14 Mars, 2020 - 7:30 pm
Edhe pse të paktë në numër, shqiptaria pati dhe ka të atillë që me punën e vyer shkencore, po lënë rezultate të lakmueshme në fushën e historiografisë shqiptare, sidomos në lëmin e studimeve nga periudha osmane te shqiptarët, ndërsa njëri nga ta është edhe historiani, prof. dr. Skender Rizaj. Edhe përkundër moshës, ende mundohet të japë kontributin e tij në shkencë.
“Pra, kombit shqiptar, më shumë se kurdoherë, i duhet: ‘Një poet si Naim Frashëri e Gjergj Fishta, si Mehmet Akifi e jo poeti pansllavist; një shkrimtar si De Rada, Pashko Vasa, Naim Frashëri dhe Fan S. Noli, e jo shkrimtari pansllavist; një diplomat si Abdyl Frashëri e Ismail Qemali, e jo diplomati pansllavist; një gjuhëtar si Kristoforidhi, si Sami Frashëri, si Eqrem Çabej, e jo gjuhëtari pansllavist; një hoxhë si myfti Ymer Prizreni e Mulla Haxhi Zeka, e jo hoxha pansllavist; një prift si Fan S. Noli e Gjergj Fishta, e jo si prifti pansllavist; një historian si Marin Barleti, e jo historiani pansllavist; një flijimtar si Haxhi Zeka dhe Hasan Prishtina, të cilët flijuan edhe pasurinë për çështje kombëtare, e jo flijimtari pansllaviste, i cili i flijon interesat kombëtare për hir të interesave vetjake; një mbrojtës i kalave shqiptare si Hasan Riza Pasha, e jo si Esat Pashë Toptani pansllavist; një deputet i Parlamentit si Nexhip Draga, e jo deputeti pansllavist; një burrështeti si Skënderbeu, i cili qe ilir i fundit dhe shqiptar i parë, e jo burrështeti pansllavist’”. ( Giuseppe Catapano, Nermin VloraFalaschi-Skender Rizaj, Shqiptarëtpopull i ndarë,(Libri i parë), Pejë, 1996, f. 190-191).
Këto janë vetëm disa parashikime të historianit të periudhës osmane te shqiptarët, prof. dr. Skender Rizajt, të shkruara në vitet ‘90, në njërin nga librat e tij si bashkautor. Po që se vështrohen me vëmendje këta rreshta, mund të thuhet se në njëfarë forme tingëllojnë aktuale edhe sot.
Por, kur jemi te studimet osmane, veprimtari i njohur i çështjes kombëtare, Mit’hat Frashëri, qysh në dekadat e para të shekullit XX, ka ngritur shqetësimin e tij rreth mungesës së studimeve dhe kuadrit të osmanistikës te shqiptarët. Ky shqetësim i tij, edhe pse i ngritur para shumë viteve, edhe sot mund të jetë aktual, ngase përgjithësisht në trojet shqiptare numri i studiuesve që merren me dokumente osmane vazhdon të jetë i vogël, edhe pse albanologjia ka nevoja të shumta për studime të mirëfillta nga kjo periudhë historike.
Jo se kanë munguar studiuesit tanë nga kjo lëmi, por ky konstatim del nga krahasimi i përpjekjeve të gjertanishme me dorëshkrimet dhe dokumentet e shumta orientale që gjenden në qendrat e ndryshme botërore, si në: Stamboll, Ankara, Sofje, Sarajevë, Tiranë, Shkup e të tjera, e të cilat presin dorën e studiuesit. /Koha.net /KultPlus.com