20 Shtator, 2017 - 5:16 pm
Rrahman Paçarizi, profesor universitar, i ka shkruar një letër publike ministrit të ri të Arsimit, Shyqiri Bytyqi. Ai në letrën e tij i ka thënë Bytyqit se gjendja në shkollat fillore dhe të mesme është alarmante.
Sipas Paçarizit, vetëm 2 për qind e 141 kandidatëve që kanë konkurruar për t’u pranuar në degën e Gjuhës Shqipe në UP, kanë ditur se si bën pjesorja e foljeve guxoj, marr, jap, di dhe bie. Në letrën publike të postuar në Facebook, Paçarizi ka thënë se alarmi në arsim ka të bëjë me shkollat fillore dhe të mesme.
Kjo është letra e Paçarizit drejt ministrit Bytyqi:
ALARMI
Nga 141 kandidatë që konkurruan për t’u pranuar në Degën e Gjuhës Shqipe në UP, vetëm 2 për qind kanë ditur se si bën pjesorja e foljeve guxoj, marr, jap, di, bie, dhe vetëm 4 për qind janë përgjigjur pjesërisht.
I dashur ministër, Bytyçi
E di që këto ditë je shumë i zënë me takime protokollare e me incizimin e gjendjes. E di që duhet të takosh figura publike e politike. E di që je nën presion të madh sa i përket përzgjedhjes së ekipit, pasi ke obligime ndaj partisë e partive të koalicionit. E di që grupe të caktuara mund të të imponohen e të përpiqen të t’i tregojnë prioritetet.
Zoti ministër, e di që të bombardojnë me llafe se si gjendja në UP na qenka e mjerueshme, e çka jo tjetër. E di që harrojnë të t’i përmendin universitetet publike nëpër qytetet e Kosovës dhe kolegjet jopublike. Tekefundit, më lehtë është me u marrë me UP-në. Por, për këto një here tjetër.
Alarmi, z. ministër ka rënë moti. Ai alarm ka të bëjë me shkollat fillore dhe të mesme. Me to nuk merret kush, përjashtuar kohën e fushatës kur ua bëjnë “zbor-in” e i çojnë nëpër darka e dreka, se u duhet vota e tyre.
Këtu i ke disa të dhëna që dëshmojnë cilësinë e shkollimit parauniversitar. Këto rezultate janë nga lënda e Gjuhës shqipe. Në Departamentin e Gjuhës Shqipe e mbajtëm provimin pranues. Nga 141 kandidatë vetëm 6 kanë ditur se çfarë pjesësh të ligjëratës janë fjalët këndim, popullore, shkarazi, duke dhe sepse. 9 të tjerë kanë janë përgjigjur pjesërisht. Pra më pak se 5 për qind janë përgjigjur saktë dhe nja 7 për qind janë përgjigjur pjesërisht – 90 për qindëshi tjetër s’ia kanë haberin.
Vetëm 16 nga 141 kandidatë kanë ditur ta lakojnë nëpër rasa emrin letër.
Pritni, i dashur ministër, se ka ende. Nga 141 kandidatë, vetëm 3 kanë ditur se si bën pjesorja e foljeve: guxoj, marr, jap, di, bie. Ju jeni ekonomist dhe statistikat i nxirrni më lehtë sesa unë. Për publikun më duhet të shpjegoj se vetëm 2 për qind e kandidatëve i janë përgjigjur saktë kësaj pyetjeje dhe 6 kandidatë apo 4 për qind kanë arritur t’i përgjigjen pjesërisht.
I dashur ministër, ky është një alarm. Alarmi është më i zhurmshëm, pasi bëhet fjalë për lëndën “Gjuhë shqipe” e cila mësohet nga klasa e parë e fillores, deri në klasën XII. Alarmi bëhet shurdhues, kur dihet se këta kandidatë kanë kryer me sukses testin e maturës (ku pyetjet nga gjuha e letërsia janë disafish më të vështira). Alarmi, bëhet i padurueshëm kur shikohet se shumica dërrmuese e këtyre kandidatëve vijnë me sukses të shkëlqyeshëm nga shkollat e mesme.
Tash, Ju si të doni. Është vështirë të hyhet në sherr me armatën e mësuesve që janë votues potencialë.
Me respekt
Rrahman Paçarizi, mësimdhënës