23 Korrik, 2019 - 3:30 pm
Nga Jiddu Krishnamurti
Përktheu: Shpëtim Kelmendi
Ç’është dashuria? Fjala është falsifikuar dhe molepsur aq shumë, saqë nuk kam ndonjë dëshirë të madhe ta përdor. Të gjithë flasin për dashurinë – çdo revistë e çdo gazetë, çdo misionar flet papushim për dashurinë. E dua vendin tim, e dua mbretin tim, e dua librin, e dua atë mal, e dua kënaqësinë, e dua gruan, e dua Zotin. Dashuria është një ide? Nëse po, mund të kultivohet, ushqehet, ledhatohet, urdhërohet me shkop, mund ta trajtojmë si të duam. Kur thoni se e duam Zotin, çdo të thotë? Do të thotë se doni një projeksion të imazhit tuaj, një projeksion të vetes suaj nën një farë mveshjeje respektueshmërie, varësisht prej asaj që e besoni si fisnike dhe të shenjtë. Dashuria mund të jetë zgjidhja e fundme e të gjitha vështirësive, problemeve dhe mundimeve të njeriut. Pra, si do t’ia bëjmë për të zbuluar se ç’është dashuria?
Duke u mjaftuar me përkufizimin e saj? Kisha e ka përkufizuar në një mënyrë, shoqëria në një tjetër, e kësisoj ekziston një numër i madh devijimesh dhe interpretimesh të gabuara. Të adhuruarët e dikujt, të fjeturët bashkë, shkëmbimi i emocioneve, miqësia – vallë, kjo është ajo që ne mendojmë se është dashuri? Dashuria mund të ndahet në të shenjtë dhe në profane, në njerëzore dhe në hyjnore, apo ekziston vetëm dashuria? Dashuria i përket ndokujt dhe jo shumë njerëzve? Nëse them, “Të dua”, mos vallë kjo e përjashton dashurinë e tjetrit? Dashuria është personale, apo jopersonale? Morale apo imorale? Është diçka intime, apo jo? Nëse e doni njerëzimin, a mund ta doni edhe të veçantën. Dashuria është një ndjenjë? Është një emocion? Është kënaqësi? Është dëshirë? Të gjitha këto pyetje tregojnë – është apo s’është e vërtetë?- që ne kemi ide mbi dashurinë, një ide mbi atë që duhet e s’duhet të jetë; një model ose një kod të krijuar brenda kulturës në të cilën jetojmë. Kështu, për të thelluar çështjen se ç’është dashuria, pikësëpari do të na duhet të çlirohemi nga ndryshku i shekujve, t’i lëmë mënjanë të gjitha idealet dhe ideologjitë, mbi çka duhet e çka s’duhet të jetë. Të ndarët e çfarëdolloj gjëje, në atë që duhet të jetë e në atë që është, përbën mënyrën më gënjeshtare e të jetuarit. Pra, si do t’ia bëj për të zbuluar se ç’është ajo flakë që ne e quajmë dashuri – jo për t’ia shprehur ndokujt tjetër, po veç për të ditur se ç’është ajo në vetvete? Si punë të parë, më duhet të largoj mënjanë ato që, kisha, shoqëria, prindërit e mi dhe miqtë, ato që çdo person e çdo libër ka thënë mbi dashurinë, sepse dua ta zbuloj vetë se çfarë është (…) Qeveria thotë: “Shko e vrit për dashurinë ndaj vendit tënd”. “A është kjo, dashuri? Religjioni thotë: “Harroje seksin për dashurinë ndaj Zotit!”. A është kjo, dashuri? Dashuria është dëshirë? Mos thoni jo. Për pjesën tonë më të madhe është – dëshirë e kënaqësi, kënaqësi që rrjedh nga shqisat, nga tërheqja seksuale e nga kënaqësia. Nuk jam kundër seksit, por përpiquni të shikoni se si ai është ngatërruar në të. Ajo që seksi ju jep çastërisht, është braktisje e plotë e vetes suaj. Mandej riktheheni në konfuzionin tuaj, e kështu, doni ta ripërsërisni e ripërsërisni atë gjendje në të cilën nuk ka shqetësime, probleme, nuk ka unë. (…) T’i përkasësh një tjetri, të jesh psikologjikisht i ushqyer nga një tjetër, të varesh nga një tjetër – në gjithë këtë duhet të jetë prorë ankthi, frika, xhelozia, faji, e përsa të jetë frika, nuk është dashuria. Një mendje e ndrydhur nga dhimbja nuk ka për ta ditur kurrë se ç’është dashuria; sentimentalizmi dhe emotiviteti nuk kanë të bëjnë absolutisht me dashurinë. E kështu, dashuria nuk ka të bëjë fare me kënaqësinë dhe dëshirën. Dashuria nuk është një prodhim i mendimit, që është e kaluara. Në mënyrë absolute, mendimi nuk mundet kurrsesi të kultivojë dashurinë. Dashuria nuk është e kufizuar apo e kurthëzuar nga xhelozia, meqë xhelozia i përket së shkuarës. Dashuria është gjithmonë prani aktive. Nuk është “Do të dua” ose “Kam dashur”. Nëse njihni dashurinë, nuk do të ndiqni askënd, dashuria nuk bindet. Kur dashuroni, nuk ekziston as respekti, as arroganca. Nuk dini se ç’do të thotë realisht ta doni dike – ta doni pa urrejtje, pa xhelozi, pa