8 Tetor, 2020 - 9:41 am
Për herën e dytë me radhë, Panairi i Librit po hap dyert për dashamirët e librin në qytetin e Ferizajt, përgjatë datave 8-10 tetor, shkruan KultPlus.
Panairi i cili do të bashkoj botuesit e shkrimtarët e ndryshëm me lexuesit, organizohet nga Klubi Letrar “De Rada” dhe hapja e tij do të organizohet nga ora 13:00 në sheshin “Adem Jashari”.
Përveç shitjes së librave, Klubi ka menduar që përbrenda Panairit të ketë edhe aktivitete të tjera. Në kuadër të Panairit të librit “Ferizaj 2020”, Sektori i të Rinjve i Klubit Letrar “De Rada” organizon mbrëmje poetike përgjatë datave 8-10 tetor. Oda e Librit do të bashkohet për të diskutuar veprën “Letër Babait” nga Franc Kafka më 9 tetor. Poashtu, në po këtë datë do të organizohet promovimi i veprës “Katërmbëdhjetë autorë”, e cila është një risjellje e krijimtarisë së 14 autorëve të ndaluar nga pushteti Jugosllav.
Botuesit pjesëmarrës në Panairin e Librit “Ferizaj 2020” janë Armagedoni, Buzuku, Klubi letrar “De Rada”, Botimet “Pema”, etj. Ky Panair është përkrahur nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport si dhe Komuna e Ferizajit./KultPlus.com