9 Nëntor, 2021 - 8:31 pm
Era Berisha
Jeta dhe vepra e shkrimtarit të ndjerë, Ramiz Kelmendit, sonte u përkujtua në aktivitetin e pestë me radhë në kuadër të projektit “Ora e Shkrimtarit 2” nga PEN Qendra e Kosovës të mbajtur në KultPlus Caffe Gallery, me ç’rast në këtë mbrëmje letrare u shpalosën jo vetëm analizat e ndryshme letrare por edhe momentet nga më të përzemërta të të pranishmëve që kishin ndarë me shkrimtarin, shkruan KultPlus.
Fillimisht, moderatori Haqif Mulliqi, nisi takimin letrar me fjalimin e tij duke folur fillimisht për jetën e shkrimtarit e më pas duke ndarë edhe ndodhi nga kujtesa e tij me të.
“Ramiz Kelmendi ka qenë një satirist, një tregimtar, ka shkruar radiodrama, është shquar si bashkë skenarist i filmit “Gjurmë të bardha” me Ekrem Kryeziun, ka shkruar romane, profesor i Universitetit, pra njihet si një personalitet kompleks. Ai ishte edhe një përkthyes i jashtëzakonshëm, i pasionuar me emrat më të shquar të letërsisë botërore”, thotë Mulliqi.
Gjithashtu, i pranishëm në këtë ngjarje për të folur më thellësisht për botimin e Kelmendit, të titulluar “Nga ditari im”, ishte edhe shkrimtari Ibrahim Kadriu.
“Emri i Ramiz Kelmendit me dekada ka gjetur hapësirë në të gjitha gazetat dhe revistat tona dhe në raftet e bibliotekave me aq shumë libra origjinal dhe përkthime. Ai paraqet një individualitet të veçantë si krijues e pedagog, duke dëshmuar individualitetin me kreativitet dhe angazhime organizative në krye të edicionit botues të “Rilindjes”, në teatër dhe së fundi si themelues i shkollës së gazetarisë nga e cila kanë dalë kuadro që u bënë kontribuues të mjeteve të informimit. Kur përmend edicionin botues, më kujtohen vitet e fundit të gjashtëdhjetave kur, falë angazhimit të drejtpërdrejt të Ramiz Kelmendit, u pasuruan bibliotekat tona me botimet e Tiranës pikërisht në kohën kur ende merrte frymë politika e etiketimit të botimeve të Shqipërisë”, thotë Kadriu.
Sipas tij, libri “Nga ditari im” si i tillë ka vlerë të shumëfishtë, meqë ngërthehet përmes rrëfimeve të “huazuara” në periudhën kohore prej dekadave, rrëfime që janë të pasuruar me referenca, por edhe me nuanca të asaj përditshmërie që na ndihmojnë ta kuptojmë atë realitet të hidhur përmes së cilit, autorit, i është dashur të kapërcejë gjithnjë me frikën e të ndjekurit.
“Duke lexuar Ditarin, duke shëtitur bashkë me autorin rrugëve kah kishte kaluar ai, më erdhi një si qortim për veten, se nuk e kisha njohur sa duhet, se pata fat (me këtë lexim) ta njihja më të plotë, sado që gjatë këtyre pesë dekadave prej kur këmbenim mendimet dhe përvojat, e kisha të qartë portretin e këtij krijuesi, si figurë komplete e letrave shqipe. Asaj njohjes sime paraprake, faqet e ditarit të tij, i erdhën si dëshmi për të deshifruar shumëçka biografike në veprat e shkrimtarit”, thotë Kadriu.
Për Kadriun, libri “Nga ditari im”, përkundër dilemës së autorit, të shkruhej apo të mos shkruhej, që e thotë në parathënie, është fat që, megjithëkëtë, është shkruar dhe, para lexuesve, del edhe si roman, edhe si dramë, edhe si tragjedi, por edhe si komedi. Për të gjitha këto zhanre ky ‘Ditar’ ka brumë të mjaftueshëm dhe, me atë brumë, i ndihmon teorisë mbi individualitetin e shkrimtarit si protagonist e veprave të veta.
“Kur e kemi parasysh Ditarin, na vjen keq që aq shumë tema të shtruara në faqet e këtij libri në mënyrë fragmentare, nuk janë realizuar si vepra (të tjera) të veçanta. Ndoshta për këtë ka ndikuar tërheqja, për një kohë të gjatë, e shkrimtarit nga shkrimi, e që mund të kuptohej si revoltë për shkak të ndodhurave politike përmes dhunës mbi shqiptarët. Largimi nga krijimi i këtij autori, prandaj, mund të kuptohet edhe si varfërim i letrave shqipe, por ja që, në moshë të shtyrë të autorit, na erdhi botimi: Nga ditari im”, përfundon Kadriu.
