29 Shkurt, 2020 - 12:30 pm
Kontaktet e shqiptarëve me letërsinë perse janë të hershme dhe datojnë nga shekulli XV, kur shqiptarët u futën nën administrim të Perandorisë Osmane.
Dihet se edhe letërsia klasike turke gjatë periudhës së Perandorisë Osmane ishte zhvilluar nën ndikimin e drejtpërdrejtë të letërsisë perse, ku klasikët e njohur persianë, si Hajami, Hafizi, Attari, Rumiu e të tjerë, merreshin për model e imitoheshin, transmeton Koha Ditore.
Në këtë mënyrë, edhe intelektualët shqiptarë të kohës që merreshin me krijimtari letrare ishin njohës të letërsisë klasike perse. Ndër ta ishte dhe Naim Frashëri, i cili intelektualisht qe formuar edhe në frymën e kulturës dhe letërsisë perse, që nga ambienti në vendlindje në Frashër, në Janinë e në Stamboll. Madje edhe shpërthimin e parë të talentit të tij poetik e bën në gjuhën perse me veprën “Tehajylet” (Ëndërrime).
Kundërpërgjigje de
Edhe pse Naimi është njëra nga figurat më të studiuara të letrave shqipe, libri “Naim Frashëri dhe letërsia perse” provon se deri më tani nuk i kemi njohur sa duhet të gjitha dimensionet letrare e kulturore të veprës së poetit tonë kombëtar.
Dhe pikërisht këtu qëndron vlera e këtij studimi të Abdulla Rexhepit, i cili veprën e Naimit e lexon dhe e interpreton nga një këndvështrim më ndryshe, që për shumë studiues dhe lexues ka qenë i panjohur dhe mbase dhe i heshtur.
Autori analizon poezinë, filozofinë, mitologjinë e teologjinë e Naimit në përqasje me letërsinë perse, duke vënë në pah raportet letrare e kulturore të Naimit me letërsinë dhe kulturën perse.
Se kishte nevojë për një qasje të tillë do të bindemi sapo të lexojmë kapitullin e librit, ku shkurtimisht përvijohet rreth disa trajtesave të studiuesve shqiptarë për veprën e Naimit.
Këtu shohim se studiuesit e para Luftës së Dytë Botërore kundrejt veprës së Naimit qenë shumë më objektiv në krahasim me ata të pas Luftës së Dytë Botërore, të periudhës së realizmit socialist.
Të parët në vlerësimet e tyre të veprës së Naimit iu përmbajtën kritereve të njohura formë, stil e përmbajtje, duke u munduar të nxjerrin në pah të gjitha dimensionet e tij intelektuale, qofshin ato me prejardhje lindore apo me prejardhje perëndimore. /Koha.net /KultPlus.com