21 Tetor, 2019 - 6:05 pm
Festivali i letërsisë POLIP në Prishtinë e ka ftuar në edicionin e vitit tjetër, shkrimtarin Peter Handke – i cili e fitoi Nobelin për Letërsi këtë vit dhe po kritikohet për pikëpamjet e tij pro-Millosheviçit.
Me këtë letër, POLIP e ka ftuar shkrimtarin vitin tjetër në Kosovë.
*
Me lumturi të madhe pranuam lajmin e ndarjes së çmimit Nobel për letërsi për Peter Handke. Kjo botë është e mbushur me gjëra të shëmtuara dhe gazetarë dashakeq të rajoneve tona kanë sjellur vetëm fotografi të shëmtuara të shtëpive të shkatërruara, grumbujve me trupa të kalbur të njerëzve të vdekur. Ndryshe prej tyre, Handke ka hapur sytë kah e bukura dhe e ka derdhur atë në tekstet e tij poetike.
Aty ku të tjerët shohin këpucë fëmijësh në tokë, ai sheh një lule që rritet; ku të tjerët dëgjojnë klithmat e grave të dhunuara, ai sheh një zonjë të moshuar me duar të ngrohta duke buzëqeshur; ku të tjerët shohin kufoma që pluskojnë në lumë, ai sheh petale lulesh mbi sipërfaqen vezulluese të ujit; ku të tjerët shohin mjeranë të paushqyer në kampe ai sheh fole të brumit të artë, të gatshëm për t’u hedhur në supë. Brutaliteti i vetëm që ai sheh në rajonet tona është ai i ushtruar kundër kumbullave: këto fruta të mrekullueshme, të lëngshme ngjyrë vjollce si në të kaltër në këto anë digjen në mënyrë barbare dhe shndërrohen në shlivovicë, të cilën ai natyrisht e pi, por jo me aq kënaqësi sa do ta shihte një kumbull në degë.
Jemi mirënjohës ndaj këtij autori të madh që i dhuroi Hoçës së Madhe një pishinë me paratë që kishte fituar nga çmimi Ibsen dhe rrjedhimisht jemi të bindur që paratë nga çmimi Nobel do të jenë të mjaftueshme për të paktën dhjetë pishina të tjera – le të notojnë njerëzit! – por jemi sidomos falenderues ndaj tij që solli bukuri dhe dashuri në një vend ku të tjerët sollën vetëm krime. Ftojmë Peter Handke të jetë mysafiri ynë në edicionin e vitit 2020 të POLIP-it dhe gjithashtu nuk do të kundërshtonim nëse ai e shoqëron vizitën e tij me një pishinë të vogël për Qendrën Multimedia.
Alida Bremer (Kroaci-Gjermani),
Sasha Iliq (Serbi),
Jeton Neziraj (Kosovë)
Drejtorë artistikë të polip – Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë