10 Nëntor, 2023 - 10:57 pm
Shtëpia botuese tiranase “Onufri” boton romanin “Fundi i palavdishëm i Igor Bagrickit” të shkrimtarit të mirënjohur kosovar, Veli Karahoda.
I vlerësuar si një nga romanet më të mira të letërsisë shqipe, të shkruar dhe botuar në Kosovë gjatë viteve të fundit, ky roman i Karahodës u vlerësua shumë lart nga lexuesit dhe njohësit e letërsisë.
“Fundi…” i Karahodës u botua për herë të parë në Prishtinë nga Sh. B. “Buzuku” dhe është shpërblyer nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me Çmimin Letrar “Anton Pashku”, i cili i jepet romanit që vlerësohet si më i miri gjatë një viti kalendarik në Kosovë.
”Këtë roman mund ta quajmë sagë, epope, roman lumë që i referohet një areali të njohur për ne si dhe një kohe jo shumë të largët për mbamendjen tonë. Ky roman është dëshmi se ende nuk kanë vdekur narracionet e mëdha. “Fundi i palavdishëm i Igor Bagrickit” të kujton romanet e mëdha të letërsisë botërore.”- thuhet në vlerësimin e jurisë profesionale të Çmimit Letrar “Anton Pashku”, të përbërë nga profesorë të letërsisë nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, Fakulteti i Filologjisë dhe Instituti Albanologjik i Prishtinës.