Njëvjetori i ikjes në amshim të gjeniut letrarë Millan Kundera – Lehtësia e padurueshme e postmodernizmit (Pjesa e parë)

9 Korrik, 2024 - 8:35 pm

Bernard Çobaj

Kunder-era dhe Era­

Vitin e kaluar, kah fundi i qershorit, shikova filmin dokumentar Milan Kundera: From the Joke to Insignificance, prodhim i HBO mbi jetën misterioze dhe veprën e autorit të madh botëror. Gjatë shikimit të dokumentarit vajza ime Era lëvizte vërdallë nëpër dhomë dhe me kureshtje fëmijërore pyeste për personin me kapelë. U mundova t’ia sqaroja, aq sa mundet një i rritur t’ia shuaj kureshtjen një vajze 8 vjeçare.

Më 11 korrik të vitit të kaluar, në ditëlindjen e Erës, Kundera kaloi në amshim. Kur e pyeta Erën, se a din kush ka vdekur sot, menjëherë u përgjigj, ai me kapelë, Millani!

Përgjigjja e Erës ishte një shenjë se duhet të shkruaj diç për Kunderën. Siç thotë kryeprotagonisti, Tomashi, në vepër, duke aluduar te vepra e Bethovenit, “Es muss sein!” (Duhet të bëhet).

Po ashtu gjatë verës së vitit të kaluar, vizitova një mikun tim në Frankfurt  – në dhomën e fjetjes, mbi shtratë, ishte kopja e veprës së Kunderës në gjuhën angleze “The Unbearable Lightness of Being”, sinjali i radhës i es muss sein-it tim. Fillova ta lexoja ato ditë në Frankfurt dhe Darmstadt, sa prisja që djali Dini të përmbyllte trajnimin në kampin verorë të klubit të futbollit Darmstadt.

Një nga ditët i vizitoi Klaus Gjasula, futbollist po në atë klub dhe ia firmosi kapelën djalit tim. Po, do të jetë Klausi, këtë verë, që do na sjellë kënaqësin e padurueshme të shënimit të golit.       

Kryevepra e Kunderës “Lehtësia e padurueshme e qenies” është një ndër librat e rralla që e kam lexuar në tri gjuhë të ndryshme dhe çdoherë kam pasur kënaqësinë sikur ta lexoja për të parën herë. Libri është botuar në vitin 1984, romani i gjashtë i Kunderës – ndërsa citimet në shkrim janë nga përkthimi i Severina Pashos.

Lehtësia e padurueshme e qenies

Në 100 vjetorin e lindjes së Kafkës dhe botimit të “Bregut Magjik” të Tomas Manit, shënohet njëvjetori i vdekjes së shkrimtarit Milan Kundera. Me Kafkën i lidh Praga, po ashtu Kafka citohet në vepër.

Të jetosh me të vërtetën – kjo është një shprehje që Kafka e ka përdorur në një ditar apo një letër.”

Kurse, një nga protagonistët e romanit, Teresa, lexon Tomas Manin, dhe këtu krijohet ndërlidhja tekstuale mes veprave – element tipik postmodern letrar. Po ashtu, Tereza, çdo kund me vete mban Ana Kareninën e Tolstojit (ajo ta çon mallin te Lexuesja nga kryevepra e Italo Kalvinos “Nëse një natë dimri një udhëtar”) duke krijuar një lloj loje intertekstuale në aspektin e dy çifteve që shfaqen në këto vepra, por krejtësisht të ndryshëm. Padyshim, libri i Tolstojit shënjon një rrafsh më të thellë semantik: për të nënvizuar dallimin e artit të madh me gjeopolitikën. Në momentin kur Rusia e invadon Çekinë, Tolstoji është rikujtim për vëllazërinë e fshehtë të shkrimtarëve/librave.  

Qysh nga fëmijëria, ajo shihte te libri shenjën e një vëllazërie të fshehtë”.

