ilvihatë, Shtrigat, Zanat, etj., që paraqiten në përmbajtjen e përrallave të librit në fjalë, e bëjnë shumë tërheqës këtë lloj të krijimtarisë popullore duke i dhënë një kuptim tejet specifik dhe një dinamikë përplot kthesa e ankthe të paparashikuara. Imagjinata e krijuesit popullor, të gjitha këto qenie mitike i përfytyron si krijesa gjigante me trajta e pamje të nduarnduarshme, herë si krijesa krejtësisht të vogla (por me aftësi dhe mundësi të shumta veprimi), herë si qenie të padukshme e të dukshme, të cilat kanë aftësi mitike për t’u transformuar nga një qenie në një tjetër, apo nga një trajtë në një tjetër, por edhe të transformojnë e metamorfozojnë protagonistë tjerë dhe sidomos protagonistin kryesor. Këto qenie mund të jenë destruktive, t’i kundërvihen heroit të përrallës, por mund të jenë edhe qenie konstruktive me atribute ndihmëse, këshillëdhënëse e kështu me radhë. Së këndejmi rezulton se universi, apo hapësira ku ballafaqohet heroi me qenie të ndryshme, jo vetëm të botës reale, por edhe të asaj ireale dhe mitologjike, dëshmon për rëndësinë që ka përralla si krijim me vlera universale, si prodhim shpirtëror artistik që vjen qysh nga kohët e mugëta kur njeriu është ndeshur me fenomene e dukuri, të cilat i ka imagjinuar në trajtën e krijesave që i janë kundërvënë atij, apo e kanë përkrahur atë në jetën e tij.
Në fund gjykoj se përmbledhja me titull Përralla popullore shqiptare (Mbledhur në Tetovë dhe Gostivar me rrethinë) nga autorja e mirënjohur Edibe Selimi Osmani, është tejet e rëndësishme, madje një literaturë e shtrenjtë dhe e patjetërsueshme jo vetëm për ata për të cilët folklori shqiptar paraqet fushë profesionale studimore, por edhe për ata të cilët duan të posedojnë njohuri elementare nga fusha e prozës popullore, veçmas nga ajo e natyrës empirike. Nëpërmjet publikimit të këtij libri, autorja Edibe Selimi Osmani mishëron figurën e fundit të një rilindasje të mirëfilltë që edhe më tej gjakon pas nektarit të krijimtarisë popullore, pasi vetëm aty i gjen rrënjët e lashta të identitetit tonë kulturor, veçmas në këtë krah të skajshëm të trungut etnik, siç janë shqiptarët e Maqedonisë. Ajo me dekada të plota, apo pothuajse një jetë të tërë, po ia dedikon folklorit shqiptar në Maqedoni si një mbledhëse dhe studiuese e zellshme dhe e pasionuar e tij. Librat që i publikon kjo autore vazhdimisht zgjojnë interesimin e botës akademike, por edhe më gjerë, pasi në vetvete bartin gjurmët, apo aromën e një bote primordiale, një bote apo jete që po vdes gradualisht. I tillë me siguri se do të jetë edhe ky libër. / KultPlus.com
Dr. Izaim MURTEZANI