24 Mars, 2024 - 11:00 pm
Nuk ka pasur ndonjëherë periudhë krijuese, që të mos ketë qenë edhe kritike, sepse format e reja janë zbuluar nga aftësitë kritike, ndërsa, përkundrazi, prirja e krijimit është të përsërisë vetveten. Kritika më e lartë, kjo është regjistri i një shpirti. Është më magjepëse se historia, sepse merret vetëm me ne vetë.
Është më argëtuese se filozofia, sepse subjekti i saj është konkret, real, jo abstrakt, jo i papërcaktuar. Është e vetmja formë e qytetëruar e autobiografisë, sepse nuk trajton ngjarje, por mendime të një jete, jo dukuri fizike të faktit a të rrethanës, por gjendje shpirtërore dhe pasione të imagjinuara të shpirtit.
Pa atë frymën e brendshme kritike, nuk ka asnjë krijim artistik të denjë për këtë emër. S’ka art ku nuk ka stil, s’ka stil ku nuk ka njësim, dhe njësimi është tek individi. Shpirti kritik dhe shpirti i botës janë e njëjta gjë. Cilësia dhe jo madhështia është qëllimi i vërtetë i artit modern.
Në art ne nuk duhet të shqetësohemi më për tipin, por lipset të vlerësojmë përjashtimin. Një poet i madh është nga njerëzit më të rëndomë, ndërsa poetët e dobët janë qeniet më të këndshme. Sa më keq të vargëzojnë, aq më të dashur bëhen. Vetëm fakti që ka botuar një libër me sonete të kategorisë së tretë, e bën fare magjepsës.
Bukuria, ashtu si Urtësia, parapëlqen adhuruesin e vetmuar. Kur dikush ka gjetur një shprehje për një gjendje shpirtërore, kjo është diçka e përfunduar për të. Vetëm artisti mund të bëjë gjëra të bukura, pa ndonjë lidhje me mjedisin e tij dhe pa dëmtuar të tjerët; nëse nuk e bën këtë për kënaqësinë e tij të pastër, atëherë ai nuk është artist. Bukuria është një nga format e gjenisë, mbasi nuk ka nevojë për shpjegim. /Hejza/KultPlus.com