7 Shkurt, 2023 - 11:59 pm
“Ajo punë ndodhte gjithmonë natën; nuk kishte grimë dyshimi që arrestimet kryheshin natën. Zgjimi i papritur dhe i dhunshëm nga gjumi, dora e ashpër që të tundte te supi, dritat që të verbonin sytë, rrethi i fytyrave të vrenjtura përqark shtratit. Në shumicën dërrmuese të rasteve nuk bëhej gjyq, nuk kishte njoftime arrestimesh. Njerëzit zhdukeshin gjithnjë gjatë natës…”
Në vitin 1984, qytetërimi është dëmtuar nga lufta, konflikti civil dhe revolucioni. Airstrip One, një provincë e Oqeanisë, është një nga tre super-shtetet totalitare që sundojnë botën. Në këtë vend imagjinar, pushtetin e ka “Partia” nën ideologjinë e një udhëheqësi misterioz, Big Brother. Partia ekzekuton çdo person që nuk është konformist me regjimin duke përdorur Policinë e Mendimit.
Koha është e trazuar dhe bota nuk gjen më ngushëllim: Nga “Down & Out in Paris and London” në vitin 1933, në “Fermën e Kafshëve” 1945, George Orwell pat përjetuar thellësisht një disharmoni të brendshme në raport me shoqërinë. Dallohej për një fëmijëri ndryshe nga ato të zakonshmet. Që fëmijë mbetej gjithmonë i hipnotizuar prej imagjinatës futuriste të shkrimtarit të famshëm britanik, Herbert George Wells. Por edhe pse pati një jetë të shkurtër, ai arriti të përmbushë ëndrrën e tij. ‘Njëmijë e nëntëqind e tetëdhjetë e katër’, është cilësuar si romani më i famshëm anglez i shekullit të 20-të, një libër zaitgaist, fryma e kohës, i cili shpërfaqi tërësisht vizionin distopik të Orwellit. Ai ishte thellësisht i rrënjosur si në moralin politik të autorit, ashtu edhe në kohën në të cilën ai jetonte, në vitet e pasluftës së dytë botërore.
Temat si, kërcënimi prej totalitarizmit, censura dhe manipulimi i gjuhës, vazhdojnë të ndezin ende sot botën me kërcënime profetike. Njerëzimi në romanin ‘1984’, gjendet në një konflikt të vazhdueshëm, që justifikon sundimin e qeverisë, e cila ka zhvilluar shkencën për të kontrolluar dhe shtypur individin. Bota e Orwell është ajo, ku jeta private e individit nuk ekziston. Njerëzit flasin gjuhën e gazetave. Winston Smith, një ish-gazetar i punësuar nga autoritetet shteterore, për të rishkruar artikujt e vjetër të gazetave, vendos të rebelohet i pashpresë, kundër shtypjes së “Partisë” dhe diktatorit sundues, Vëllait të Madh.
Revolta e Winstonit nxitet akoma dhe më shumë prej mikeshës së tij, Xhulia, një tjetër disidente, që përdor seksualitetin e saj të shfrenuar për të sfiduar represionin e “Partisë”. Kur marrëdhënia e shkurtër e Winstonit dhe Xhulias zbulohet nga Policia Sekrete, ata i nënshtrohen torturave të pamëshirshme të O’Brajanit në ‘Dhomën 101’. “Nëse doni një foto të së ardhmes”, thotë kjo figurë djallëzore, “përfytyroni një çizme ngjeshur në fytyrën e dikujt,… përjetësisht”. Ky epigraf i profecisë së veprës risjell fare shqip, kumtin mbi imazhin e së shkuarës dhe përfytyrimin e të ardhmes po të njëllojtë. Fabula e ‘1984’ është një gjë; idetë e saj janë krejt diçka tjetër.
Libri doli në botim 73 vjet me pare, vetëm pak muaj para se autori të mundej nga tuberkulozi. Në vitin 1989 libri ishte përkthyer në mbi 65 gjuhë të ndryshme duke shenjuar kështu numrin më të madh për ndonjë novel. Ndërkohë në Shqipëri vepra mbërriti vetëm pas rënies së komunizmit, në vitin 1991. Mbrojtës i lirisë së individit, Orwell luftoi kundër çdo forme shtypjeje. Sipas fjalëve të një kritiku britanik, Xhorxh Orwell, vlerësuar si “koshienca dimërore e brezit të tij”, u kthye në një lloj shenjtori laik, mishërimi i prozatorit tronditës, të frikshëm e të thellë në të gjithë raportin që ka individi me shtetin dhe në mënyrën sesi sillen regjimet autoritare ndaj individit.
Orwell në romanin “1984”, ka bërë parashikime brilante për atë që do të ndodhte, sidomos në vendet komuniste, duke u kthyer në një ogur paralajmërues edhe për dekada të tjera më pas. Kjo është dhe arsyeja që romani njeh një ribotim të kohëpaskohshëm./ KultPlus.com