Organizata amerikane e quan për keqardhje vendimin e “Nobelit” për Handken

10 Tetor, 2019 - 10:15 pm

“PEN America”, organizatë joqeveritare që lobon për të drejtat e njeriut dhe ishte ndër organizatat e para e përbërë nga shkrimtarë, ka reaguar ndaj vendimit të Akademisë Suedeze për ndarjen e çmimit Nobel për Letërsi për shkrimtarin austriak Peter Handke.

Handke, që sot mori çmimin Nobel për vitin 2019, njihet si përkrahës i madh i Sllobodan Millosheviqit dhe mohues i krimeve të luftës në Bosnje e Kosovë. Tani kjo organizatë ka thënë se është për keqardhje vendimi i tillë.

“PEN America në përgjithësi nuk komenton çmimet e institucioneve të tjera. E dimë që këto vendime janë subjektive dhe kriteret s’janë uniformë. Gjithsesi, vendimi i sotëm për çmimin Nobel për Letërsi 2019 për Peter Handke, është përjashtim. Jemi të shtangur nga përzgjedhja e një shkrimtari që e ka përdorur zërin publik për të goditur të vërtetën historike dhe për të ofruar ndihmë për autorët e gjenocidit, sikur ish-presidenti serb, Sllobodan Millosheviq dhe liderit serb në Bosnje, Radovan Karaxhiq”, thuhet në letrën e Jennifer Egan, presidente e “PEN America”, transmeton Koha.net.

Duke vazhduar letrën e saj, kjo organizatë ka thënë se ka qenë e angazhuar gjithmonë për të kundërshtuar mashtrimin publik dhe devijimin e fakteve.

“Refuzojmë vendimin që një shkrimtar, që vazhdimisht ka vënë në pikëpyetje krimet e dokumentuara të luftës, të nderohet për ‘zgjuarsinë gjuhësore’. Në momentin e rritjes së nacionalizmit, lidershipit autokratik dhe dezinformimit të përhapur në botë, komuniteti letrar meriton më shumë se kaq. Është për keqardhje vendimi i Komitetit të Nobelit për Letërsi”, thuhet tutje në këtë reagim. /KultPlus.com

Të ngjajshme