23 Mars, 2019 - 12:16 pm
Ndonëse Ministria e Arsimit po kërkon që të respektohet vendimi për zëvendësimin e orëve të humbura, as sot, mësimdhënësit nuk kanë shkuar në shkolla.
Drejtorët e shkollave, këtë lajm ua kanë përcjellë nxënësve, por mësimdhënësit, nuk kanë shkuar.
Koha.net e ka kontaktuar Drejtoreshën e Arsimit në Prishtinë, Shpresa Shalën, e cila ka thënë se kjo është çështje e Sindikatës, për shkak se Drejtoritë e shkollave, e kanë thjesht obligim të marrin këshillat që vijnë nga MASHT-i.
“Këshilli i prindërve ka marrë vendim që të sabotohet mësimi. Kemi marrë edhe e-maile nga Këshilli i prindërve nëpër shkolla, të cilët kanë potencuar, se nuk do t’i dërgojnë fëmijët në mësim”, tha ajo.
Kujtojmë se javë më parë, Këshilli Drejtues i SBASHK-ut ka marrë vendim që 5 ditë të humbura të mësimit, të zëvendësohen nga pushimi pranveror në muajin prill, 5 ditë të shtuna të zëvendësohen gjatë vitit shkollor 2018/2019, dhe 5 ditë tjera të zgjatet përfundimi i vitit shkollor 2018/2019.
Shala, tutje tha se secili drejtor i secilës shkollë, ka qenë i obliguar t’u kërkojë nxënësve që të shkojnë në shkolla.
Gjithashtu, kujtojmë se ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, javën e kaluar u ka bërë thirrje edhe njëherë të gjithë mësimdhënësve që t’i zëvendësojnë orët e humbura gjatë grevës, por këta të fundit, po u binden Sindikatës së Bashkuar së Arsimit.
Këshillit Drejtues i SBASHK-ut, javë më parë, në mënyrë unanime ka marrë vendim që të mos kompensohet asnjë orë e humbur derisa gjykata nuk nxjerrë një vendim. Kjo pasi SBASHK-u e ka paditur MASHT-in për vendimin e saj duke e konsideruar të jashtëligjshëm.