Nuridin Ahmeti boton librin “Instituti Albanologjik 1953-1955”

28 Tetor, 2020 - 3:37 pm

Nuridin Ahmeti, punonjës shkencor në Institutin Albanologjik, këto ditë ka nxjerrë librin në lidhje me Institutin gjatë viteve 1953-55.

Në aspektin strukturor kjo monografi ndahet në dy tërësi të mëdha. Së pari e kemi të dhënë pjesën analitike dhe sintetizuese të punës së autorit, i cili ofron kronologjinë rreth për­gatitjeve, themelimit dhe zhvillimit të Institutit Albanologjik, duke nxjerrë edhe përfundimet përkatëse; ndërkaq pjesa e dytë, që në këtë rast del më vëllimore, ofron lëndën dokumentare nga të gjitha fazat e përmendura, por edhe produktin e punës së këtij in­stitu­cio­ni.

“Marrë parasysh faktin se puna studimore e Nuridin Ahmetit lidhur me historikun e Institutit të Albanologjisë dhe përgjithësisht të albanologjisë në Kosovë shënon hapjen e kësaj çështjeje në një nivel serioz studimor, botimi i kësaj monografie ka një vlerë të ve­çantë. Shpresojmë që të bëhet një motiv më shumë që studiuesit e tjerë të vijojnë kërkimet në dimensionet të cilat, hëpërhë, nuk janë të mundshme”, thotë profesori Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik.

Ndërsa profesori Sadri Fetiu, ish-drejtor i Institutit Albanologjik, shprehet se Nuridin Ahmeti ka punuar me shumë përkushtim për ta realizuar një vepër të veçantë historike, historikun e themelimit dhe të veprimtarisë trevjeçare të njërit nga institucionet tona më të rëndësishme shkencore – Institutit Albanologjik, që shpesh është quajtur – i Prishtinës.

“Për këtë institucion, sidomos për fazën e tij fillestare të themelimit e të veprimtarisë në vitet e pesëdhjeta është shkruar deri tash pothuajse krejt përciptazi më rastin e përvjetorëve të ndryshëm të themelimit dhe të rithemelimit. Autori ka bërë një punë të mundimshme hulumtuese në dokumente arkivore dhe në shtypin e kohës. Ai i ka hulumtuar edhe rrethanat shoqërore dhe sidomos ato kulturore që i kanë paraprirë themelimit të Institutit Albanologjik, si edhe e kanë përcjellë punën e tij deri në mbyllje”, thotë Fetiu. / KultPlus.com

Të ngjajshme