“Brenda saj ulërinte idealizmi naiv  i dashurisë që donte të fshinte të gjitha kontradiktat, të fshinte dualitetin e trupit dhe shpirtit dhe ndoshta të fshinte edhe kohën”.   

Libri për Terezën është bileta për tu futur në universin e të dashurit të saj Tomasit – libri është rruga e dashurisë, dashuria është libërleximi.

Të nesërmen e la valixhen te bagazhet e stacionit hekurudhor dhe u sorollat gjithë ditën rrugëve të Pragës me Ana Kareninën nën sqetull. Në mbrëmje, i ra ziles, ai hapi derën: ajo nuk e lëshonte librin. Si të ishte bileta për të hyrë në botën e Tomasit.

Jeta jonë e përditshme bombardohet me rastësi, ose më saktë me takime të rastësishme midis njerëzve dhe ngjarjeve, me ato që i quajmë rastësi: Tomasi shfaqet në restorant në çastin kur radioja jep muzikën e  Betovenit. Në shumicën e tyre të pafundme këto rastësi kalojnë pa u vënë re fare. Por dashuria që po lindte, e mprehu tek ajo ndjenjën e së bukurës dhe ajo nuk do ta harrojë kurrë këtë muzikë. Sa herë do ta dëgjojë, do të mallëngjehet. Gjithçka që do të ndodhë rreth saj këtij çasti, do të rrethohet me breroren e shkëlqimit të kësaj muzike dhe do të jetë e bukur.”

Raporti me Ana Kareninën është në rrafshin e përshkrimit të jetëve të dy çifteve (tek Kundera po ashtu të trekëndëshit të dashnorëve), ku raportet e tyre në të dy romanet zhvillohen paralelisht,  por te Kundera  pa antagonizmin e fateve të lumtura/të palumtura, por në një udhëtim rrethor ku të gjithë mundohen të gjejnë kuptimësinë e jetës duke e testuar kontekstin e lehtësisë dhe të rëndesës

Në fillim të romanit që Tereza mbante nën sqetull ditën kur erdhi te Tomasi, Ana takon Vronskin në rrethana të çuditshme. Ata janë në platformën e stacionit, kur treni sapo shtyp një njeri. Në fund të romanit, është Ana që hidhet nën rrotat e trenit. Ky kompozim simetrik, ku i njëjti motiv del në fillim dhe në fund, mund të duket ‘shumë romanesk’. Po,e pranoj, por vetëm me kusht që romanesk nuk do të thotë për ju një gjë ‘e shpikur’, ‘e sajuar’, pa ngjashmëri me jetën. Pasi kështu janë ndërtuar vërtet jetët njerëzore.

Ato janë ndërtuar si një partiturë muzikore. Njeriu i udhëhequr nga ndjenja e bukurisë, e shndërron ngjarjen e rastësishme (një muzikë e Bethovenit, një vdekje në stacionin e trenit) në një motiv që do të shkruhet më pas në partiturën e jetës së tij. Ai do t i kthehet, do ta përsërisë, do ta ndryshojë, do ta zhvillojë ashtu si bën kompozitori me temën e sonatës së tij. Ana mund t’i kishte dhënë fund jetës së saj në mënyrë krejt tjetër. Por motivi i stacionit të trenit dhe i vdekjes, ky motiv i paharrueshëm, i lidhur me lindjen e dashurisë, e tërhiqte në çastin e dëshpërimit me bukurinë e tij të kobshme. Njeriu, pa e ditur, e ndërton jetën sipas ligjeve të së bukurës edhe në çastet e dëshpërimit më të thellë.

Pra, nuk mund ta qortojmë romanin se është magjepsur nga takimet e mistershme të rastësive (si për shembull takimi mes Vronskit, Anës, stacionit dhe vdekjes, ose takimi mes Bethovenit, Tomasit, Terezës dhe gotës së konjakut), por me të drejtë mund ta qortojmë njeriun se është i verbër ndaj këtyre rastësive dhe se i heq kështu jetës dimensionin e saj të bukurisë”. Vazhdon…

/ KultPlus.com

Të ngjajshme