2 Korrik, 2023 - 3:31 pm
Ag Apolloni
Ishte koha kur Shtëpia e Bardhë qortohej nga intelektualët publikë dhe nga populli amerikan për ndërhyrje në punët e shteteve të tjera. Presidenti Klinton kishte disponimin e mirë për të na ndihmuar, prandaj kishte vendosur të intervenonte ushtarakisht. Por befas u ndodh mes një sulmi të brendshëm. Për shkak të këtij intervenimi, ai kritikohej ashpër dhe, kështu, e kuptoi se po e humbte besimin te qytetarët e tij. Pra, atij i duhej një figurë e madhe morale për ta justifikuar veprimin e tij, një figurë kundër së cilës nuk mund të dilnin intelektualët dhe populli amerikan. Kjo figurë morale ishte Eli Vizel (Elie Wiesel), i mbijetuar i Holokaustit dhe fitues i çmimit Nobel për paqe. Vetë Bill Klinton, vite më vonë, ka thënë: “Ka qenë një forcë e vetme që e ka ndryshuar rrjedhën e politikës amerikane. Ajo forcë quhet Eli Vizel”.
Eli Vizel, një engjëll amerikan për Kosovën, kur Amerika ende dyshonte në ‘intervenimin humanitar’ të NATOS-së, shkoi në Shtëpinë e Bardhë dhe mbajti një fjalim për domosdoshmërinë e atij intervenimi për ta shpëtuar Kosovën nga spastrimi dhe gjenocidi. Pastaj, me kërkesë të presidentit amerikan, ai erdhi në kampet e shpërnguljes në Maqedoni dhe Shqipëri, për t’i vizituar kosovarët, dhe përgatiti një raport mbi vuajtjet tona. Këtë raport ia dërgoi Shtëpisë së Bardhë. Pak ditë më pas, ndodhi çlirimi i Kosovës.
Më poshtë keni një fragment nga romani dokumentar “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, ku, në bazë të dokumenteve të shumta nga arkiva të ndryshme, përfshirë edhe “arkivin e ngrirë të Shtëpisë së Bardhë”, Ag Apolloni ka ndërtuar figurën e shkrimtarit dhe humanistit Eli Vizel në raport me Kosovën. Ky fragment publikohet me rastin e 7-vjetorit të vdekjes së Eli Vizelit, i cili vdiq më 2 korrik 2016. Romani tashmë gjendet edhe në gjuhën angleze.
“Një fije shprese, një fije shkrepëse”
Në anën tjetër të Atlantikut, Eli Vizel shikon TV dhe mendon. Kishte disa ditë që e shmangte darkën. Nuk shkojnë bashkë darka dhe lajmet, thoshte. Si mund të hash rehat duke shikuar në televizor kolona njerëzish të uritur të dëbuar nga shtëpitë e tyre? I kujtohet koha kur bota nuk bëri zë. “Babës tim i shkonin lotët çurg. Ishte hera e parë që e shihja të qante. Kurrë s’e kisha menduar se do të vinte ajo ditë, ndërsa nëna ime ecte pa thënë as edhe një fjalë të vetme, e zhytur thellë në mendime, me fytyrën e ngrirë si një maskë. I hodha një shikim motrës sime, të voglës Cipora, me ato flokët e verdha të krehura me kujdes dhe me atë pallton e saj të kuqe të hedhur krahëve: një vogëlushe shtatëvjeçare. Në shpinë mbante një çantë tepër të rëndë për të. Nofullat i shtrëngonte fort: e dinte shumë mirë që s’ia vlente të ankohej. Aty-këtu policët ishin lëshuar me shkopinjtë e tyre duke goditur majtas e djathtas dhe duke na shtyrë: Nxitoni! Luani këmbët!”
Njëra duhej shmangur: o darka, o lajmet. Mund t’i shmangte lajmet dhe të hante darkë i qetë, por çfarë do t’i thoshte babës së ndjerë kur të takoheshin një ditë? Që kishte mbyllur sytë dhe veshët dhe s’kishte hapur gojën, si atëherë kur baba në agoni e thërriste emrin e tij?
