17 Maj, 2021 - 10:59 pm
Shkruan Rina Vuçetaj
Veç ta kishe dashtë vajzën pak më shumë… aq sa mos me u ngrysë kur Zoti ta ka falë. Ta kishe dasht aq sa me të shndritë fytyra kur ju ke tregu miqve që ajo ka ardh n’këtë botë. Ose, aq sa mos me e rritë t’u i thanë ‘djali u babës’ sa herë të ka ba krenar – mos me e rritë t’u ja deshmu në çdo situatë se ajo duhet me luftu për epitetin që vllau i saj e ka pas që në lindje.
Oh.. veç ta kishe dasht pak ma shumë. Aq sa me u çu me e qitë kafen tende vet, a me shtru sofren edhe për të – me ja deshmu keshtu se n’këtë botë rolet i kanë nda njerëzit e ajo meriton me qenë edhe roli krysor. Ose, me e pritë me buzqeshje kur kthehet e ngrysun prej shkollës, me e pyet çfare dhimbje ka, pa supozu që ka bë ndonji mekat.
Veç ta kishe dashtë paak më shumë, aq sa me i thanë “ndaju çika jeme, se jeta është e jotja – shtepia e zemra ime poashtu” kur e ke pa si një djalë t’cilit ja ka falë zemren po ja ndanë at në copa, pa pike pendimi. Pak më shumë bre, paak… aq sa mos me ja permend që diploma eshtë pergatitje për shpi të huaj, bashk me tana aftësitë tjera. Në vend të kësaj, me i thanë se qielli është limiti dhe ajo mundet me gabu, me provu prap e me e ndertu jetën që e meriton. Ta kishe dasht aq sa me e llogaritë ekzistencen e saj kur i qet temelet e shtepisë ose me e thirrë e me e pyet ‘si je?’ sinqerisht, edhe pasi e ke percjellë n’derë të huaj edhe e ke rritë t’u ja rrenjosë në trup idenë se kudo është e tillë…
Ta kishe dasht, babë, veç pak më shume, ajo e kishte reflektu e shpernda kete dashni. E bashk me këtë edhe zanin, forcën, shpresën te një grua tjetër.
Pak më shumë ta kishe dashtë, vajza jote ose vajza e dikujt tjetër sot kishe me qenë GJALLË… dhe më beso nuk është gjallë kushdo që merr frymë./ KultPlus.com