Panairi i Librit i Prishtinës, një traditë dhe vlerë e shtuar për letërsinë shqipe

15 Qershor, 2023 - 2:17 pm

              

Pak ditë më parë, saktësisht ditën e diel, më datë 11 qershor, do të mbyllej Panairi i Librit i Prishtinës, që në vitin 2023, shënoi edicionin e vet të 23-ë.


Përkundër reshjeve thuajse të vazhdueshme të shiut, nganjëherë shtrëngatave dhe diellit të paktë, me pikatore, prishtinasit iu përgjigjën jehonës së këtij panairi masivisht, si përherë, duke i mbushur rruginat e ngushta midis stendave të shtëpive të shumta botuese të pranishme në këtë ngjarje kaq madhore letrare, përditë, njerëz të të gjitha moshave dhe shtresave shoqërore, nga kryeqyteti i Kosovës, por edhe nga qytete të tjera kosovare, dhe gjithashtu nga viset e tjera shqiptare, matanë Morinës dhe përtej Hanit të Elezit.
Pata fatin që në këtë panair të isha i pranishëm në cilësinë e mbrothët të dyfishtë, të shkrimtarit, me romanin tim të ri, HEMISFERAT E SERENËS, duke gëzuar mundësinë të takohesha, shkëmbeja mendime, bisedoja dhe të frymëzohesha nga lexues të panumërt, miq e kolegë të botës së letërsisë, nga të gjitha trojet ku shqiptarët banojnë e lëvrojnë letrat shqipe.
Gjithashtu isha i pranishëm në këtë panair me plot libra e romane të rinj të përkthyer nga disa gjuhë të huaja në shqip (nga anglishja, frëngjishtja dhe rusishtja), sidomos me veprat e nobelistit të katërt të letërsisë të përkthyer nga unë, domethënë të madhit Rudyard Kipling (përfshirë novelën e parë të shekullit XIX, kushtuar Kalashëve ilirë të Pakistanit, me titullin “Njeriu Që Donte Të Bëhej Mbret”, ku për herë të parë bota u rinjoh me këta pasardhës ilirë të Aleksandrit të Madh, të mbetur rrëze Himalajeve prej dy mijëvjeçarësh, akoma paganë dhe të pamposhtur në kulturën dhe gjuhën e tyre).
Gjithashtu pata kënaqësinë të sjell në shqip edhe Volterin gjenial, Dostojevskin e mahnitshëm, por veçanërisht bestseller-in mbarëbotëror kushtuar Holokaustit, “Njeriu Më I Lumtur në Botë”, (Botimet JETA) të autorit tashmë të ndjerë, Eddie Jaku, ku tregohet në vetën e parë mbijetesa epike e këtij hebreu gjerman, nëpër të gjitha kampet e shfarosjes naziste, një libër i përkthyer brenda më pak se dy vitesh, në plot dyzet gjuhë nga anglishtja, përfshirë tanimë edhe shqipen, me përkthimin tim.
Në këtë pozitë fatmirësisht “të privilegjuar”, gjithsesi do të bëhesha dëshmitar i krejt veprimtarive të shumëllojshme dhe të larmishme që do të zhvilloheshin gjatë ditëve të panairit, nga e marta e hapjes së tij solemne, me praninë e shkrimtarit të shquar Ismail Kadare, por edhe të kryeministrit Kurti (gjithnjë i gjendur pranë librit në ngjarje të tilla madhore), dhe disa krerëve të tjerë institucionalë të Kosovës, përfshirë kreun e komunës së Prishtinës, Rama, gjer në ditën e tij të fundit.
Shtëpi të shumta botuese, nga Kosova, Shqipëria, por edhe më gjerë, do të ofronin botimet e tyre më të reja, me një fond të gjerë autorësh të huaj dhe shqiptarë, me një përzgjedhje të kryer përgjithësisht me sqimë të theksuar dhe orientim të mirëfilltë letrar, për t’i sjellë lexuesit shqiptar, kudoqoftë, letërsinë me të vyer, në formë përkthimi apo botimesh burimore në gjuhën tonë shqipe.
Për të mirën thelbësore të botimeve shqipe, sa vjen e barazohet, bashkërendohet dhe drejtpeshohet dallimi cilësor midis botimeve letrare në Shqipëri dhe Kosovë, gjithashtu edhe midis dy kryeqendrave tona kulturore shqiptare, Tiranës dhe Prishtinës, teksa tashmë cilësisht barasvlefshmëria mbizotëron në gjykimin tim, mes dy anëve të Morinës në fushën e botimeve, mbi të gjitha, vitet e fundit, për shkak të frymës së konkurrencës së mirëfilltë dhe prirjes për t’i përkryer sa më tepër botimet në çdo këndvështrim, të botuesve nga Kosova, me dëshirën për t’i djegur etapat në afrimin me fushën e botimeve në Tiranë dhe Shqipëri.
Ky përafrim i tillë i tregut letrar, i botimeve në shqip dhe i botës letrare shqiptare në përgjithësi, vetëm e përmirëson më tutje shijen e lexuesit shqiptar, duke përbërë një shembull të çmuar njësimi, të paktën në fushën e letërsisë dhe kulturës, që do të duhej të merrej si shembull edhe nga ana institucionale nga qeveritë tona politikisht, ekonomikisht e mirëfilli njerëzisht, mes shqiptarësh.
Ishte kënaqësi të merrja pjesë në disa promovime letrare të Botimeve Armagedoni, për të dëgjuar lidhur me veprën e autorëve të paraqitur mjeshtërisht përmes fjalëve dhe leximit shkoqitës të Adem Gashit e Emin Eminit, por gjithashtu pata nderin të moderoja promovimin e librit me novela të mikut tim, shkrimtarit të ri (dhe me shumë të ardhme) prishtinas, Andrin Kabashi, “Qyteti Pa Lumë”, kushtuar kujtesës së Prishtinës së moçme, që po venitet ngadalë, i botuar në Tiranë nga Botimet Onufri, që krahas veprës së plotë të Ismail Kadaresë, gjen kohën të mbështesë edhe shkrimtarët e rinj, për më tepër në Kosovë, si në rastin e Andrinit.
Mes mbresave për punën e palodhur të mikut tim, Shpend Hoxha, gjithmonë në vijimësi të paepur të trashëgimisë së të atit, autorit të shquar të letërsisë për fëmijë në Kosovë e më gjerë, Rexhep Hoxhës, po ashtu edhe punës së palodhur botuese të Botimeve “Jakup Ceraja”, me plot tituj klasikë e botime të reja bashkëkohore, apo të Botimeve Tenda që kremton edhe 25 vjetorin e themelimit këtë vit, përkufizimi im i këtij panairi, sigurisht kurorëzohet me imazhin e Botimeve PEMA, gjithnjë në pararojë të botimeve cilësore në Prishtinë e Tiranë.
Një fjalë përgëzimi meritojnë patjetër edhe për organizatorët e këtij panairi, të cilët, megjithëse kushtet vijojnë të mangëta lidhur me godinën ku zhvillohet kjo ngjarje madhore letrare (Pallati i vjetër i Rinisë), kishin arritur të krijonin hapësirat e duhura që botues e lexues të gjendeshin sa më mirë këto ditë.
Shihemi në Panairn e ardhshëm të Prishtinës.

ELVI SIDHERI
Shkrimtar e përkthyes letrar shumëgjuhësh./ KultPlus.com

Të ngjajshme