24 Korrik, 2018 - 5:20 pm
Panairi i 18-të i Librit “Ulqini 2018”, aktivitet ky i cili organizohet nën kujdesin e Komunës së Ulqinit dhe falë bashkëpunimit të Institutit të Librit dhe të Promocionit me Organizatën Turistike të Ulqinit dhe me Qendrën për Kulturë të Ulqinit, Mali i Zi, do të mbahet nga data 3 deri më 8 gusht në shëtitoren e Plazhit të Vogël, pranë lokalit “Hollegro”, përcjellë KultPlus.
Panairi i sivjetshëm realizon vazhdimësinë e traditës së organizimit të kësaj veprimtarie që pritet me shumë interes nga qytetarët e Ulqinit dhe pushuesit, të cilët e kanë shumëfishuar numrin e banorëve të Ulqinit gjatë këtij sezoni. Veç librave nga Shqipëria, Kosova e Shkupi, do të ekspozohen libra e do të marrin pjesë botues edhe nga Mali i Zi e pakicat e tjera kombëtare të kësaj republike.
Do të jenë ata që përfaqësohen vazhdimisht në veprimtari të tilla me karakter kulturor kombëtar, që vijnë nga e gjithë hapësira shqiptare e rajonit tonë dhe që janë nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të botimeve shqiptare pas viteve ’90. Rreth 50 botues do të jenë të pranishëm gjatë ditëve të Panairit, ose do të dërgojnë botimet e tyre më të mira të përfaqësuara nëpërmjet agjencive të shpërndarjes së librit.
Në Panairin e Librit në Ulqin parashikohet të ekspozohen dhe të ofrohen letërsi artistike të autorëve shqiptarë e të huaj, por edhe histori, botime enciklopedike, guida turistike, letërsi për fëmijë, fjalorë e metoda për mësimin e shqipes dhe të gjuhëve të huaja, albume e katalogë gjithfarësh etj., për lexuesit ulqinakë dhe pushuesit.
Është traditë e Panairit të Librit në Ulqin që të ketë në çdo edicion të ftuar të veçantë, personalitete nga fusha e kulturës, akademikë, administrata shtetërore apo politika. Kështu, në vitet e mëparshme, shiritin e inaugurimit të kësaj veprimtarie e kanë prerë personalitete të tilla, si Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Ismail Kadare, Fatos Arapi, Fatos Kongoli, Ali Podrimja, Jevren Brkoviç, Luan Starova, Zuvdi Hoxhiç, Sreten Asanovië, Aleksandër Stipçeviç, ministrat e Kulturës të Shqipërisë e të Malit të Zi, akademikë e parlamentarë të të dyja vendeve, si dhe ish-presidenti i Shqipërisë Rexhep Meidani. Ndërsa në 5-vjetorin e këtij Panairi, prenë shiritin e tij presidentët e dy vendeve, Alfred Moisiu i Shqipërisë dhe Filip Vujanoviç i Malit të Zi.
Në ceremoninë e hapjes, ditën e premte, më 3 gusht, ora 20:00, do të jenë të pranishëm edhe shkrimtari dhe ish-politikani i njohur shqiptar, Namik Dokle, si dhe shkrimtari dhe ish-ministri i Kulturës së Malit të Zi, Pavle Goranoviç. /KultPlus.com