28 Nëntor, 2019 - 6:45 pm
Fan S. Noli lindi më 6 janar 1882 me emrin Theofanes Stylianos Mavromatis në fshatin shqipfolës İbriktepe, në Trakinë Lindore, jo shumë larg nga Edreneja.
Si disa fshatra të tjerë të asaj krahine të banuar me shqiptarë, Qyteza kishte ruajtur me kohë gjuhën, doket dhe traditat e të parëve.
I ati, Stilian Gjergj Noli, ishte psallt në kishën ortodokse të fshatit; e ëma, Marie Gollaqi, ishte shtëpiake. Theofani ishte i dyti ndër trembëdhjetë fëmijë, shtatë prej të cilëve vdiqën në foshnjëri. Familja rronte me tokat që kishte si pronë. Sa qe i mitur, Noli hoqi sëmundje të rënda, prandaj shkollën e nisi me vonesë. Në fshatin e lindjes kreu shkollimin fillor greqisht, më tej prindët e dërguan në gjimnaz grek ku qëndroi katër vjet.
Kontributi më i gjerë i Nolit qe në fakt ai i stilistit, siç shihet ndë përkthimet e tij. Bashkë me Faik Konicën mund të vlerësohet si ndër stilistët më të mëdhenj të dialektit Toskë. Afria që kishte me gjuhët e huaja e aftësoi ta bënte shqipen në një gjuhë të stërholluar dhe elegante, ndonëse pak folklorike.
Noli përktheu mjaft autor amerikanë dhe europianë të shek. XIX, duke vënë në punë veshin muzikor, mundi të pasqyronte stilin dhe ngjyrat e ritmit të origjinalit.
Më poshtë njëra nga thëniet e tij të famshme:
“Njeriu mund të ketë cilëndo fe që ka gjetur prej stërgjyshërve dhe që i pëlqen, por s’mund të zgjedhë një tjetër kombësi dhe të luftojë të tinë, pa vënë në ballë një vulë të madhe prej “tradhëtari”. /KultPlus.com