29 Qershor, 2020 - 5:29 pm
Recension nga Fran Gjoka
Sapo doli nga shtypi libri më i ri i shkrimtarit Viron Kona: “Populli nuk e pëson duke qenë i ditur”, një titull mbresëlënës, i bazuar në një shprehje të Pjetër Bogdanit, figurë e ndritur e letërsisë së vjetër shqiptare. Gjithçka e shkruar në këtë libër është një këndvështrim i autorit për jetën, artin dhe letërsinë, i paraqitur në 24 intervista, të cilat përfshijnë harkun kohor 2000 – 2020 dhe ruajnë me korrektesë origjinalin e botimit dhe kohën kur janë shkruar.
Në fjalën hyrëse shkrimtari Kona shprehet me konsiderata për intervistuesit dhe shpjegon rolin dhe raportet që ekzistojnë mes intervistuesit dhe të intervistuarit. “Një intervistë, bisedim me pyetje e përgjigje, -nënvizon ai,- është vlerë dhe kontribut edhe e atij që bënë pyetjet, edhe e atij që përgjigjet. Intervista është bashkëbisedim në të cilin kanë rëndësinë e duhur, edhe intervistuesi, edhe i intervistuari. Pyetjet dhe përgjigjet janë të lidhura ngushtësisht me njëra-tjetrën, janë si dy shina mbi të cilat vërshon “treni” i mendimit. Me këtë rast ai falenderon gazetarët dhe shkrimtarët: Muharrem Dardha, Mentor Hoxha, Artan Dragusha, Dhimitër Xhoga, Nuri Dragoj, Bujar Ferhati, Albert Zholi, Raimonda Moisiu, Sejdo Harka, Kadri Tarelli, Fran Gjoka, Bashkim Saliasi, të cilët e kanë intervistuar dhe, me pyetjet e tyre, janë bërë pjesë e rëndësishme dhe e pandashme e këtyre intervistave. Ai iu përcellë atyre mirënjohje të thellë, që i kanë dhënë mundësinë të shprehet për gjëra që kanë të bëjnë me jetën e përditëshme, me të kaluarën dhe me të ardhmen, me zhvillimet në disa fusha të jetës e, veçanërisht me fushën e letërsisë dhe të arteve. Gjithashtu ai nuk harron të falënderojë botuesit dhe redaksitë e shtëpive botuese, gazetave dhe revistave në Shqipëri dhe jashtë vendit, që i kanë publikuar këto intervista. Në hyrje të çdo interviste shkrimtari ka shkruar vargje apo strofa të shkëputura nga librat e tij me poezi, të cilat shprehin simbolikisht disa ide dhe mesazhe të rëndësishme të intervistave. Libri është i pajisur me forografi dhe ilustrime që i përgjigjen përmbajtjeve të intervistave. Me këtë rast autori shpreh falenderime për piktorët: Zef Shoshi, Sabaudin Xhaferi, Eni Jakupi dhe Ymer Metaliaj, si dhe miqtë e mi që kanë bërë fotografitë: Sokol Demaku, Kadri Tarelli, Murat Gecaj, Bardhyl Xhama, Bashkim Saliasi, Bahtir Latifi, Dhimitër Xhoga. I sinqertë deri në fund, Viron Kona shpjegon se diku ka edhe përsëritje pyetjesh dhe përgjigjesh, të cilat ai nuk ka mundur t`i shmangë, pasi ato ruajnë autorësinë e intervistuesve dhe kohën kur janë shkruar. Duke i falënderuar të gjithë shokët, ish-kolegët dhe miqtë, ai u lutet atyre që për disa çaste t`u japin krahë përfytyrimeve dhe, si të ishim duke pirë kafenë, t`i lexonin këto intervista.
