7 Nëntor, 2023 - 4:30 pm
Në mjediset e Pallatit të Kongreseve në Tiranë nga data 15-19 nëntor do të mbahet panairi i 26-të i librit, një ngjarje mbarëkombëtare e kulturës që pritet me shumë interes.
“Muaji nëntor është muaj shumë i rëndësishëm për kulturën shqiptare. Janë pothuajse 100 ekspozues dhe të gjithë do të kenë mundësi jo vetëm të zgjedhin librat që dëshirojnë por gjithashtu të marrin pjesë në aktivitete”, tha Petrit Ymeri, kreu i Shoqatës së Botuesve në Shqipëri.
Panairi i përvitshëm i librit mbledh bashkë shtëpitë botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, shkrimtarë, poetë, përkthyes dhe lexues, ku njihen me botimet e reja, diskutojnë mbi problematikat e letërsisë bashkëkohore, përkthimit në gjuhën shqipe dhe shumë aktivitetet të tjera me të autorë dhe studiues.
“Unë besoj në rrafshin kombëtar, është ngjarja më e madhe më e rëndësishme në fushën e kulturës. Kemi botues nga Kosova, shumë autorë nga Kosova, kemi gjithashtu stendë edhe nga Maqedonia e Veriut dhe nga Mali i Zi. Është një festë e bukur e kulturës shqiptare, është një festë e bukur e librit në gjuhën shqipe”, u shpreh Ymeri.
Panairi i parë i librit në Tiranë ishte panairi “Tirana 1998”, i organizuar në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës në Tiranë nga 16 deri 20 dhjetor 1998. Prej këtij viti ky organizim është mbajtur rregullisht./euronews.al / KultPlus.com