Panairi i Librit në Lajpcig, Gonxhja: Program me aktivitete edhe për librin shqip

21 Mars, 2024 - 2:30 pm

Shkrimtarët e rinj, Suad Arill, Brajan Sukaj, Dionis Prifti dhe Flogerta Krypi, do të jenë të pranishëm në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Lajpcig të Gjermanisë.

“Një program i mbushur me aktivitete dhe diskutime mbi librin shqip, në kontekste më të gjera hapësirash, si dhe mbi letërsinë bashkëkohore shqipe, traditën, gjuhën, përkthimin, do të jetë përgjatë 21-24 marsit nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit”, shkroi ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.

Pjesë e organizimeve në pavijonin shqiptar në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Lajpcig, do të jetë edhe shkrimtarja e mirënjohur shqiptare, Rita Petro, si dhe albanologia sllovake, Zuzana Finger e studiuesja Loreta Schillock, për sfidat e përkthimit në gjuhën shqipe.

Panairi i Lajpcigut është takimi më i rëndësishëm pranveror i industrisë së librit dhe medias. Në të do të ketë 2082 ekspozues nga mbi 40 vende.

Është parashikuar të ketë 274,000 vizitorë në qendrën e ekspozitës dhe në të gjithë qytetin, ku 55 mijë prej tyre do të jenë vizitorë tregtarë dhe rreth 3554 gazetarë./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme