‘Onufri’ boton librin me tregime të shkrimtarit Adil Olluri

14 Nëntor, 2023 - 11:40 pm

Shtëpia botuese tiranase “Onufri” ka botuar së fundmi librin me tregime “Kthimi i babait” të shkrimtarit të njohur kosovar, Adil Olluri.

Ky vëllim me tregime së shpejti do të jetë në duart e lexuesve, në libraritë e ndryshme shqiptare, si dhe në shtandin e shtëpisë së lartcekur botuese në Panairin e Librit “Tirana”, që do të mbahet në Pallatin e Kongreseve në kryeqytetin shqiptar nga data 15 deri më datën 19 nëntor.

Po ashtu, kjo vepër artistike e shkrimtarit Olluri do të promovohet në kuadër të panairit në fjalë, gjegjësisht më datën 19 nëntor, e diel, ora 11:00, në shtandin e shtëpisë botuese “Onufri”.

“Kthimi i babait” është një përzgjedhje e tregimeve nga dy librat e mëparshëm të shkrimtarit Adil Olluri, si “Shumë rrugë dhe një rënie” (Parnas, Prishtinë, 2013) dhe “Kthimi i profetit” (Armagedoni, Prishtinë, 2019). Po ashtu, në të janë të përfshirë edhe dy tregime të shkruara viteve të fundit, si “Mjaullima” (i botuar në të përjavshmen për letërsi dhe kulturë “ExLibris”, 2023) dhe “Legjenda për ditët e murtajës” (i botuar në revistën letrare prishtinase “Jeta e re”, 2023).

Nga përmbledhja “Shumë rrugë dhe një rënie” janë përzgjedhur këto tregime: “Kthimi i babait”, “Vrasja e Talit”, “Bartësi i shpirtrave të përzënë” dhe “Panairi i ëndrrave”.

Ndërsa nga përmbledhja “Kthimi i profetit” janë përzgjedhur këto tregime: “Barku i balenës”, “Transistori”, “Plaku dhe tri fotografitë”, “Tender për transport kufomash” dhe “Kozmosi i një të ndryshmi”./ Insajderi/KultPlus.com   

Të ngjajshme