Opsesioni i Kafkës

29 Tetor, 2022 - 7:00 pm

METAMORFOZA NË TERRENIN E PËRHIMËT

Libri “Tregime dhe fragmente në prozë” i Kafkës na mëson për prozën jo aq të njohur apo edhe të panjohur të autorit, të shkruar që në fillim të shekullit XX deri në vitet ’20 të atij qindvjeçari. Që atëherë, Kafka u shfaq si vizionar. Shihet se Kafka qysh në vitin 1907 dhe 1908, në tregimin “Përgatitjet për dasmë në verim” paralajmëroi temën e vet të madhe të metamorfozës së njeriut në kafshë dhe kuptimin absurd të saj, deri atëherë të paparë. Por, vetë metamorfoza nuk është shokuese.

Shokues është fakti se llahtari i zi durohet mu në mes të ditës, qetë dhe me rahati, thua ti nuk ndodh asgjë. Shokues është edhe fakti se metamorfoza për herë të parë shpërtheu në letërsi në një terren të përhimët, të turbullt, në mjedisin qytetar bashkëkohor, të shkëputur nga djepi i fantazive në të cilin e kishin përkundur përrallat folklorike dhe shkrimtarët ëndërrimtarë, plot fantazi të epokës së romantizmit. Në tregimin e sipërthënë, të papërfunduar dhe të botuar postum, dhëndri Eduard Raban, në një kohë me shi dhe në një rrugë të errët dhe të zymtë, mendon për udhëtimin neveritës për në verim. Përsiatën sesi do ta çojë atje trupin e vet të veshur, ndërsa ai do të rijë i shtrirë në shtrat, në formën e një insekti të madh – kandre, kacadreni apo kacabuni.

Metamorfaza është tejet mbresëlënëse edhe në tregimin “Artisti i uritur” (Ein Hungerkünstler, 1922/1924) po ashtu të përfshirë në libër. Artisti dyzet ditë rraskapitet në kafaz, para publikut që bën tifo dhe me përvuajtje, demonstron mjeshtërinë e vet, duke u shndërruar në kafshë kockore cirku, fatkeq se e shikojnë trupin e deformuar të tij, pa e kuptuar transformimin e shpirtit të tij. (Këtu Kafka, me përshkrimet e shkëlqyera të turmës, duket sikur paralajmëron sensacionalizmin mediatik).

Metamorfozat janë të fuqishme edhe në tregimin “Përshkrimi i luftës” (1904/1905) në të cilin, gjatë një shëtitjeje zhvillohen një sërë dialogësh absurdë dhe ndodhin ngjarje të pamotivuara, siç është ajo e transformimit të njeriut në peizazh dhe anasjelltas. Opsesioni tjetër i Kafkës – tmerri i botës si mekanizëm i burokracisë, me të cilin ai në mënyrë të padyshimtë e ka parashikuar kohën e sotme – është tejet i fuqishëm në tregimin “Në koloninë ndëshkimore” (In der Strafkolonie, 1919), që bën pjesë në radhën e shembujve më të mirë kotësisë së procesit, dhimbshëm të përshkruar me realizëm, që megjithëkëtë, pa kurrfarë shkaku dhe qëllimi, është vepron në hapësirën e joreales. Në ishull vjen një i huaj për të dëshmuar për ekzekutimin e të pandehurit i cili s’ka kurrfarë aktgjykimi. Oficeri premtimplot e përshkruan në hollësi mekanizmin e sofistikuar të ekzekutimit, ndërkaq asnjë prej personazheve nuk shfaq as më të voglin shqetësim të shpirtit. Thua ti se që të gjithë janë marionetë bredhës dhe të arnuar, në realitetin e vrazhdët Thënë me gjuhën moderne, duket sikur janë androidë të programuar nga Big Brother, për ta kryer me saktësi detyrën shoqërore, “për të mirën e përgjithshme” që s’e kuptojnë. (Pothuajse i tërë tregimi merret me përshkrimin e mekanizmit të ekzekutimit).

Bota si një mekanizëm i neveritshëm – Shembull i shkëlqyer i forcës irracionale të burokracisë është edhe tregimi “Blumfeldi, beqar i moshuar” (1915). I pamartuari i zellshëm, që i kalon ditët matematikisht të sistemuara, një ditë vëren në shtëpi të vet dy topa që kërcejnë vetë. Megjithëkëtë, dukurinë jonormale e pranon më se normalisht, si diçka të dhënë vetvetiu. Me fjalë të tjera, fantastikja dhe realja i qëndrojnë në të njëjtin rrafsh. Madje Blumfeldi, pa ndonjë shqetësim dhe mekanikisht, përpiqet ta llogarisë lëvizjen e topave, asisoj që ata gjithmonë mbeten të kërcejnë pas tij, pa dalë nga rrethi i kontrollit të tij. Në pjesën e dytë të tregimit e kemi heroin, një mbikëqyrës fabrike i cili punën e vet e llogarit në hollësi, duke i urryer dy ndihmësit e rinj ngase nuk i përmbahen rendit të tij që e kishte përvijuar në mënyrë patologjike.
Çdo tekst i Kafkës i vë në vështirësi interpretuesit, për arsye se as vetë autori nuk dëshiron ta zgjidhë enigmën. Ndër shumë interpretime alegorike të tregimit të Kafkës, topat mund t’i kuptojmë si simbol të ndihmësve (të punëtorëve) të padisiplinuar, si një përpjekje dëshpëruese e qenies së ftohtë racionale që në projektin e vet burokratik të përditshëm t’i nënshtrojë edhe forcat e padukshme.

Në vitin 1911, i preokupuar nga bota që i duket si një makinë, në shënimet e ditarit, Kafka shkruan: “Çdo gjë më duket si një konstruksion”, ose “unë jam gjuetar i konstruksioneve”. A nuk i anticipon me këtë shkencëtarët e sotëm, të cilët me idenë morbide të klonimit, synojnë “të vrasin” botën klasike të sekreteve dhe të vendosin në tokë njeriun-Zot, duke e barazuar kësisoj jetën me vdekjen?

Duhet theksuar se, për dallim nga futuristët të cilët e lëvdonin shpejtësinë dhe bukurinë e makinës, ekspresionistët, e sidomos ekspresionistët gjermanë, jetonin në ankth dhe tjetërsoheshin skajshëm nga qytetërimi i mekanizuar. Këtë e dëshmojnë më së miri vizionet e mynxyrshme të Kafkës që vallëzojnë në hapësirën thellësisht të vetmuar. /HEJZA/ KultPlus.com

Të ngjajshme