23 Prill, 2018 - 1:00 pm
Gili Hoxhaj
“Leximi është e drejta ime”, shkruhej në Amfiteatrin e madh të Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”. Në këtë bibliotekë sot u shënua Dita Botërore e Librit, ku fillimisht u fol për rëndësinë e librit për t’u dhënë mundësinë më shumë nxënësve që të shprehin krijimet e tyre.
Salla e amfiteatrit ishte e mbushur përplot me nxënës e mësimdhënës të shkollave fillore “Ismail Qemaili”, “Meto Bajraktari”, “Hasan Prishtina” dhe shkolla “Nazim Gafuri”, shkruan KultPlus.
Udhëheqësja e Departamentit të Arsimimit në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Ramize Bajraktari ishte ulur në panel së bashku me drejtorët e këtyre shkollave. Ajo fillimisht iu drejtua nxënësve që ishin ulur në sallën e amfiteatrit.
“Ju po e madhështoni Festen e Librit pasi që ju jeni ata lexues të vegjël që kur të rriteni do të vini në këtë Bibliotekë të madhe dhe të lexoni kur të bëheni studentë”, u shpreh Bajraktari.
Ajo tregoi se data 23 prill e cila është përzgjedhur që të jetë Dita Ndërkombëtare e Librit dhe të Drejtave autoriale, ka një kuptim simbolik pasi që 23 prill 1616 janë ndarë nga jeta William Shakespeare që konsiderohet shkrimtari më i madh i të gjitha kohërave dhe Miguel de Cervantes që ka shkruar librin “Don Kishoti i Mancos”, e që është vepra më e përkthyer në botë.
“Kjo datë ëahtë caktuar t’i bërë homazh botëror librit dhe autorëve të tij dhe për të inkurajuar të rinjtë, që të zbulojnë kënaqësinë e të lexuarit, si edhe për të respektuar kontributin e pazëvendësueshëm, që kanë dhënë krijuesit për progresin social dhe atë kulturor”, u shpreh tutje ajo, ndër përfundoi fjalimin e saj me thënien se “njeriu i cili nuk lexon libra të mirë nuk ka përparësi nga njeriu i cili nuk mund të lexoj”.
Drejtoresha e shkollës “Ismail Qemailo”, Hatmane Demiri tha qe çdo ditë duhet të jetë dita e librit ndërsa kujtoi thënien se “njeriu vdes atëherë kur lexon”, duke bërë thirrje që të lexohet sa më shumë pasi që shteti nuk ecën përpara pa lexim, dije dhe njohuri.
Po ashtu nxehësve të këtyre shkollave iu dhuruan tri pyetje me anë të se cilave do të kuptoheshin njohuritë e tyre për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Krejt në fund atyre iu dhuruan edhe libra.
Ideja e përkujtimit të Ditës Botërore të librit e ka origjinën e vet në Spanjë, në zonën e Katalonjës, ku atij që blinte një libër i dhurohej edhe një trëndafil. 23 prilli është shpallur si Dita Botërore e Librit më 15 nëntor të 1995, me një rezolutë të UNESCO-s, pasi u morën në konsideratë faktet se libri ka qenë, historikisht, instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive, se çdo nismë për promovimin e librave të rinj është një faktor i pasurimit kulturor etj./ KultPlus.com