11 Maj, 2019 - 11:00 am
Shkruan: Arian Musa
Vetëflijimi, shtyllën kryesore e ka “dashurinë” si dashuri e pastër platonike – aty ku përfundon çdo interes personal. Dashuria platonike dhe altruizmi lidhen shumë ngushtë me njëra tjetrën, me një fjalë, sapo e ke rrënuar njërën me të rrënohet edhe tjetra! Ndoshta një vëzhgim më i përafërt i dashurisë, duke e zhveshur nga gjithë ato stoli zbukuruese që bëhen nga dëshira për tu mashtruar, do ta cyt natyrën e brendshme të kësaj ndjenje?
Me shumë gjasë kjo do të ndodh, nëse do të pranojmë thellësinë e vëzhgimit të rrënjëve të dashurisë së pari nga Arthur Schopenhauer, e që në këtë vij, e vazhdon më vonë filozofi pasionant Friedrich Nietzsche, duke e quar trajtimin e saj edhe më tutje.
Schopenhauer na thotë se dashuria nuk është platonike, e madje nuk është edhe personale, ngase aty nuk realizohemi ne si individ, por është vullneti i species që bartë tek ne tërheqjen ndaj seksit të kundërt si mundësi riprodhimi. Ajo bindja jonë që na vije kinse e kemi gjetur personin e duhur është veçse një “kalkulim” i vet vullnetit të species që kërkon vazhdimin në mënyrën më të mirë të mundshme të species. Ndërsa duke shkuar tutje me Nietzschen, dashuria kuptohet vetëm si një dëshirim i rritjes së forcës sonë të egos apo siç e emëron ai – vullneti për fuqi; pra gjithçka manifestohet tek egoizmi jonë. Me Nietzschen do të përmbyset i gjithë iluzioni i dashurisë platonike; se kinse dashuria na qenka një vendtakim përtej egoizmit.
Tek vepra “Shkenca e gëzuar dhe idilet e Mesinës” Nietzsche kur flet për dashurinë, na thotë se, edhe pse epshi dhe dashuria, kur thuhen, secila fjalë na bëjnë të ndihemi ndryshe, ato megjithatë vijnë nga i njëjti instinkt. Dashuria për të është dinamika e dëshirës së rritjes së forcës se vullnetit e shoqëruar me dëshirën për “pronësim”. Dëshira për dinamizëm na nxit drejt vetive të reja dhe manifestohet si dëshirë për pronësi qoftë në rrafshin e njohjes apo raportin me njerëzit apo gjërat. Kjo është edhe arsyeja se pse jemi gjithmonë të tërhequr nga ndryshimi dhe e reja. Nietzsche vëren këtu me plot të drejtë, ngase “mos ndryshimi” është armiku jonë më i madh duke kthyer gjithçka në monotoni dhe mërzi. Ai thotë se edhe peizazhin më të bukur pasi ta kemi jetuar me kënaqësi për disa muaj nuk do ta dashurojmë më, ajo që do të kërkojmë do të jetë një vend tjetër.
Pra, ajo që e bënë të na humbë dashurinë për këto vende të jetuara është “siguria” e pronësimit që nuk na fikson më në humbjen e saj. Në këtë raport të sigurt, me të drejtë, kuptohet se humb dinamika e pasioneve duke u kthyer në një raport të heshtur që nuk ka më çka për tu dëshiruar. Prandaj, pasi të jenë bërë për ne “të heshtura” gjërat, do fillojmë ti konsiderojmë si të vjetra duke mos iu kushtuar më interes të veçantë.
Ndodh shpesh që ajo që ndjejmë për vendet e jetuara më parë në të kaluarën është njëfarë nostalgjie. Më ka rastisur personalisht që pasi kam krijuar një shkëputje nga e kaluara, me dëshirën për diçka të re, pas një kohe të caktuar kam ndjerë mall dhe nostalgji për atë vend dhe e gjitha kjo më ka ardhur, kur e kam ndjerë zbehjen e posedimit të atij vendi që më është kthyer edhe në gjysmë harresë.