Në televizor sheh një luginë plot me njerëz dhe një fëmijë që mban lart një karton me fjalën Help, pastaj dhjetëra duar të ngritura në pritje të një buke, të cilën nuk shihej kush po e mbante matanë telave. Bie në kujtime: “në vagonin ku kishte rënë copa e bukës, nisi një përleshje. Burrat po grindeshin duke shtyrë, kacafytur, gërvishtur dhe sakatuar njëri-tjetrin. Bisha grabitqare që kacafyteshin dhe sytë u xixëllonin nga urrejtja kafshërore. Ata sikur u pushtuan papritur e pa kujtuar nga një gjallëri e jashtëzakonshme, e cila ua mprehu sakaq thonjtë dhe dhëmbët”. Pastaj i kujtohet sesi në vagonin ku ndodhej ai, biri e kishte mbytur babën për t’ia marrë bukën. Në ekran duken burra, gra, fëmijë të mbështjellë me batanije. “Mbi batanijet tona po grumbullohej një shtresë e trashë bore. Na dhanë bukë, racionin e zakonshëm. I kollofitëm sa hap e mbyll sytë. Dikujt i shkrepi një ide se si ta shuante etjen, duke ngrënë borë. Shumë shpejt të gjithë filluan ta imitonin. Meqë nuk na lejohej të përkuleshim, nxorëm lugët tona dhe hëngrëm borën, që kish rënë mbi supet e fqinjëve. Një copë buke e shoqëruar me një lugë bore. Ushtarëve SS, që s’na i ndanin sytë, u pëlqeu shfaqja që po jepnim”.
Mbaron darka, e cila për të kishte mbaruar sapo kishin filluar lajmet. Mbarojnë lajmet, por ai e di se tragjedia zgjat më shumë se edicioni i lajmeve, më shumë se një rrotullim i diellit. Gruaja dhe djali janë të merakosur teksa e shohin ashtu, se e dinë ç’kujtime i ngjallin ato pamje.
Kështu, ai përditë i sheh lajmet me shqetësim dhe gëzohet kur kupton që NATO, më në fund, intervenon. Ka reagime nga qytetarët dhe nga disa intelektualë, se Amerika s’duhet të përzihet në punët e të tjerëve, mjafton t’i rregullojë të vetat që i ka lëmsh. I sheh i mbijetuari i Holokaustit këta intelektualë dhe qytetarë, dhe s’mund t’u besojë syve, as veshëve. I kujtohet Ruzvelti kur, për të mos u përzier në punë të huaja, e ktheu mbrapsht anijen me një mijë hebrenj, të cilët mezi kishin arritur pranë bregut të atij që e konsideronin shpëtimtar, i cili në moment të fundit ua ktheu shpinën. “Nuk e kuptoj. Ruzvelti ishte njeri i mirë, njeri me zemër. Ai i kuptonte ata që kishin nevojë. Pse nuk i la këta refugjatë të zbarkonin? Një mijë njerëz – në Amerikë, në këtë vend të madh, me demokracinë më të madhe, më bujare nga të gjitha kombet në historinë moderne. Çfarë ndodhi? Nuk e kuptoj. Pse kjo indiferencë, në shkallën më të lartë, ndaj vuajtjes së viktimave?”
Cingërrr!, bën telefoni. E thërret Shtëpia e Bardhë, për ta pyetur nëse mund të shkonte të fliste kundër rreziqeve të indiferencës.