Në rubrikën “Përmbajtja e librit”, autori zgjon kureshjen e lexuesit me titujt e intervistave: “Nuk e di pse më kujtohet shpesh “Gryka e Djallit”!” dhënë gazetarit Muharrem Dardha; “Në Tiranë shkruaja libra, në Athinë ngrija thasë”, dhënë gazetarit Mentor Hoxha; “Arti i vërtetë lind në truall të shëndetshëm”, dhënë gazetarit Artan Dragusha; “Fëmijët janë mrekullia më e madhe e natyrës njerëzore”, dhënë gazetarit dhe studiuesit Nuri Dragoj; “Ai që punon me fëmijët bën punën e hyjnive”, dhënë gazetarit Bujar Ferhati; “Botën e dëshiroj një “shtëpi” të ngrohtë për të gjithë”, dhënë gazetares Raimonda Moisiu; “Është më lehtë të lëvizësh një mal, sesa një mendim”, dhënë gazetarit Robert Zholi; “Jeta është e bukur, duke shkruar e botuar”, dhënë studiuesit dhe kritikut Sejdo Harka; “Populli nuk e pëson, duke qenë i ditur”, përgjigje pyetjeve të lexuesve gjatë takimeve letrare të shkrimtarit në Suedi; “Libri i mirë, ashtu si lumi, e gjen vetë rrugën e tij”, dhënë gazetarit dhe publicistit Kadri Tarelli; “Mund të përkëdhelësh veten, por jeta dhe shoqëria nuk të përkëdhelin” apo “Marigoja shqiptare në Norvegji”, dhënë gazetarit Fran Gjoka; “Shkrimtari Viron Kona rrëfen fëmijërinë e tij”, dhënë publicistit Bashkim Saliasi etj.
Në këtë vit të 70 vjetorit të tij, Viron Kona, duke qenë autor i rreth 50 librave, vëllime me tregime, novela, romane, poezi, epigrame, fabula, artikuj studimorë e kritikë, shfaq nëpërmjet intervistave mendimet dhe opinionet e tij rreth krijimtarisë artistike, shpalos ide dhe mendime origjinale për stilin e të shkruarit, gjetjen dhe gjurimimin e subjektit, zbulon çastet frymëzuese të krijimit, metodologjinë krijuese, përkushtimin, studimin dhe mjeshtërinë artistike, rëndësinë dhe vlerën e detajit në një krijim letrar, figuracionin artistik, freskinë, kolorin, portretizmin e tipave dhe të karaktereve, gjendjen psikologjike etj. Gjithçka e shkruar, pas pyetjeve të intervistuesve, vjen natyrshëm dhe më e spikatur sidomos kur shkrimtari shprehet për letërsinë për fëmijë, që e ka pasion të veçantë. Sikurse, po aq origjinal dhe i pëlqyer është ai kur rrëfimet i shpreh në vetën e parë dhe ku vet autori është në rolin e protagonistit.
Në letërsinë që shkruan, Viron Kona është i thjeshtë, ai nuk sajon, nuk improvizon, por rrëfen me sinqeritet dhe me një gjuhë të pastër, plotë thellësi e kolor mendime e mesazhe mbresëlënëse sesi e përfshin brenda vetes së tij subjektin, si e përpunon në imagjinatëne tij krijuese, si e lëmon, e “krasit” dhe e përpunon pa u lodhur deri në fund, duke pritur pastaj me emocion opinionet dhe mendimet që shprehin lexuesit për atë krijim. Shkrimtari nënvizon se subjektet i merr nga jeta dhe, më së shumti ato janë vet përvoja e jetës së tij, e cila për hir të së vërtetës është mjaft e pasur, pasi, siç shprehet edhe sociologu i njohur Gëzim Tushi: “Letërsia e Viron Konës, është e ngjizur me kurbën e kalvarit të tij jetësor. Vironi i ka provuar në jetë të gjitha punët, nga ato më të vlerësuarat në shoqëri, në të cilat ai ka spikatur si vlerë shoqërore e njohur, deri në punët që në mënyrë të pamerituar e kanë çuar në zgrip të jetës. Ai ka provuar të jetë edhe në Olimp edhe në ferr. Kurba e jetës së tij, fillon nga aulat e larta të administratës shtetërore, e deri në punëtor i thjesht krahu, madje në emigracion…”.
