Panairi i Librit në Ulqin, bashkon botuesit dhe pushuesit

6 Gusht, 2018 - 10:30 am

Arti dhe kultura, janë jo vetëm ura lidhëse mes popujve, por edhe mjet për promovimin e tyre.

Dhe këtë fundjavë, Ulqini, dashamirës i aktiviteteve kulturore, multikulturës dhe diversitetit, mikpriti Panairin e Librit, “Ulqin 2018”.

I nisur që në vitin 2001, Panairi i Librit “Ulqin 2018”, i cili mbahet nga data 3 deri më 8 Gusht në shëtitoren e Plazhit të Vogël, u organizua nën kujdesin e Komunës së Ulqinit, falë edhe bashkëpunimit të Institutit të Librit dhe të Promocionit me Organizatën Turistike të Ulqinit dhe me Qendrën për Kulturë të Ulqinit, Mali i Zi.

Në ceremoninë çeljes së këtij edicioni, morën fjalën drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, Fatmir Gjeka, drejtorja e përgjithshme e Institutit te Librit dhe Promocionit, Irena Toçi, shkrimtari Namik Dokle, ministri i Kulturës së Malit të Zi, Aleksandar Bogdanoviç, zv.ministri i Turizmit dhe i Mjedisit të Shqipërisë, Hajrullah Çeku dhe kryetari i Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiq.

Një event i mirëpritur nga pushues dhe dashamirës të librit dhe që përcjell mesazhin e bashkëpunimit në rajon, edhe këtë vit bëri bashkë 45 botues nga Tirana, Shkodra, Ulqini, Podgorica, Prishtina, Shkupi, Tetova e Gostivari duke prezantuar me qindra botime të reja të realizuara brenda këtij viti.

Drejtorja e përgjithshme e Institutit të Librit dhe Promocionit, Irena Toçi u shpreh se ky panair mban në gjirin e vet punën e gjithë këtyre botuesve, që në mënyrë të përkushtuar, nuk ju ndan këtij panairi për 18 vjet me radhë. “ I falenderoj nga zemra që sjellin në qytetin e Ulqinit vit pas viti, botimet e tyre më të mira duke u krijuar mundësi të gjithë pushuesve dhe qytetarëve të Ulqinit që të mund ti njohin dhe pse jo ti lexojnë gjatë ditëve të tyre të pushimit”, u shpreh ajo.

Shkrimtari Namik Dokle, u shpreh se rëndësia e librit kuptohet vetëm nga ata që e lexojnë. Sipas tij, bota nuk mund të ishte kjo që është pa librin, pa kulturën, pa marrëdhëniet midis njerëzve popujve dhe shteteve.

Ministri i Kulturës të Malit të Zi, Aleksandar Bogdanoviç, vlerësoi mbajtjen e këtij Panairi, që sipas tij, krijon një tjetër dimension të bashkëpunimit në rajon./ KultPlus.com

Të ngjajshme