20 Maj, 2021 - 9:04 pm
Në një botë që po i harron dita-ditës vlerat dhe parimet e saj, është shumë herë më e vështirë të dish se kujt t’i besosh. Njerëzit po i bëjnë veshje të përditshmërisë së tyre maskat në fytyrë. Ne mendojmë se të tjerët janë siç jemi ne, por në fund kuptojmë se sa kemi gabuar. Zhgënjehemi thellë, por edhe marrim mësime të vlefshme për të mos i përsëritur më të njëjtin gabim me njerëzit e tjerë.
Për fat të keq, të jesh njeri i mirë në ditët e sotme është diçka e rrezikshme për vetë ne. Duke dashur të jemi të lumtur, të bëjmë mirë pa lënduar asnjë person, pa tradhtuar, pa mallkuar, apo duke e vendosur veten në vendin e njerëzve, me të cilët bashkëjetojmë, ne i shkatërrojmë raportet me ta. Kjo gjë ndodh thjesht sepse shumë persona përfundojnë duke ngatërruar përkujdesjen tonë me skllavërinë, duke abuzuar me atë që ne u ofrojmë.
Në një situatë të tillë, një njeri i mirë zgjedh të ndjekë njërën nga dy rrugët e mundshme. Shumica zgjedh të ndryshojë dhe të mos u besojë verbërisht të tjerëve dhe një pjesë e vogël vazhdon të besojë se është bota në gabim. Ata vazhdojnë të bëjnë mirë, sepse mendojnë që njerëzit nuk mund të ndryshojnë personalitetin e tyre. Është bota ajo që duhet ta bëjë diçka të tillë.
Por një gjë është e sigurtë: abuzimi me mirësinë e dikujt tjetër nuk mund të vazhdojë përgjithmonë, sepse vjen një moment kur forca dhe durimi përfundojnë, edhe nëse ka dashuri apo shoqëri për personin tjetër. Njerëzit e mirë falin pafundësisht, por kur vjen një moment në të cilin kuptojnë se gjërat nuk do të ndryshojnë më, dorëzohen, largohen dhe nuk kthehen më pas. Nëse ti je një person që je sjellë keq me dikë që duhet ta doje dhe ta respektoje me po të njëjtën dashuri dhe respekt që ai të ka falur, dhe ai person është lodhur, dije se ai nuk ka për t’u kthyer më, nëse largohet. Në atë moment, e ke humbur përgjithmonë… / bota.al/ KultPlus.com