Pas pak, ai e gjen veten në dhomën e punës duke shkruar: “Ç’është indiferenca? Etimologjikisht, kjo fjalë do të thotë ‘no difference’. Një gjendje e çuditshme dhe e panatyrshme që e zhbën kufirin mes dritës dhe errësirës, mes mugëtirës dhe zbardhjes, mes krimit dhe ndëshkimit, mes egërsisë dhe dhembshurisë, mes të mirës dhe të keqes”. E shikon orën, pastaj shkruan, fshin dhe shton: “Por gjatë këtij shekulli kanë ndodhur edhe gjëra të mira, si humbja e nazizmit, rënia e komunizmit, rilindja e Izraelit në tokën stërgjyshore…”
Nëpër mendje i kalojnë: varrosja e orës në kopsht, deportimi me tren, ndarja nga nëna dhe motra, fëmija i varur në litar, i vdekuri i ngrirë pranë violinës, kalimi në Buhenvald, vendosja e numrave, kokat e rruara, vrasja e babës…, mandej fotografitë me rreshtat e njerëzve duke hyrë në dhomat e gazit, oxhaqet e furrave të kampit dhe… ftesa e presidentit Klinton për të mbajtur ligjëratë në Shtëpinë e Bardhë, ku para pak ditësh ishte marrë vendimi për të intervenuar ushtarakisht diku në Ballkan, për ta shpëtuar Kosovën nga spastrimi etnik dhe gjenocidi. Kur ky ishte fëmijë në kampin e përqendrimit në Buhenvald, Kosova ishte pjesë e Shqipërisë dhe kishte strehuar dhe mbrojtur plot familje hebreje. Ato, familjet shqiptare, e kishin thënë fjalën e vet, kur bota heshtte. Ai e dinte këtë, prandaj ndihej i lumtur që presidenti i tanishëm nuk po ua kthente shpinën viktimave.
Dora e tij vazhdon të shkruajë: “…dhe pastaj, natyrisht, vendimi i përbashkët i Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s për të ndërhyrë në Kosovë dhe për t’i shpëtuar ato viktima, ata refugjatë, ata që u rrënuan nga një njeri për të cilin besoj se për shkak të krimeve të tij, duhet të akuzohet për krime kundër njerëzimit. Këtë herë, bota nuk heshti”.
I kujtohen dita e lirisë, valët e jetës, pastaj zgjimi në mesnatë dhe kthimi në vendlindje për ta kërkuar orën e varrosur. Sheh veten duke shkuar në kopsht para mëngjesit dhe duke gërmuar. Ora është aty ku e ka lënë, por në shtëpinë e tij nuk janë më as baba, as nëna, as motra. Ai e rivarros orën, sepse ajo orë e vjetër mat një kohë tjetër.
Ai palos letrën dhe shpalos mendjen: “Ky intervenim a do të thotë që kemi mësuar nga e kaluara? A do të thotë që shoqëria ka ndryshuar? Që njeriu është bërë më pak indiferent dhe më shumë njerëzor? A kemi mësuar vërtet nga përvojat tona? A jemi më pak të pandjeshëm ndaj vuajtjeve të viktimave të spastrimit etnik dhe formave të tjera të padrejtësive në vendet afër dhe larg? A është kjo ndërhyrje e arsyeshme në Kosovë, e udhëhequr nga ju, zoti President, një paralajmërim i qëndrueshëm se kurrë më nuk do të lejohet dëbimi, terrorizimi i fëmijëve dhe prindërve të tyre kudo në botë? A do t’i dekurajojë kjo diktatorët e tjerë në vendet e tjera që bëjnë të njëjtën gjë?”
Në East Room, në Shtëpinë e Bardhë, mes presidentit Klinton dhe Zonjës së Parë, Hillari, para një publiku të zgjedhur, shkrimtari hebre e mbyll fjalimin me fjalët: “Dhe kështu, mendoj edhe një herë për djaloshin hebre nga Malet e Karpateve. Ai e ka shoqëruar plakun, që jam unë, gjatë gjithë këtyre viteve të kërkimit dhe të luftës. Dhe së bashku ne të dy ecim drejt mijëvjeçarit të ri, me frikë të thellë dhe shpresa të jashtëzakonshme”.
Zëri i tij i butë, si i një rabini që lexon Talmudin, ka hyrë nëpër veshë dhe ka depërtuar në zemra.
Heshtje.
Pastaj duartrokitje.
Teksa dalin nga East Room, Presidenti pret që Shkrimtari ta kapë prapë për krahu, si disa vite më parë, kur në një takim, i emocionuar nga ajo që kishte parë në Bosnje, i kishte thënë: Bëj diçka, zoti President!
