23 Gusht, 2017 - 9:16 pm
Unë shkruaj sepse kam dëshirë të shkruaj. Shkruaj sepse nuk mund të bëj si të tjerët, një punë normale. Shkruaj që libra si të mitë të jenë të shkruar dhe që t’i lexoj. Shkruaj sepse jam tepër i mërzitur me të gjithë ju, me tërë botën. Shkruaj sepse më pëlqen të rri mbyllur në një dhomë, gjatë gjithë ditës. Shkruaj sepse nuk mund ta duroj ndryshe realitetin, përveçse duke e ndryshuar. Shkruaj që mbarë bota ta dijë çfarë lloj jete kemi jetuar dhe jetojmë, unë, të tjerët, ne të gjithë, në Stamboll, në Turqi.
Shkruaj sepse e dua erën e letrës dhe të bojës. Shkruaj sepse ky është një zakon dhe një pasion. Shkruaj sepse kam frikë të jem i harrueshëm. Shkruaj sepse më pëlqen fama dhe interesi që kjo më sjell. Shkruaj për të qenë vetëm.
Shkruaj me shpresën të kuptoj përse jam aq i mërzitur me ju të gjithë.
Shkruaj sepse më pëlqen të më lexojnë. Shkruaj sepse besoj si një fëmijë në pavdekësinë e bibliotekave dhe në vendin që do të zënë aty librat e mi. Shkruaj sepse jeta, bota, gjithçka, është pabesueshmërisht e bukur dhe mahnitëse. Shkruaj sepse është argëtuese të përkthesh në fjalë tërë këtë bukuri dhe pasuri të jetës. Shkruaj jo për të rrëfyer histori, por për të ndërtuar histori. Shkruaj për t’i shpëtuar ndjenjës së pamundësisë së kapjes së një vendi që e dëshirojmë, sikurse në ëndrra. Shkruaj sepse nuk arrij të jem i lumtur, çfarëdo që të bëj. Shkruaj për të qenë i lumtur.
Përktheu Urim Nerguti