6 Gusht, 2024 - 4:15 pm
Mimoza Hasani-Pllana
Fragment nga intervista më e gjatë, pjesë të së cilës janë botuar në librin Zejnullah Rrahmani LETRA PËR NJË KURORË MBRETËRORE, Fondacioni Ibrahim Rugova, Prishtinë 2024.
Cili është motivi më i çuditshëm që e keni përdorur për të shkruar një tregim?
Një djalë i vogël që ka jetuar në vendet ku dimri është i pafund dhe një ditë i lutet babait që nji ditë kur të kthehej prej gjuetisë në vend të ushqimit që sillte çdo ditë, t’ia sillte verën. Atëherë do të kishte shumë ushqim dhe i ati nuk do të shkonte çdo ditë për gjueti larg shtëpisë. I ati mori me vete një lundërz, një kastor dhe një ujk. udhëtoj me miqtë e vet shumë ditë e shumë netë dhe mbas shumë ditësh e netësh arriti në maje të malit që prekte qiellin. Atje, së pari e hodhi drejtë qiellit lundërzën, mirëpo ajo vetëm sa gërvishti pak qiellin dhe pastaj ra teposhtë malit pakthim. Pastaj provoi të njëjtën gjë me kastorin, por edhe ai e pësoi njësoi. Më në fund i tha ujkut ta provojë të hapë një vrimë në qiell dhe ujku provoi dy herë dhe vetëm të tretën herë hapi një vrimë dhe u fut në qiell. Pas tij u nis edhe ai dhe pa që aty është një vend i bukur i blertë dhe përplot me ujëra, lumenj e liqej dhe me drunj të bukur e me kafshë të panumërta…dhe një mot me diell gjithmonë dhe mbasi që tashmë ishte tepër i uritur, vendosi të gjuante disa nga kafshët dhe zogjtë dhe ato ikën me rrëmbim nëpërr atë vrimën e qiellit dhe fluturuan në të gjitha anët…dhe bashkë me kohën e mirë u përhapën në botën me akull…
Më duket që unë pak a shumë të njëjtën gjë kam provuar gjithë jetën dhe ma merr mendja, disa prej “zogjëve” të cilët i kam lëshuar midis lexuesve nga ajo vrimë në qiell që kam hapur, edhe mund të jenë të bukur…
Në fakt nuk kam insistuar kurrë të zgjedh motive të çuditshme. Dhe në përgjithësi nuk jam autor senzacionesh dhe në fund të fundit as nuk e kërkoj lexuesin me çdo kusht. Natyrisht që e dua lexuesin – për shkak të asaj që shkruaj. Dëshiroj që arti im letrar të arrijë tek ai jo pse motivi (a tema, topika) i veprës sime është i çuditshëm, por për shkak se një temë ia ofroj atij në një formë të bukur dhe të papritur nga ana e tij, le të themi kushtimisht në mënyrë të çuditshme…/ KultPlus.com