Tani Presidenti po e shihte të njëjtin njeri që i dridhej zëri duke folur për atë që po ndodhte në Kosovë. Duke e parë se sa shumë i kishte përjetuar lajmet e mbrëmjes, me pamjet përplot masakra e refugjatë shqiptarë, Presidenti i afrohet dhe i thotë me zë të ulët:
– Pse nuk shkon atje?
Shkrimtari ngre kokën, shikon fytyrën e përzemërt të Presidentit dhe e kupton që e ka seriozisht.
– Sikur të mund të bëja diçka, do të shkoja,- ia kthen.
– Sigurisht që mundesh,- i jep zemër Presidenti.
Kur e sheh veten në avion, mbi retë e bardha që i japin ndjesinë e parajsës dhe paqes, laureati i Nobelit për paqe e kupton se nuk po udhëton vetëm nëpër hapësirë, por edhe nëpër kohë. Nuk po udhëton thjesht nga Amerika në Ballkan, por nga Lufta e Dytë Botërore në Luftën e Kosovës.
Kur zbret nga qielli dhe futet mes refugjatëve shqiptarë, e kupton se ky është udhëtimi më i gjatë në jetën e tij, nëpër një rrugë që zgjati pesëdhjetë e katër vjet, nga dita kur doli nga kampi i shfarosjes deri tash kur po shkonte drejt kampeve të shpërnguljes.
Për shkak të ngjashmërisë së persekutimit, Presidenti e kishte angazhuar atë të shkonte në kampet e shqiptarëve, për të bërë një raport në lidhje me gjendjen e refugjatëve. Shkoni, shihni, dëgjoni dhe flisni me ta!, i kujtohen të mbijetuarit të Buhenvaldit fjalët e Presidentit, derisa ecën mes fëmijëve në kampin e Çegranit, në Ditën e Fëmijëve. Ky është një nga kampet më të mëdhenj në Maqedoni, me mbi pesëdhjetë mijë refugjatë, rreth dyzet për qind e të cilëve janë fëmijë.
– Qindra fëmijë morën pjesë në këtë ngjarje të organizuar nga UNICEF-i dhe organizata të tjera në kampin e Çegranit. Ky ishte një rast që fëmijët shqiptarë të argëtoheshin sadopak. Aktivitetet e tyre përfshijnë ngjyrosjen e fytyrës dhe këndimin e këngëve tradicionale shqiptare. Emisari amerikan, i mbijetuar i Holokaustit, thotë se është prekur shumë nga ajo që ka parë në kamp,- raporton gazetarja e Associated Press.
Duket Shkrimtari duke ecur mes fëmijëve, dy prej të cilëve ua ka hedhur duart mbi supe. Ecën dhe flet:
– Jam këtu për t’i parë fëmijët, këta ma copëtojnë zemrën.
Gazetarja e pyet:
– A keni folur me njerëzit derisa jeni endur nëpër kamp?
Ai përgjigjet:
– Ende s’kam folur me të rriturit. Tash për tash po flas me këta fëmijë. I dua fëmijët. Po e shoh pafajësinë e këtyre fëmijëve të sulmuar, të izoluar dhe të keqtrajtuar…
Në kuadrin tjetër duket një fëmijë që këndon Oj Kosovë, o djep lirie… dhe një tjetër që reciton një vjershë për Adem Jasharin, ndërsa Shkrimtari i shikon me dashamirësi dhe mban veshin te përkthyesja.
Në kuadrin e radhës, ai flet për udhëheqësin serb:
– Millosheviqi është një njeri që dëshiron të sundojë, të sundojë patjetër, qoftë edhe mbi një varrezë. Ai është i çmendur.
Dhe kështu ai vazhdon të endet përditë nëpër kampe, në Maqedoni dhe Shqipëri. Njëri nga shoqëruesit, duke i parë fëmijët, i thotë:
– Këta duken mjaft të lumtur, shihi si qeshin! Nuk duket se janë të traumatizuar.
– Fëmijët e jetojnë të tashmen më shumë se ne. Ata qeshin sot, i përshtaten frymës së festës, por nesër do t’u kujtohet çfarë kanë parë, si i kanë dëbuar dhe kjo do të lërë pasoja. Ata kanë nevojë për terapistë, dhe ne duhet t’ua sigurojmë, sepse trauma godet pas festës.
