28 Shtator, 2021 - 10:42 pm
Sot në Galerinë e Arteve në Ferizaj u mbajt takimi final i edicionit të pestë të konkursit të poezisë “Ora e Astritit 2021” ku janë përzgjedhur poezitë fituese të këtij edicioni, përcjell KultPlus.
Në këtë konkurs, tanimë tradicional, që mbahet në kujtim të poetit dëshmor Astrit Bytyçi, këtë vit juria profesionale prej poezive të dërguara, përzgjodhi 30 si më të realizuara, për orën finale, të cilat edhe u përfshinë në broshurën e botuar me këtë rast.
Autorët e poezive ishin nga të gjitha trojet shqiptare, ndërsa ata që ishin të pranishëm në takimin e sotëm i lexuan poezitë e tyre nën përcjelljen e tingujve të kitarës së Riad Ramadanit.
Përveç krijuesve pjesëmarrës të konkursit dhe mysafirëve të tjerë, në këtë takim ishin të pranishëm edhe familjarët e poetit dëshmor Astrit Bytyçi.
Juria profesionale në përbërje prej tre anëtarëve: Kemajl Aliu – poet, Olimbi Velaj – poete dhe Arsim Hamiti – kritik letrar, fitues të këtij edicioni u zgjodhën:
Çmimi i parë: Abdyl Hajredini – me poezinë ‘Arti i heshtjes’
Çmimi i dytë: Klejda Plangarica – me poezinë ‘Të ridashurohemi’
Çmimi i tretë: Albion Sherifi – me poezinë ‘Dhembje’
Çmimi ‘Astrit Bytyçi’: Behar Ibishi – me poezinë ‘Mallëngjimi’./KultPlus.com