Tutje, prozatori, përkthyesi dhe publicisti, Binak Kelmendi foli rreth publicistikës tek shkrimtari Ramiz Kelmendi, duke e cilësuar atë si rilindës i edicionit, rilindës i publicistikës dhe rilindës i përpjekjeve nacionale për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Ramiz Kelmendi ka qenë rilindas i “Rilindjes”. Rilindas i edicionit, Rilindas i publicistikës. Dhe Rilindas i përpjekjeve nacionale për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Them se ka qenë rilindas i “Rilindjes” pasi që dy periudha të jetës së vet ia kushtoi kësaj gazete. Fillimin e parë në këtë gazetë e nisi në vitin e largët 1947. Këtë e pohon ai vetë, Ramizi, kur thotë se: unë gazetar jam vetëm dy vjet më i ri se “Rilindja”; kjo lindi më 12 shkurt 1945, e unë botova shkrimin tim më të parë në këtë gazetë – dy vjet më vonë”, thotë Kelmendi.
Sipas tij, “Letra prej Ulgini” është një korrespondencë e sajuar e gazetarit Ramiz me dy rezidentë të Ulqinit (Muho Ficigi- Muharrem Fici dhe Hajro Doçiqit-Hajrudin Doçit) njohës shumë të mirë të situatës politike dhe të gjendjes së përgjithshme shoqërore të shqiptarëve në Kosovë e në Mal të Zi.
“Është evidente se “Letra pre Ulqini”, tejkalon krejtësisht konturat e rëndomta gazetarore, e do të thosha edhe ato publicistike jo vetëm të kohës kur është shkruar, fundi i viteve të gjashtëdhjeta. Si e tillë ajo mbetet një dëshmi me interes për zhvillimet te shqiptarët në ish-Jugosllavi që nuk ishte veçse një Serbi e madhe me apetite të pashuara për kolonizim e mbisundim ndaj të tjerëve dhe në veçanti me aspirata të qarta antishqiptare. Në fakt, “Letra prej Ulqini”, është një kronikë me frymë e me shpirt e një periudhe katandisëse në Kosovë”, thotë ai.
Për Kelmendin, vepra tjetër “Fytyra dhe turinj” është një përmbledhje polemikash e rilindasit publicist ku Kelmendi, duke u marrë me historikun e polemikës në letrat shqipe, ka përzgjedhur dhe ka analizuar polemika autorësh të njohur shqiptarë që nga mesjeta dhe deri në vitet e 70-ta të shekullit të shkuar.
“Kelmendi jo vetëm shkroi e bëri një kohë të gjatë gazetari. Ai e krijoi edhe shkollën e vet te gazetarisë me emrin “Faik Konica” e cila veproi deri pas çlirimit. Një kohë e botoi edh gazetën “Gazetari’. Ramiz është Rilindas i Edicionit ose i asaj që e njohim si Shtëpia Botuese e Rilindjes. Në kohën e qëndrimit të tij në Edicion, si kryeredaktor, Ramizi theu murin e madh që ekzistonte ndaj librave të botuar në Shqipëri duke sjellë dhe ribotuar në Kosovë tituj që deri në atë kohë konsideroheshin mollë e ndaluar. Pavarësisht se pa prozën e tij, romaneske e tregimtare, pa udhëpërshkrimet e tij, pa dramat dhe pa publicistikën e tij, letërsia, kultura dhe arti ynë, do të ishin shumë më të varfër ”, përfundon Kelmendi.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe shkrimtari, Daut Demaku, i cili foli para pjesëmarrësve për gjuhën unike të shkrimtarit Kelmendi dhe magjinë e tij të të shkruarit.
“Mendoj se vendlindja e shkrimtarit është ka flitet gjuha e tij. Nëse flasim për art, duhet të flitet për magjinë e mençurisë së shkrimit. Nuk besoj se ka në letërsinë shqipe ajo idila erotike, ajo magjia e dashurisë, më shumë se sa në prozën e Ramizit. Ajo që më dhemb shumë, është se nuk po kemi fuqi institucionale e as të iniciativave të shoqërisë civile që të fshijmë pluhurin asaj gjenerate që i ka paraprirë Pavarësisë së Kosovës me të gjitha. Kur e sheh Ramizin, e sheh madhështinë e një rruge që ka shtruar në një mënyrë shumë të bukur artistike. Vajza është më e bukur në jetën e vet kur bëhet nuse, e shkrimtari Kelmendi, gjuhën e ka pasur nuse”, thotë Demaku.
Sipas tij, promovimi i librave të tij për brezat e ri do të ishte një krenari serioze kombëtare ku secili do të thoshte: “I lumi unë që jam shqiptar se paskam pasur dikë para meje të këtij niveli.”
Krejt në fund, nën atmosferën e ngrohtë të rrethuar me muzikë shqiptare, të pranishmit vazhdonin të ndanin kujtime të tyre të cilat mbase edhe do të mbahen mend deri në frymën e fundit të qenies njerëzore.
Ndërkaq, ‘Ora e Shkrimtarit 2’ do të mbahet deri më 16 nëntor, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery, duke filluar nga ora 17:00, do të përkujtohen edhe shkrimtarë të tjerë si Rrahman Dedaj dhe Musa Ramadani. / KultPlus.com