– Pse po ua bën Millosheviqi këtë?
– Sepse dëshiron të hyjë në histori.
– Do t’ia arrijë?
– Po, ai do të hyjë në histori për turpin e tij.
Një gazetar i New Yorker raporton për vizitën e humanistit hebre nëpër kampet e refugjatëve shqiptarë. Ai thotë se zyrtarët e administratës kanë thënë se vizita ka për qëllim ta përqendrojë vëmendjen në argumentin moral të fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër Jugosllavisë. Nga katër rrjetet kryesore televizive amerikane, vetëm CNN e mbulon vizitën e emisarit amerikan, dhe zyrtarët atje thonë se zbehja e interesit për historinë e Kosovës po i ndërlikon përpjekjet e tyre për ta ndërtuar një konsensus të fortë publik mbi veprimet ushtarake. Njerëzit e kanë të paqartë pse ne po bëjmë atë që po bëjmë, thotë një zëdhënës i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara. I pyetur nga reporteri se pse e kishin zgjedhur pikërisht laureatin e paqes për ta dërguar mes refugjatëve të luftës, ai i përgjigjet: Na duhej një person si ai për ta mbajtur në vijë filozofinë morale.
– Kam mësuar diçka nga përvojat e mia si bashkëkohës i kaq shumë ngjarjeve,- i thotë Shkrimtari reporterit amerikan.- Kur e keqja e tregon fytyrën e saj, ju s’duhet të prisni, s’duhet ta lejoni të forcohet. Duhet të ndërhyni.
Duke ecur nëpër kamp, atij i kujtohen kampet naziste, pastaj i kujtohen njerëzit e ngrirë në borë dhe, ndonëse ka tri orë që rri në diellin përcëllues, shpreh një kërkesë të befasishme dhe urgjente për refugjatët kosovarë:
– Ne nuk duhet të lejojmë që dimri t’i gjejë këtu.
Dhe, sapo e thotë këtë, shpejton hapin për të mbledhur histori, për t’i dokumentuar krimet dhe për ta përshpejtuar fundin e luftës. Ecën nga njëri kamp te tjetri, dëgjon histori dhe bën pyetje. Kur e sheh një burrë duke i vënë në gjumë fëmijët, e pyet:
– A u tregon përralla fëmijëve?
– Po.
– Për çka flasin ato përralla?
– Për shtëpinë.
Më tutje e ndal një vajzë gjashtëmbëdhjetë vjeçe.
– Si e ke emrin?
– Bahrije.
– Çka mendon kur zgjohesh në mëngjes?
– Mendoj se do të kthehem në shtëpi.
Shkon më tutje dhe e ndal një refugjat tjetër.
– Si të quajnë?
– Besim.
– Çka mendon për atë që po bëjnë serbët?
– Mendoj si mund ta bëjë këtë dikush që ka zemër.
Ndërsa, gazetari që e përcjell, e pyet Shkrimtarin:
– Çfarë mendoni për intervenimin amerikan?
Shkrimtari sheh kampin me refugjatë, pastaj kafshon buzën nga dhembshuria për ta dhe rrudh sytë nga rrezet e forta:
– Për amerikanët, Kosova është një luftë morale. Ne s’përfitojmë asgjë nga Kosova, por, nëse s’do të intervenonim, do të humbnim shumë moralisht.
Si i dërguar special i presidentit amerikan, duke bashkëndier me refugjatët si të ishte ndonjë shenjtor me rroba moderne, ai endet nga njëri kamp në tjetrin, në Maqedoni e Shqipëri, ku janë dëbuar shqiptarët e Kosovës, për t’u dhënë zemër, për t’u dhënë shpresë. Nga këto kampe ai ndërton pamjen e fytyrës njerëzore të luftës.
– Veç unë dhe djali kemi mbetë…, – i thotë një nënë një ditë, dhe ende pa e mbaruar fjalinë, fjalët i bëhen lot. Ndërsa Shkrimtari sheh djalin e saj të vogël, i hedh krahun, e mbështet për gjoksi dhe me dorën tjetër ia përkëdhel kokën. Pastaj i afrohet një plaku me plis dhe e pyet nëse i ka shpëtuar familja. Plaku s’do të flasë, por kur merr vesh se është amerikan, thotë:
– Niqin’ e tetëdhetë burra u vranë, veç dy kanë pshtue. Unë jam njani prej tyne…
Shkrimtari i vë dorën në sup, për t’i thënë që megjithatë, në atë fatkeqësi, paska qenë me fat, por plaku pasi gëlltitet një herë, shton:
– …djali jem shkoi me t’shumtit.
Plakut i rrjedhin lotët. Shkrimtari kafshon buzën, por s’mund t’i fshehë skuqjen e syve dhe një lëng të kthjellët që ia mjegullon shikimin. Ia shtrëngon dorën plakut. Nga këndvështrimi mjekësor, ai e di që nëse tjetrit i dhemb, mjeku s’duhet ta bëjë edhe veten që t’i dhembë, sepse kështu s’do të përfitonte asnjëri. Por, nga kënd-vështrimi moral, human, ai e di që pacienti dhe mjeku duhet ta ndajnë dhimbjen së bashku, që ta përballojnë më lehtë. Çka domethënë të mos ndjesh? Të jesh i vdekur. Nëse nuk e ndiej dhimbjen tuaj, s’e ndiej as timen, mendon dhe vazhdon endjen nga njëri shator në tjetrin.
– Nuk e di se kush je, por mbasi je amerikan, je njeri i mirë,- i thotë një burrë.
Shkrimtari qesh me përzemërsi, pastaj ua shtrëngon duart pleqve, ua hedh dorën në sup burrave, u buzëqesh grave, ua përkëdhel kokat fëmijëve, ndërsa kur në mbrëmje, i vetëm në dhomë, fik llambën dhe ndez kujtesën, askush s’mund ta dijë se si ndihet një i mbijetuar i kampeve naziste pas bredhjes gjithë ditën nëpër kampe. Nuk dihet nëse më shumë e mundon pamja e trishtuar e fëmijës që pa sot, apo fëmija i trishtuar që ishte ai vetë dikur; fati i tanishëm i familjeve shqiptare, apo fati i dikurshëm i familjeve hebreje. Apo ndoshta dy fëmijët e trishtuar, dy kombet e persekutuara, dy luftërat e çmendura, dy llojet e kampeve, shkrihen brenda në mendjen e tij dhe bëhen një.
Të nesërmen, ulur para një shatori e sheh një burrë të moshës së mesme duke pirë duhan i zhytur në mendime.
– Çka po mendon?, e pyet.
– S’ka randësi çka mendoj unë, po çka mendon Amerika.
– Kur mendon se do të kthehesh në shtëpi?
– Krejt kjo mvaret prej Zotit…dhe Klintonit.
Shkrimtari buzëqesh dhe ia rreh shpatullat.
– Dy djemtë m’i kanë marrë prej dore, s’di ku i kanë çue…, – thotë një nënë që s’mund t’i ndalë lotët.
Shkrimtari ulet dhe e dëgjon historinë e saj. Para se t’ia përkthejnë, ai e kupton duke i lexuar shenjat e dhimbjes: rrjedhjen e lotëve dhe dridhjen e zërit. Ai e di se pamja e fundit mbetet e përjetshme, dhe e merr me mend se sa e vështirë do të jetë për këtë grua të jetojë gjithë jetën me një kujtim të tillë.
Një tjetër grua, kur merr vesh se ky është amerikan, i afrohet dhe e pyet:
– Çka po ndodh me ne? Çka kemi bâ? Çka kemi bâ që ta meritojmë këtë?
Shkrimtari e sheh me dhembshuri dhe i thotë:
– E di që jeni të pafajshëm dhe nuk e di pse duhet të vuani. Unë, mjerisht, nuk mund ta zë vendin tuaj, por dua të jem i pranishëm në vuajtjen tuaj.
