10 Nëntor, 2023 - 3:03 pm
Vjollca Duraku
I 40-ti me radhë në gjuhët botërore, libri ‘Njeriu më i lumtur në botë’, i autorit Eddie Jaku, që përkthimi në shqip i këtij libri erdhi nga Elvi Sidheri, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery erdhi në përkujtim të Kristallnacht, shkruan KultPlus.
Përkthimi i një libri të tillë në gjuhën shqipe, i cili trajton historinë e një të mbijetuari hebre, në kampet naziste në Gjermani, nga panelistët e mbrëmjes u cilësua si mëse i nevojshëm për faktin se përjetime të ngjashme ka përjetuar edhe populli i Kosovës, për të dhënë mesazh se përjetimet nga mizori të tilla duhet të shkruhen dhe dokumentohen, për të edukuar brezat e mëvonshëm mbi historinë e popullit, siç ndodhi me Eddie Jaku-n, i cili e përjetoi botimin e librit të tij në moshën 100 vjeçare.
Para një publiku të madh, i cili kishte zënë gjithë hapësirën e galerisë së mediumit KultPlus, pjesë e të cilit qenë edhe të përfaqësues të Ambasadës Amerikane, Izraelite, Kroate, Gjermane dhe përfaqësisë Rumune në Prishtinë, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Jashtme të Kosovës, e para foli drejtoresha e këtij mediumi, Ardianë Pajaziti. Ajo tha se ky libër vjen si thirrje që formate të tilla të librit të vijnë edhe nga historitë e gjirit të popullit, të cilat janë përjetuar në luftën e vitit 1999.
“Përkthimi i librit në shqip, ka ardhur në një moment pak të ndjeshëm me atë që po kalon pjesa tjetër e botës. Ky libër është ndoshta thirrje për popullin tonë që të shfrytëzojë luftën e Kosovës dhe t’i nxjerrin rrëfimet në vetën e parë, për faktin se ne si shqiptarë kemi në mënyrë kronologjike, rrëfime për të kaluarën tonë. Rrëfimet tona dhe vuajtjet tona që i kemi pasur në raport me serbët po mungojnë. Fatmirësisht në luftën e fundit në Kosovë kemi disa libra që paraqesin përjetimet e grave të dhunuara por unë jam shumë e sigurt, ashtu sikurse edhe ju, që kemi rrëfime e rrëfime që mund t’i ndajmë në këtë format sikurse e ka sjellë Elvi në gjuhën shqipe”, ka thënë drejtoresha Pajaziti.
Kurse vet përkthyesi i librit Elvi Sidheri, tha që ndihej shumë i lumtur që një promovim të tillë po e bënte në Prishtinë, i cili sipas tij erdhi me shumë peripeci në 85 vjetorin e ditës kur fillon përndjekja masive ndaj hebrenjve prej nazistëve.
“Ishte shumë e vështirë që ta merrnim të drejtën për ta botuar në shqip dhe këmbëngula shumë që ky libër të botohej, sepse nëse nuk gabohem është i pari libër me këtë natyrë që është botuar në Prishtinë, ndonëse ka libra të tjerë të tillë, por që janë botuar në Tiranë. Besoj që bëra mirë që këmbëngula dhe jam vërtetë shumë i kënaqur dhe shumë i lumtur që ia dolëm mbanë ta sjellim këtu në Prishtinë”, tha Sidheri duke falënderuar drejtoreshën Ardianë Pajaziti për bashkëpunimet e frytshme në katër vitet e fundit.
Libri “Njeriu më i lumtur në botë” është shkruar nga një i mbijetuar i kampeve naziste, Eddie Jaku, i cili sfidat e tij para botës i solli në moshën 100 vjeçare, një vit para vdekjes.
“Edi Jaku ishte një hebre me origjinë polake nga Lajpcigu i Gjermanisë, i cili Holokaustin e ka përjetuar në lëkurën e tij. Familja Eddie Jakun kishte arritur ta regjistronte si gjerman, me një identitet fals, në shkollën më të mirë mekanike në Gjermani, me arsyen se atë nuk do ta prekte Holokausti, ngaqë prindërit i kishin shkëputur kontaktet me të sapo vjen Hitleri në pushtet. ‘Gabimi’ i tij është që nga malli për familjen ai vendos që tinëzisht, pa iu thënë gjë prindërve të shkoj në Nuremberg pikërisht kur filluan përndjekjet masive ndaj hebrenjve. Familjen e tij e kishin arrestuar nazistët, dhe kur shkon para shtëpisë së tij kapet nga regjimi dhe aty fillon kalvari i tij, i cili kalon nëpër kampe përqendrimi, i cili arratiset dhe shpëton disa herë”, tregoi Sidheri duke thënë që vetëm në vitet e 80-ta Jaku filloi të flas për këto përvoja me fëmijët e vet me të cilët jetonte në Australi.