Është me interes në këto intervista, sidomos ku shkrimtari shpjegon se, përpara se të shkruaj një libër, ai ekspoloron, studion thellë mjedisin, gjeografinë ku do të vendos teatrin e ngjarjeve dhe rrëfenjave të tij. Kështu, ai jo vetëm bëhet i besueshëm për lexuesin, por librat e tij, veçanërisht ato për fëmijë, janë njëherazi edhe një enciklopedi, informacion real dhe kulturë specifike për atë mjedis për të cilin ai shkruan. Ndaj them se me të drejtë studiuesi dhe kritiku i letërsisë nga Prishtina Xheladin Mjeku, ndër të tjera shkruan:“…Ngjarjet që trajtohen në të gjithë librat e Viron Konës kanë frymën e jetës plot gjallëri, aromën e detit dhe dashurinë e njeriut për të ardhmen dhe ndryshimet në kohë. Një synim i këtillë i autorit e bën të kërkuar dhe të dëshiruar çdoherë e më shumë, meqë me penën e tij nuk ngurron të sjell risi në akcilin prej botimeve…”
Ullmar Qvick, albanolog suedez, poet dhe përkthyes, “Mik i Madh i Shqiptarëve”, shprehet disa herë me konsiderata për shkrimtarin Viron Kona, por unë do të shkëpusja mesazhin e tij entuziast më 02 dhjetor 2019, pasi ka lexuar në revistën “Dituria”, që botohet në Suedi tregimin “Radioja”: “Oh sa më ka pëlqyer tregimi i Viron Konës për Radion! Besoj se do ta përkthej për revistën DX-Aktuellt, për miqtë suedezë të radios….(Tregimi “Radioja”, i përkthyer në suedisht nga U. Qvick, është botuar në revistën “Dituria”, Suedi, në janar të këtij viti). Formën artistike të shkrimtarisë së Viron Konës e vlerëson edhe studiuesi i njohur shqiptar, historian i letërsisë dhe kritik letrar Prof. dr. Koço Bihiku, i cili kur ka lexuar librin “Kontrolli i befasishëm i një inspektori”, shkruan: “Libri i Viron Konës “Kontrolli i befasishëm i një inspektori”, ka rëndësi, jo vetëm për vlerën e veçantë edukative, por edhe për format artistike, për rrëfimin e natyrshëm e të thjeshtë dhe të rrjedhshëm që e shquan.” Kurse Prof.dr.Pajtim Bejtja(Studiues, autor tekstesh shkollore) i cili në artikujt e tij ka vlerësuar disa herë krijimtarinë realiste të Viron Konës, shkruan: “Kur mbarova romanin (“Drithërimat e yjeve”), i mbushur plot me emocione të këndshme nga mbresat që më kishte lënë, guxova të bëj kritikun, pa qenë i fushës së letërsisë, dhe të deklaroj: “Ky është libri më i mirë që ka shkruar Vironi deri tani! S’do ta shkruante dot, pa pasur përjetime personale!”. Dhe, papritmas, filloi të mos më vijë keq për vuajtjet e pamerituara të tij dhe të mos i gjykoj aq rreptë pronarët dhe policët grekë… E vlejnë tre muaj vuajtje, kur arrijnë të frymëzojnë për të shkruar një kryevepër…!”
Libri “Populli nuk e pëson duke qenë i ditur” është njëherazi një përvojë sa jetësore dhe realiste, aq edhe metodologjike shkrimore, që të frymëzon dhe të ngjallë dashuri e respekt më të madh për krijuesit, madje mund të themi pa e tepruar se ai shërben edhe si një “shkollëz” për krijuesit e rinj, ku ata njihen me përvojën e një shkrimtari pasionant, që e do dhe e respekton lexuesin dhe shkruan me shumë sinqeritet dhe bukuri tronditëse. Do të dëshiroja ta mbyllja këtë artikull prezantues për librin “Populli nuk e pëson duke qenë i ditur” me fjalët e studiuesit dhe kritikut të letërsisë Sejdo Harka, i cili shkruan: “Kur shfleton krijimtarinë e shkrimtarit të mirënjohur Viron Kona, prek me sytë e mendjes dhe të shpirtit realitete dhe fantazi që projektojnë ëndrrat e njerëzve të sotshëm dhe të ardhshëm. Me vizionin dhe këndvështrimin e tij shumëplanësh, zhbiron shpirtra njerëzorë, ndërton dhe rindërton karaktere të papërsëritshme, sa realë aq dhe paradoksalë, sa të zakonshëm, aq dhe të çuditshëm, zbulon dhe projekton vlera dhe zhbën antivlera. Përmes magjisë së fjalës dhe intuitës krijuese, ai shpalos ngjarje e realitete që flasin me gjuhën e kohërave, ndërton kështjella lirie e jete, ushqen shpresa për të vrarë zhgënjimet, projekton ëndrra të bukura për të mbytur frikën, vdekjen dhe skllavërinë, rrit embrione të mirësisë për të shkatërruar larvat e së keqes. Si rezultat i akumulimit të gjatë dhe të njohjes së thellë, V. Kona është bërë, jo vetëm një nga shkrimtarët më prodhimtarë të kohës, por edhe më i lexueshmi, sidomos nga fëmijët”. /KultPlus.com