Numri më i ri revistës PEN Kosova botohet në gjuhën angleze

28 Janar, 2023 - 12:00 pm

Numri i gjashtë i revistës letrare dhe kulturore PEN Kosova, botohet në gjuhë angleze. Pesë botimet e para janë në gjuhën shqipe dhe i kushtohen lexuesit shqiptar në Kosovë e më gjerë. Revista PEN Kosova përmban shkrime të shkëlqyera, thelbësore që dalin në funksionalitetin e tyre të veçantë. Fokusi është te poezia, ndonëse redaksia është gjithmonë në kërkim të tregimeve  të shkurtra, punimeve publicistike, eseve, recensioneve, intervistave etj.

Ideja origjinale për botimin e revistës letrare dhe kulturore PEN Kosova rrodhi para së gjithash për t’iu ofruar lexuesve mundësinë për t’u njohur me të rejat e fundit të prodhimit letrar nga autorë modernë, duke mbajtur traditën e autorëve të shkëlqyer të së kaluarës, veçanërisht artistëve të poezisë, që zakonisht e mbizotëronte prodhimin letrar në Kosovë. Revista gjithashtu shërben si dëshmi e një performance qartësisht ambicioze të PEN Qendrës së Kosovës, si pjesë e PEN International në vendin e saj të rëndësishëm në mjedisin e përgjithshëm kulturor në Kosovë.

Në parafjalën e kryeredaktorit Avni Spahiu, i cili i ka përkthyer shumicën e shkrimeve, ndër të tjera, thuhet se ndihemi krenarë që arritëm të përgatisnim këtë botim special në anglisht të revistës sonë letrare, kushtuar lexuesit të huaj.

Ky botim special është një nga mundësitë e rralla ku një lexues i huaj mund të drejtohet për t’u njohur me këndvështrimet krijuese, artistike dhe letrare të jetës në Kosovë. Ky numër special ofron një përmbledhje tërheqëse nga autorë të formave të ndryshme të krijimtarisë letrare, poezi, tregime të shkurtra e publicistikë, duke sjelle edhe informacion mbi autorët bashkëkohorë nga Kosova.

Në këtë botim përfshihen poezitë e katër autorëve të ndjerë: Ali Podrimja, Azem Shkreli, Rrahman Dedaj dhe Basri Çapriqi; pastaj tregimet, poezitë dhe esetë e autorëve: Ibrahim Kadriu, Binak Kelmendi, Avni Spahiu, Lindita Tahiri, Ibrahim Berisha, Milazim Krasniqi, Dije Demiri Frangu, Sali Bashota, Lulzim Tafa, Naime Beqiraj, Haqif Mulliqi, Nerimane Kamberi, Naim Kryeziu, Ilire Zajmi, Engjëll I.Berisha, Fahredin Shehu, Blerina Rogova Gaxha dhe Fortesa Latifi.

Botimin e revistës e ka mbështetur financiarisht Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com

Të ngjajshme