25 Janar, 2020 - 9:58 pm
Pas leximit të librit “Rrugëtim publicistik” të autorit Driton Gashi, në të cilin janë përmbledhur opinione, reportazhe, reagime, recensione, ese e studime të tij të publikuara më herët në mediat tona, u pajtova plotësisht me një konstatim që e jep redaktori Faruk Tasholli në parathënien e librit, se Dritoni është një zë elitar në qarqet shkencore e kulturore shqiptaro-gjermane.
Lexuesi i vëmendshëm, pasi e lexon librin, vjen në përfundim se temat që i trajton Driton Gashi në këtë libër janë të shtjelluara e të analizuara mirë, gjithnjë me një qasje të një studiuesi të thellë të problemeve shoqërore e socio-kulturore.
Në librin “Rrugëtim publicistik”, autori Driton Gashi merret me tema sa interesante aq edhe të dobishme për lexuesin. Thuaja në secilën temë që ai e trajton vërehet edhe perceptimi i tij intelektual për çështjet që trajton, por edhe një lloj mbulese shkencore që autorin e bën tejet serioz në konstatimet e tij.
Bie fjala, në temën “Identiteti i shqiptarëve në diasporë dhe lobi”, Dritoni, pa kompleks për hir të së vërtetës, e thotë: “Këtu kufizohem vetëm për Kosovë, pasi që për Shqipëri nuk kam të dhëna të sakta.” Pra, autori nuk shkruan për asnjë temë a fenomen me të dëgjuar, por vetëm me të dhëna të sakta.
Thënë konkretisht, shkrimet e përmbledhura në këtë libër me tematikë të motivuar nga fenomene etike, etnike, kulturore, sociale e filozofike, nxisin komunikim të gjallë me lexuesin. Në pjesën më të madhe të shkrimeve, autori ballafaqon të mirën dhe të keqen, ndonjëherë pa nevojën të jetë anëmbajtës, e ndonjëherë nuk i mungon edhe ky rol, ngase nuk mjaftohet vetëm me ballafaqimin e të mirës dhe të keqes./KohaDitore/ KultPlus.com