Ndoshta në këtë pikë mund të ketë edhe dromca të nihilizmit të Schopenhauerit, e që, e përkthyer në këndvështrimin nitzschean si dëshirë e zbritjes së egos. Më vonë nga Frojdi kjo dëshirë e zbritjes së egos shihet si instinkti i vdekjes e për Nietzschen as më shumë as më pak sesa kalbëzim i vullnetit. Pra sipas këndvështrimit nitzschean mund të themi se gjithçka lidhet me rritjen apo zvogëlimin e egoizmit, edhe pse mund të duket kaq e pa denjë kjo gjë, nga mënyra e se si jemi mësuar ti shohim gjërat.
Është e dukshme fare se gjithçka që nuk e ndez këtë dinamik të pasioneve do të kthehet në monotoni dekadente që shkakton atrofizim të kënaqësisë së dëshirimit. Prandaj vetëm dinamizmi i pasioneve hap gjithmonë shtigje të reja, në dëshirën e vazhdueshme të tensioneve të cilat kërkojnë për tu kaluar. Vetëm nga kjo ngjallet dëshirimi për çdo gjë që sjellë jeta, qoftë edhe aty tek dashuria mes dy sekseve, ku edhe aty, është dëshira e madhe për pronësi të shpirtit dhe trupit.
Njeriu kur dashuron ka synim sundimin e plotë të tjetrit ngase nuk dëshiron me askënd të ndaj “pronën”. Madje do të zemërohej secili nëse do të kuptonte se nuk i ka pronësuar të gjithë shpirtin, por i ka mbetur ca hapësirë për dikë tjetër. Dhe ndonjëherë pas arritjes së qëllimit të zaptimit të shpirtit, do përjashtohet e gjithë bota që konsiderohet e ftoftë në krahasim me ngrohtësinë dhe lumturinë që do ta ndjejë vetëm tek prona që posedon si një të mirë të paçmuar. Pronë, e cila me ngrohtësinë e saj mund ta qojë edhe në flijim për hir të këtij posedimi. Sa për tu habitur është se si është parë dashuria deri më sot – si përjashtim i egoizmit apo thënë më bukur nga vetë Nietzsches:
“Në të vërtetë ne do të ngelemi të habitur që ky epsh i egër zotërimi dhe kjo padrejtësi për dashurinë seksuale të jetë lartësuar dhe hyjnizuar aq shumë, siç ka ndodhur në të gjitha kohërat, dhe se madje nga kjo dashuri ka dalë koncepti i dashurisë si kundërvënie e egoizmit, ndërsa, ndoshta, është pikërisht shprehja më e paskrupullt e vetë egoizmit.”
Këta lakmitarë të zotërimit gjithmonë kanë qenë këtu, siç thotë Nietzsche, të shtyrë nga ky “demon i dalldisur” (një demon i shpikur athinas), por që, në t’vërtet gjithmonë ka qen Erosi në të gjitha rastet. Edhe pse, jo gjithmonë është vërejtur ngase disa nga këta kanë ditur mirë ti zbukurojnë lakmitë e tyre egoiste me glorifikime hyjnore.
Personi që krijon, ai, rrit gjithmonë egon e tij dhe vetëm kështu ai do të jetë i dëshiruar gjithnjë, sepse pronësomi i atij shpirti do të jetë i sfidueshëm duke zhvilluar gjithmonë dinamikë. Ky dinamizëm jep luftë të përhershme për pronësi të reja që qon në rritje të fuqisë që aq shumë është prezente. Dhe atëherë kur luhet në kufijtë më të lartë të dëshirimit lakmitar mes dy njerëzve fillon diçka edhe më e madhe. Se çka është kjo “diçka më e madhe”, na e thotë me një gjuhë poetike vet Nietzsche:
“Po, ka aty-këtu mbi tokë, një lloj persekutimi të dashurisë ku ajo dëshirë e zjarrtë lakmitare që kanë dy njerëz për njëri-tjetrin i hap rrugën një dëshire dhe një epshi të ri, një etjeje të përbashkët më të madhe për një ideal që ngrihet mbi ta: por kush e njeh këtë dashuri, kush e ka jetuar thellë? Emri i saj i vërtetë është armiqësi.”