Nuk dihet sa arsimtarë punuan gjatë viteve të 90-ta në Kosovë

18 Dhjetor, 2017 - 8:47 pm

Ahmet Pllana, i cili për 35 vjet punon si mësimdhënës, mezi pret që të miratohet Projektligji për Statutin e Mësimdhënësve për vitet e 90-a.

Ky Projektligj, që ende nuk ka shkuar në Komisionin për arsim, parasheh që t’i shpërblejë mësimdhënësit që kanë punuar në atë periudhë, raporton KTV.

Pllana thotë se atë kohë kanë punuar pa kurrfarë interesi, por është mirë që mësimdhënësit të shpërblehen.

Në periudhën e viteve të 90-a, qytetarët e Kosovës jepnin vazhdimisht kontributin e njohur atëherë si “Fondi i 3-përqindëshit”, por Pllana thotë se mësimdhënësit nuk i kanë marrë as nga 10 marka gjermane në muaj.

Ka kohë që është kërkuar miratimi i këtij Projektligji, i cili edhe në mandatin e kaluar qeverisës ka qenë gati, por nuk është proceduar tutje.

E, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, thotë ta ketë marrë pëlqimin e të gjitha partive në vend, se do ta mbështesin këtë Projektligj.

Jasharaj ka thënë se në Projektligjin për njohjen e statusit të mësimdhënësve të viteve të 90-a, nuk do të anashkalohet kontributi i mësimdhënësve, të cilët kanë vdekur dhe atë pagë do ta gëzojë bashkëshorti ose bashkëshortja.

Sipas Jasharajt, premtimi nga Ministria e Arsimit është që në 3-mujorin e parë të vitit të ardhshëm, ky Projektligj do të miratohet.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit kanë bërë të ditur se Projektligji tashmë është rishikuar dhe e kanë dërguar në Qeveri.

Por, në Komisionin për Arsim Projektligji nuk është dërguar ende.

Sipas kryetarit të Komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi, në parim do ta mbështesin Projektligjin, pasi t’i japin vërejtjet e nevojshme.

Sipas zyrtarëve të SBASHK-ut, ende nuk dihet saktë numri i mësimdhënësve që kanë punuar në atë periudhë, por që për të marrë atë pension do të duhet t’i marrin dokumentet e nevojshme nga shkollat ku kanë punuar, e më pastaj MASHT-i pritet t’i vërtetojë ato. / KultPlus.com

Të ngjajshme