3 Tetor, 2021 - 1:28 pm
Nga Fernando Pessoa
Papritmas sot kam brenda një ndjesi absurde dhe të drejtë. Kuptova, me një ndriçim të fshehtë, se jam askushi. Askush, absolutisht kurrkush. Në shkreptimat e llampës ai që pandehja ish një qyetet na qenkesh një djerrinë e shkretë; dhe drita sinistre që më zbuloi vetveten nuk më zbuloi asnjë qiell mbi të. Më kanë vjedhur të egzistuarët para se të egzistonte bota. Nëse kam qenë i detyruar të rimishërohem, jam rimishëruar pa veten me vete, pa u rimishëruar. Unë jam rrethina e një qyteti inegzistent, parathënia e stërzgjatur e një libri të pashkruar. Jam askush, askush. Nuk di me ndie, nuk di me mendue, nuk di me dashtë. Jam një figurë e një romani ende për m’ u shkrue, që kalon ajrore dhe e fletëzuar pa pasë patur një realitet, mes ëndrrave të dikujt që s’ ka ditur me më plotësue.
Mendoj vazhdimisht, ndjej vazhdimisht; por mendimi im është i pa gjykim, emocioni im i pa emocion! Nga një e çarë atje lart, po bie hapësirës së pafund, në një rënie pa drejtim, të pambarimtë dhe boshe. Shpirti im është një maëlstrom i zi, një marramendje e zgjeruar përreth boshllëkut, lëvizje e një oqeani pa kufij përreth një vrime në hiç, dhe në ujrat, që më shumë se ujra janë turbina, vozisin imazhet e asaj çka kam pa e ndie në botë: vorbullisen shtëpi, fytyra, libra, arka, jehona muzikash dhe copa zërash në një turbinë sinistre e pa fund.
Dhe unë, tamam unë, jam qendra që egsiston vetëm prej një gjeometrie të abisit; jam hiçi përreth të cilit kjo lëvizje rrotullohet, si e qëllimshme në vetvete, me atë qendër që egziston vetëm se çdo rreth duhet të ketë një qendër. Unë, bash unë, jam pusi pa parete por me rezistencën e pareteve, qendra e gjithshkahes me hiçin përreth.
Dhe brenda meje duket se ferri qesh, pa të paktën njerëzishmërinë e djajve që qeshin, marrëzinë e shpupëluar të universit të vdekur, kufomën rrotulluese të hapësirës fizike, fundi i të gjithë botëve që pluskon errësisht në erë, patrajtë, jashta kohe, pa një Zot që ta ketë krijuar, pa as edhe vetveten që po sillet nëpër hijet e hijeve, e pamundur, unike, gjithshkahe.
Me dijtë me mendue! Me dijtë me ndie!
Nëna më ka vdekur shumë herët, dhe unë s’ e kam njohur… / KultPlus.com