Një shoqërues e pyet Shkrimtarin:
– Çfarë mesazhi doni të jepni me mbledhjen e këtyre historive?
– Dua që këtyre njerëzve t’u jap shpresë, t’u them që viktimat kurrë s’janë vetëm.
– Por ju keni qenë.
– Hm.
– E keni menduar pse po ndodh ky spastrim etnik, kjo luftë?
– Krejt kjo po ndodh se Millosheviqi do Serbi të Madhe, ai dëshiron të bëjë histori.
– Tash që po bombardohet, s’ka si të mos tërhiqet nga kjo ide.
– Edhe nëse dorëzohet, ai prapë duhet të dënohet. Ai njeri është kriminel.
– E quajnë Kasap i Ballkanit…
– Jo, ai nuk është kasap, ashtu siç nuk ishte as Ajkmani Kasap i Aushvicit.
– Pardon?
– Millosheviqi dhe Ajkmani, edhe pse s’duhen krahasuar tragjeditë, janë përgjegjës, jo kasapë. Kasapi pret dhe s’i jep llogari kujt, kurse këta s’mund t’i shmangen llogaridhënies. Ne s’duam, s’mund e s’duhet t’i lëmë.
Dhe ecën hebreu nga kampi në kamp, si prifti i madh i Shilohut që dukej se nga dhembshuria, do t’i merrte të gjithë fëmijët e t’i rriste në Tabernakull. Vetëm imagjinojeni me kostume antike dhe, natyrisht me mjekër, dhe krahasojeni pastaj me pikturën e Jan Viktorsit! Është e njëjta pamje, e njëjta dashuri, vetëm kostumet kanë ndryshuar. “Unë i dua fëmijët, më copëtohet zemra për ta”, thotë duke shkuar nga shatori në shator, nga kampi në kamp, për t’i parë, për t’i dëgjuar, për t’i prekur dhe për të folur me ta. Kështu, ai duket sikur ka ardhur këtu, në tokë, me një mision mesianik, për t’i mbledhur dhimbjet tona dhe për t’i marrë me vete e për t’i çuar në Shtëpinë e Bardhë, së cilës i raporton: “Në këtë botë të tmerrshme të refugjatëve të Kosovës, të rriturit qanin. Fëmijët nuk qanin. Ata këndonin. Ata luanin. Ata qeshnin. E unë nuk e di se çfarë na lëndon më shumë: e qeshura e fëmijëve, apo lotët e prindërve të tyre. Sa u përket torturuesve të tyre, ti s’mund ta kuptosh: si munden qeniet njerëzore t’u shkaktojnë aq shumë vuajtje qenieve të tjera njerëzore?” Dhe i tronditur pyet: “a mos vallë ky është leksioni i shekullit tonë që po mbaron: se është njerëzore të jesh jonjerëzor?” Në fund, pyet veten: “a ishte misioni im i suksesshëm? Mendoj se ishte domethënës”. Dhe e mbyll me fjalën shpresë: “a ka shpresë për refugjatët kosovarë? Ka një ndjenjë të shpresës. Ajo vjen nga Amerika dhe aleatët e saj. Fitorja jonë mbi krimet e Millosheviqit u jep atyre shpresë”.
Kështu shkroi shkrimtari hebre Eli Vizel një natë qershori, nga Shkupi. Kështu i raportoi Shtëpisë së Bardhë. Pas pak ditësh trupat tokësore të NATO-s hynë në Kosovë.
Një vjet më vonë, te “Letër mikut kosovar”, ai e kujton vizitën e tij kështu: “Ju kam vizituar në kampin tuaj të refugjatëve. Kam takuar shumë prej shokëve dhe miqve tuaj, në Shqipëri dhe Maqedoni. Me zemër të thyer i kam dëgjuar tregimet e tyre të poshtërimit dhe agonisë: e quaja të patolerueshme egërsinë shtazarake të serbëve. Shpesh viktimat e fillonin tregimin me zë të qetë, por nuk arrinin ta përfundonin: shpërthenin në ngashërime. Në thellësi të shpirtit tim, në heshtje, lotët e mi përziheshin me të tyret”./KultPlus.com