Pas këtyre informacioneve mbi përkthimin dhe përmbajtjen e librit, fjalën e mori ish-Ambasadori i Kosovës në ShBA, Avni Spahiu i cili tha që përkthimi i një libri të tillë në vendin tonë është shumë i rëndësishëm, sepse një histori të ngjashme, ndonëse jo në përmasat hebraike e kishte përjetuar edhe populli i Kosovës.
“Mendoj që është e rëndësishme që të jetë ky libër për lexuesin kosovar sepse i tërë populli ka kaluar nëpër një kalvar të tillë, tash nuk dua të krahasoj sepse është e pakrahasueshme ajo që ka pësuar populli hebre, por shija e asaj që ka ndodhur në Kosovë është e njëjtë, e ngjashme duke përfshirë urrejtjen, vrasjet, shfarosjen. Dhe ky libër sjell pikërisht edhe atë që ne e kemi përjetuar në përmasat tona”, tha Spahiu.
Ish Ambasadori, më tej e theksoi edhe të veçantën e këtij libri që për dallim nga shumë libra të tillë, ku fundi është shumë tragjik dhe gjithmonë lexuesi dëshpërohet nga vuajtjet njerëzore që sheh aty, ky libër është njëfarëlloj triumfi mbi të keqen, duke iu referuar titullit ‘Njeriu më i lumtur në botë’ sepse Eddie Jaku i tejkalon sfidat që kishin ndodhur me familjen dhe kombin e tij, duke e gjetur lumturinë përsëri tek familja e tij, në rrethana krejtësisht të tjera.
“Është një libër edhe i shkruar bukur, ka një stil të veçantë, i shkruar në një moshë mjaft të shtyer, i cili edhe është shndërruar në best seller, ky është edhe një mësim se si duhet shkruar”, përfundoi ish-Ambasadori Spahiu.
Ndërsa profesori universitar Blerim Latifi tha që ndihej i lumtur që në literaturën shqipe, tanimë gjendej një libër që e tregon historinë e hebrenjve, ngaqë deri tani Holokausti nuk ka pasur vëmendje të theksuar në vendin tonë.
“Është një lajm i gëzuar që e kemi në gjuhën shqipe këtë libër, dhe për faktin se edhe në kulturën tonë ka një mungesë tepër të madhe të kësaj literature, sepse gjatë kohës së Komunizmit edhe në Kosovë edhe në Shqipëri regjimet për arsye të ndryshme ideologjike e politike e kështu me radhë nuk i ka dhënë hapësirën e nevojshme kësaj literature dhe përhapjes së vetëdijes, njohurive dhe edukimit mbi Holokaustin”, tha Latifi.
Ai më tej shtoi se me përkthimin e këtij libri mbase gradualisht në të ardhmen do të arrihet të krijohet një masë lexuesish, dhe do të ketë edukim më të ngritur rreth kësaj ngjarje.
“Nuk ekziston një shkallë e kënaqshme e njohurive dhe edukimit, sidomos e brezit të ri mbi ngjarjet që lidhen me Holokaustin dhe këtë unë e vërtetoj me studentët, kur i pyes rreth këtyre ngjarjeve, rreth holokaustit dhe kampeve, e shoh se njohuritë e tyre janë minimale, pothuajse inekzistente, kështu që sado që është kjo gjendje, ky libër është një lajm i mirë që megjithatë e kemi në gjuhën shqipe dhe me libra të tjerë që ekzistojnë në tregun e librit”, tha profesori i cili në nderim të sakrificës së popullit hebre ftoi të pranishmit për një minutë heshtje.
Krejt në fund të ngjarjes, drejtoresha Ardianë Pajaziti i ftoi të gjithë të pranishmit për bashkëbisedim, duke ua kumtuar edhe informacionin se të gjithë mund ta merrnin nga një libër, të cilët ishin dhuruar nga një person i cili deshi të mbetej anonim. / KultPlus.com