29 Tetor, 2021 - 6:35 pm
Era Berisha
Krijimtaria letrare dhe jeta e poetit e profesorit të ndjerë, Enver Gjerqekut, dje u përkujtua në aktivitetin e dytë me radhë në kuadër të projektit “Ora e Shkrimtarit 2” nga PEN Qendra e Kosovës të mbajtur në KultPlus Caffe Gallery, me ç’rast në këtë mbrëmje letrare, përveç mendimeve dhe analizave letrare të shpalosura me radhë nga të pranishmit, u recituan edhe poezi të autorit duke bërë që kjo mbrëmje të zhvillohej nën një frymë poetike e tejet të veçantë, shkruan KultPlus.
Fillimisht, moderatori Ibrahim Kadriu, nisi takimin letrar me fjalimin e tij duke folur fillimisht për jetën e poetit e më pas edhe për fillet e veprimtarisë së tij.
“Enveri i takon një gjenerate të hershme, një brezi të pasluftës së dytë botërore. Ai si student ka qenë edhe anëtar i redaksisë së revistës së parë në gjuhën shqipe që ka dalur si zëri i mëvonshëm i rinisë, e andaj që atëherë ai e tregon interesimin për shprehjen poetike duke botuar për herë të parë vjershën e tij të parë”, thotë Kadriu.
Gjithashtu, të pranishëm në këtë ngjarje për të folur më thellësisht për aspektet e poezisë së Gjerqekut e për të shpalosur observimin në tërësinë e vlerave të veprës letrare të autorit, foli shkrimtari dhe ish-profesori në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi.
“Gjerqeku mbetet i ngjizur edhe me përjetimin e hershëm, i cili kthehet si reminishencë, ngase poezia e tij ka qenë pjesë e arsenalit letrar në librat shkollorë dhe në manifestimet publike shkollore, me të cilat breza të tërë jemi edukuar nga fusha e artit poetik, po të prezantuar edhe si ideologji. Nga kjo pikëpamje, mund të thuhet se poezia e tij ka ushtruar një ndikim të dukshëm në edukimin letrar e jashtë letrar të njeriut shqiptar në Kosovë për decenie të tëra, ndoshta dhe më shumë nga ç’janë vlerat reale të vetë kësaj poezie. Në larminë e kontakteve të reja me këtë poezi, nuk mund të shmanget as përjetimi i një aspekti të saj tematik e ideor, i cili ka qenë si produkt i realitetit social e politik të kohës”, thotë Krasniqi.
Sipas tij, disa nga poezitë e dy vëllimeve të para konceptohen si mjet i emancipimit arsimor e shoqëror, si mjet i afirmimit të revolucionit dhe ideologjisë së proklamuar të tij, me ateizmin si tharm ideologjik, etj. E po ashtu, tematizimi poetik i disa figurave dhe i disa ideve me prejardhje jashtë ambientit dhe historisë shqiptare, krahas tematizimit të figurave lokale të flijuara në revolucionin socialist, është konsideruar se ka të bëjë me jehonën e zhvillimeve politiko-sociale, të cilat synonin integrimin e shqiptarëve në një projekt ideologjik global.
“Poezia e Enver Gjerqekut, që nga vëllimi i parë, ‘Gjurmat e jetës’ e deri te ‘Flatrimi i fjalës’ dhe poezitë e botuara pas tij, identifikohet me një strukturë vargu stabil dhe me një leksik që krijon legjitimimin autorial. Po të shihen vargjet e poezisë “Agimi ynë” nga vëllimi i parë, dhe të krahasohen me vargjet nga vëllimi i fundit, (Duke kërkuar blerimin), është e qartë se ekziston një formë e përafërt e vargëzimit dhe madje edhe në planin leksikor është ruajtur afiniteti për një fond të caktuar, i cili poetit i jep mundësinë që të shpalos më mirë idetë e veta poetike”, thotë ai.
Për Krasniqin, duke u bazuar në planin leksikor dhe sintagmatik, konsiderohet se poezia e Enver Gjerqekut ka ndjekur një rrugë standarde, duke futur në mekanizmat e vargut fjalë e sintagma që shprehin drejt për së drejti një realitet social, psikik dhe ambiental, me ç’rast Gjerqeku nuk ka ndjekur rrymimet dhe eksperimentimet e kohës, po ka ndjekur logjikën e motiveve dhe temave të poezisë së vet.
“Poezia e Enver Gjerqekut dallohet me intonimin dhe strukturimin e saj specifik në poezinë shqip, duke qenë edhe një urë lidhëse e poezisë bashkëkohore me poezinë e traditës, së paku në formë dhe në disa elementë leksikorë e konceptual. E lexuar pa ngarkesa për autorin dhe ambientin politiko-kulturor, sot kjo poezi shpalos vlerat e saj me një diskrecion që është tipar i saj”, përfundon Krasniqi.
