4 Janar, 2018 - 6:16 pm
Kanë kaluar gjithsej 58 vjet nga dita e 4 janarit 1960, kur Albert Camus – një gjeni i letrave, ndërroi jetë.
Është e çuditshme se si një ditë para se ai të bënte aksident me veturë, e tha vetë se ‘vdekja më absurde është ajo në trafik, me veturë’.
Camus – fituesi i Nobelit për Letërsi dhe dora që shkroi “Të huajin”, ndërroi jetë në një aksident në Villeblevin, 90 kilometra larg Parisit, në Francë, bashkë me Michel Gallimard – botuesin kryesor të veprave të tij, shkruan KultPlus.
Vetura ku ishte Camus (Kamy) u përplas për një pemë, ndërsa ende mbetet misterioze e tërë ngjarja në fjalë. Shkrimtari ishte 47 vjeç kur vdiq.
Ditën kur u dha lajmi, radiot franceze ndërprenë çdo program që po transmetohej për të dhënë lajmin e kobshëm.
Gazetari spanjoll Federico García-Requena e kujton momentin kur edhe në Spanjë erdhi lajmi për Kamynë e vdekur, një vdekje absurde dhe e papritur.
Camus bëhet i njohur me 1942 me botimin e eseut filozofik “Miti i Sizifit”, sfidë krenare e njeriut ndaj universit të dhunës e të pakuptimte që Kamyja e emërton me emrin “absurd”. Po atë vit boton romanin “I Huaji”, pasqyrë e brishtësisë së njeriut dhe e vuajtjes absurde. Krijimtaria e Kamysë pasurohet dhe me dy drama. “Kaligula”, me 1944, përshkrim poetik i çmendurisë njerëzore te mishëruar ne figurën e perandorit romak Kaligula. Drama tjetër është “Të drejtët” himn i sakrificës për liri. Vepër tjetër është eseja “Mendime për gijotinën” ku dënon heqjen e dënimit me vdekje. Botime tjetër është romani “Murtaja” që mbahet si një nga romanet më të mira të shek XX, ku i bëhet një sinteze qëndresës njerëzore ndaj të gjitha formave të tiranisë. / KultPlus.com