15 Prill, 2022 - 9:45 am
Një burrë ikën nga lufta në Kosovë, në këtë studim perceptues të pasionit dhe terrorit.
Nga Matthew Janney
Pak autorë sot shkruajnë për frikën aq gjallërisht siç e bën kosovari Pajtim Statovci. Për Arsimin, personazhin kryesor të romanit të Pajtim Statovcit që quhet “Bolla”, frika nuk është një impuls kalimtar në sistemin e tij nervor, por është substanca e tij. Ka dy lloje të njerëzve, thotë Arsimi: Njerëz që s’kanë nevojë t’i frikësohen ndonjë gjëje dhe njerëz të cilëve u duhet të frikësohen nga gjithçka”. Ai është një nga këta të fundit.
“Kështu funksionon frika”, shton ai, “ajo vjen e tëra përnjëherë dhe është e pandashme”.
Frika e Arsimit mund t’u atribuohet faktorëve mjedisorë. Është viti 1995, lufta është në prag të shpërthimit në Prishtinë, Kosovë, ku ai jeton bashkë me gruan e tij të devotshme, Ajshen, të cilën ai nuk e do. Për ta përkeqësuar edhe më gjendjen, ai është duke pritur një fëmijë. Krejt kjo e ardhme e mbush me frikë atë. Ai nis një aferë dashurie me Milloshin, e cila është dyfish e ndaluar. Jo vetëm se ai është një burrë, por edhe se është serb. “Gjithmonë dalim nga banesa në kohë të ndryshme: duke e vënë veshin në derë, njëherë sigurohemi se nuk është askush në korridor”.
E mbyllur nga shoqëria prapa dyerve, dashuria e tyre mund të marrë frymë në prozën e ndjeshme të Pajtim Statovcit. Ai shkruan bukur për ekstazën e pasionit të fillimit, nëpërmes detajeve surreale, piktoreske.
Sytë e Milloshit “duken si qielli pak para stuhisë”; trupi i tij ishte “i gjatë, si i një kali”. Me kaq, pamja e Milloshit mund të mbetet jo e plotë për ne, por ne e ndiejmë se sa shumë e dëshiron Arsimi, ne e shohim përmes shikimit të Arsimit. Kur lufta, paevitueshëm vjen në Prishtinë, i ndan ata. Arsimin e çon në një shtet të panjohur jashtë, ndërsa Milloshin në frontin e luftës.
Tjetërsimi kulturor, ndarja e detyruar dhe trauma e vazhdueshme, janë temat kryesore te shkrimi i Statovcit. Tregimi i Bollës endet mes rrëfimit të Arsimit dhe në kapitujt më intimë, më impresionues, nga Milloshi. Kjo teknikë, – që të kujton romanet e mëhershme të Statovcit, që kanë fituar çmime – e krijon edhe një afërsi psikologjike që është e kundërt me distancën e tyre fizike.
Është një shenjë e fshehur e kthimit dhe ribashkimit te titulli i librit. Në mitologjinë shqiptare, bolla është një figurë e gjarprit që, çdo vit, i hap sytë dhe e gëlltit këdo që e sheh. Arsimi e shkruan një tregim të shkurtër të bazuar në këtë mit, në të cilin, një vajzë e verbër shoqërohet me një bollë. Ato pajtohen që të takohen çdo vit, kur nis behari në pranverë, në të njëjtin mal, në të njëjtën rrugë. Ai ia tregon këtë tregim Milloshit dhe bolla bëhet simbol i shpresës së këtyre dy burrave se lidhja e tyre do të ketë fatin e njëjtë. Kjo, sidoqoftë, është më shumë si një dëshirë. Në fund të fundit, me “bollë” mund të nënkuptohet edhe “alien”, siç Statovci tregon në epigrafin e tij.
Momentet më të forta të “Bollës” janë ato kur përshkruhen efektet e frikës së Arsimit, që lidhet me gjendjen si një refugjat jashtë vendit. “Dikush që rritet me frikë, kurrë nuk mëson të jetojë pa të”, thotë Arsimi. “Fqinji e ka hapësirën e parkimit më të mirë, sepse ai është në vendin e tij, jo në vendin tënd; është ai që e shëtit qenin që po vjen në drejtim tëndin, jo për të përshëndetur, por duke u tallur, sepse je një i huaj”.
Statovci, familja e të cilit shkoi nga Kosovë në Finlandë, kur ai ishte dy vjeç, e përshkruan një refugjat, jo si një veshje që mund të ndërrohet me pak lehtësi, po si një lëkurë që mund të hiqet vetëm më vështirësi të madhe.
Kur shoqërimi me një djalë, me të cilin njoftohet online, e fut atë në sherr me autoritetet, Arsimi përballet me burgim, deportim dhe, më e keqja nga të gjitha, me të vërtetën e rikthimit të gruaja dhe familja më e gjerë. Një katastrofë pas tjetrës, rrezikojnë që të gërryejnë njerëzoren tek Arsimi, por perceptimi i tij i shpejtë e ndihmon atë që të mos fundoset në indiferencën e qelqtë. “Mund ta shoh dhimbjen e saj”, thotë Arsimi për një grua që e viziton. “E shoh se si ajo e përcjell kudo që shkon. Është aty kur i nxjerr çelësat e shtëpisë nga xhepi, kur e përgatit ushqimin për familjen e saj, kur shkund tepihët”. Statovci vëzhgon me kujdes se si pasojat e luftës janë në çdo cep të botës së viktimave të saj.
Kur Arsimi vendos që ta kërkojë Milloshin pas lufte, druajmë se nuk do të ketë një fund si i tregimeve të librave. “Bolla” kthehet nga një pritje plot ëndrra e së ardhmes, në një negocim të heshtur të së kaluarës. Vetëm duke ikur nga qarqet vdekjeprurëse të fantazisë, sugjeron Statovci, mund të fillojmë të durojmë realitetin.
Recension i botuar nga The Guardian. Linku origjinal: https://www.theguardian.com/books/2020/feb/15/patjim-statovci-crossing-interview. /Përkthimi Gazeta Express / KultPlus.com