Tutje, profesori i Letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Sali Bashota foli rreth krijimtarisë poetike të Gjerqekut, duke e cilësuar poetin si autorin më reprezantiv të sonetit në poezinë e sotme shqipe.
“Vepra e Enver Gjerqekut është e pranishme afër gjysmëshekulli në letërsinë shqipe. Poet i cili shquhet me ndjeshmërinë e veçantë poetike, me lirizmin, tematikën dhe motivet e poezisë së tij, Gjerqeku ka arritur të ruajë natyrën dhe vokacionin e verbit të tij poetik, që nga fillimet krijuese e deri më sot. Poezia e tij është nxitje frymëzimi nga situatat intime, sociale, historike, kombëtare. Nga temat sociale, kalon furishëm te preokupimet intime, ndërsa nga historia te aktualiteti. Në fillimet e tij krijuese, esenciale qe përmbajtja e poezisë, pra vetë tema”, thotë Bashota.
Sipas tij, Gjerqeku kërkon formën e përsosur poetike, për të ndërtuar gjuhën, stilin, figurën në një pozicion të ri krijues, dhe në këtë mënyrë për të krijuar një vetëdije të re shkrimore, me ç’rast gjuha e tij poetike e ushqyer me metafora magjike e magjepsëse, pra e funksionalizon, formën e re të shkrimit të tij: sonetin dhe kurorën sonetike, për të krijuar një ndërlidhje edhe me traditën më të avancuar poetike shqipe.
“Në ligjërimin e tij poetik, brenda një procesi dinamik, strukturohet forma dhe përmbajtja, me ç’rast krijohen varacione poetike shumë të fuqishme, të cilat bartin mesazhe domethënëse, duke e racionalizuar gjithmonë mendimin dhe duke disiplinuar gjithmonë gjuhën. Këto veçori shihen në relacione kuptimore përbrenda pikëshikimit: frymëzim-gjuhë figurë-komunikim. Këso mënyre, përbrenda botës së vet poetike, Gjerqeku e hulumton dhe e formëson kategorinë e së bukurës dhe kategoritë tjera estetike. Prandaj, ligjërimi i tij poetik krijon imazhe dhe struktura të veçanta gjuhësore e stilistike, qoftë përmes vargut të lirë, qoftë përmes vargut ritmik e të rimuar”, thotë Bashota.
Për Bashotën, shprehja poetike e Enver Gjerqekut duket se krijon një koncept vetanak krijues, aty ku motiv inicial i frymëzimit bëhet njeriu, aty ku buron fjala magjike për jetën, pikërisht aty poeti e shpalos aventurën e tij shpirtërore e krijuese, duke e zgjuar fshehtësinë e fjalës, dinamikën e dhembjes, fuqinë e shprehjes poetike.
“Poeti Enver Gjerqeku i kërkon dhe i gjen zgjidhjet simbolike të poezisë së tij. Pikërisht, që nga titujt e librave të tij poetikë funksionalizohet domethënia e tekstit lirik. Po ashtu, në poezinë e Enver Gjerqekut sublimohen tema dhe motive që e kapërthurin një realitet të formësuar në relacione historike dhe aktuale. Përbrenda laboratorit të tij krijues frymon historia, identiteti, e sotmja. Dhe pikërisht poezia-përkushtim bëhet model i kërkimit, i konceptimit dhe i realizimit krijues. Poezia e këtij autori e ka ndërtuar një kod ligjërimor sa i përket formave poetike sonetike. Ky kod ligjërimor rezulton deri tek konstatimi se Gjerqeku është autori më reprezantiv i sonetit në poezinë e sotme shqipe”, përfundon Bashota.
Në këtë mbrëmje letrare, patjetër se nuk do të mungonte as edhe atmosfera poetike, që erdhi nën recitimin e gjithsej tri poezive të Enver Gjerqekut të interpretuara nga studentja e letërsisë shqipe, Edlira Musliu, e cila para publikut me një qëndrim preciz e zë të ëmbël, solli poezitë e titulluara “Dhoma e poetit”, “Syri i Pranverës” si dhe “Dilema e këngës”.
Krejt në fund, të pranishmit vazhduan bisedimet e tyre të mëtutjeshme nën praninë e dritave të ngrohta të vendosura anash bibliotekës së KultPlus Caffe Gallery.
Ndërkaq, ‘Ora e Shkrimtarit 2’ do të mbahet deri më 16 nëntor, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery do të përkujtohen edhe shkrimtarë të tjerë si: Azem Shkreli, Din Mehmeti, Ramiz Kelmendi, Rrahman Dedaj dhe Musa Ramadani. / KultPlus.com