16 Maj, 2019 - 7:30 pm
“Ishin si dita me natën, shkriheshin pa humbur te njëri-tjetri.[…] Diçka e humbnin rrugës… ishin të vetëdijshëm për këtë, por nuk e bënin të madhe. Ndonjëherë pengoheshin. Jeta s’duhet të jetë si në përralla,” shkruhet në një fragment të librit “Pas xhamit të dyfishtë” të shkrimtares islandeze Halldóra Thoroddsen.
Subjekti i “Pas xhamit të dyfishtë” ndërtohet mbi historinë e dy të moshuarve – një histori dashurie për rininë e shpirtit që nuk i bindet vyshkjes së trupit. Krejt papritur, teksa përballej dita-ditës me jetën dhe ndihej e përjashtuar, një grua e moshuar dhe e ve prej kohësh takohet me një burrë, bashkëmoshatar me të, me të cilin dashurohet.
Por çfarë mund t’i ofrojë dashuria dy jetëve në perëndim? Gjithçka. Fundja që kur dashuria ka moshë?
Romani ka fituar Çmimin Islandez për Letërsinë e Grave në vitin 2016 dhe Çmimin e Bashkimit Europian për Letërsinë në vitin 2017.
“Është një histori e vjetër, një burrë takon një grua. Vetëm kaq dimë të bëjmë? […] Sigurisht, nuk kishte dëshirë t’i kthehej rinisë. E ka kuptuar çfarë duan të gjithë, pasi kapërcehet gjysma e jetës. Është e rëndësishme të hiqesh sikur je aty, i pranishëm, qoftë edhe me përpjekje mbinjerëzore. Të qeshurat duhet ta gënjejnë vdekjen… dhe vdekja me mefshtësinë e saj mendon: prit pak, këtu nuk ka vend për mua… këtu janë të gjithë shend e verë.” – fragment./KultPlus.com