zemërim, pa ndërhyrë në atë që tjetri bën apo mendon, pa dënuar, pa bërë krahasime – nuk dini çfarë do të thotë? Ku ka dashuri, ka krahasim? Kur dashuroni dikë me gjithë zemër, me të gjithë mendjen, me gjithë trupin, me të gjithë qenien tuaj, egziston krahasimi? Nëse e dorëzoni veten krejtësisht në këtë dashuri, atëherë nuk egziston tjetri. Ndoshta dashuria ka përgjegjësitë dhe detyrimet e veta, dhe i përdor ato? Kur bëni diçka përtej detyrimit, a ka dashuri? Në detyrimin nuk ka dashuri. Struktura e detyrimeve, në të cilat qenia njerëzore ka rënë në kurth, shkon duke e shkatërruar. Përsa kohë që jeni të detyruar të bëni diçka, thjesht sepse është detyra juaj, nuk e doni atë që bëni. Kur është dashuria, nuk është detyrimi apo përgjegjësia. (…) Nëse i jepni rëndësi, do të vëreni se e gjithë kjo ndodh brenda jush. Mund ta vëreni në mënyrë të plotë, krejtësisht, me një vështrim, pa humbur kohë me analiza. Brënda një çasti, mund të vëreni strukturën e tërë dhe natyrën e kësaj gjëje të vogël e të pavlerë, që quhet “unë”, lotët e mi, familja ime, kombi im, besimi im, religjioni im – të gjitha këto pisllëqe janë brenda jush. Kur ta kuptoni këtë me zemër, me mendje, kur ta kuptoni që nga thellësia e zemrës, atëherë do të keni çelësin që mund t’i japë fund dhimbjes. (…) Kur të pyesni se ç’është dashuria, ndoshta do të jeni tepër të trembur për të parë përgjigjen. Ajo mund të ketë domethënien e një ndryshimi rrënjësor; do mund ta thërrmojë familjen; do mund të zbulonit se nuk e doni gruan tuaj, burrin tuaj ose fëmijët tuaj – apo jo? – do mund t’ju duhet të shkatërroni shtëpinë që keni ndërtuar, me gjasë s’do mund të ktheheshit më në tempull. Por, nëse ende doni ta zbuloni, do të shihni se frika nuk është dashuri, se varësia nuk është dashuri,se ndjenja e pronësisë dhe dëshira e mbizotërimit nuk janë dashuri, se përgjegjësia dhe detyrimi nuk janë dashuri, se vetëmëshirimi nuk është dashuri, se ankthi i të mos qenit i dashur prej tjetrit nuk është dashuri. Dashuria nuk është e kundërta e urrejtjes, më shumë nga ç’është përunjësia e kundërta e vanitetit. (…) E kështu, kemi arritur në pikën: a mundet mendja të takojë dashurinë, pa e patur nevojën e disiplinës, mendimit, mundimit, pa pasur asnjë libër, mjeshtër apo udhërrëfyes – ta takojë ashtu siç takohet një perëndim i bukur? (…) Një mendje që kërkon, nuk është mendje e pasionuar, dhe ta takosh dashurinë pa e kërkuar, është e vetmja mënyrë për ta gjetur – ta takojmë pa e ditur, e jo si rezultat i një përpjekjeje apo i një përvoje. Do zbuloni se kjo dashuri nuk i përket kohës, se kjo dashuri, qoftë personale ose jopersonale, i përket si njërit ashtu edhe shumicës. Krejt si një lule kundërmuese, së cilës ju mund t’i merrni erë ose të mos e vini re fare. Ajo lule është aty për këdo, edhe për atë që nuk merr mundimin t’i marrë erë thellësisht e ta vështrojë me kënaqësi. Qoftë ai shumë afër kopshtit apo shumë larg, për lulen është e njëjta gjë; duke qenë e pasur me kundërmim, ajo ua shpërndan atë të gjithëve. Dashuria është diçka e re, e freskët, e gjallë. Ajo nuk ka dje e as sot. Gjendet përtej çdo lloj konfuzioni mendimesh. Vetëm mendja e pafajshme e di se ç’është dashuria, dhe mendja e pafajshme mund të të jetojë në botën që e pafajshme nuk është. Është e mundur ta zbulojmë këtë gjë të jashtëzakonshme, të cilën njeriu ka kërkuar përjetësisht, në vetëflijim, në adhurim, në marrëdhënie, në seks, në çfarëdolloj forme kënaqësie e dhimbjeje, vetëm kur mendimi arrin të kuptojë veten e të mbërrijë natyrisht në fund. (…) Mund t’i lexoni këto fjalë hipnotizuese dhe ngashnjyese, por të shkosh realisht përtej mendimit dhe kohës – pra të shkosh përtej dhimbjes – do të thotë se ekziston një tjetër përmasë e quajtur dashuri. Por ju nuk dini të arrini në atë burim të jashtëzakonshëm – pra si do t’ia bëni? Nëse nuk dini çfarë të bëni, mos bëni asgjë – apo jo? Absolutisht asgjë. Atëherë. Në intimitetin tuaj, ju do të gjendeni në heshtjen më të plotë. E kuptoni se ç’do të thotë? Do të thotë se nuk kërkoni, nuk doni, nuk shkoni në kërkim të diçkaje; nuk ekziston absolutisht një qendër. Atëherë ekziston dashuria. /KultPlus.com
Shkëputur nga libri: “Liri nga e njohura”