Para lansimit zyrtar, shitet në tërësi libri i Princit Harry në Spanjë

6 Janar, 2023 - 7:00 pm

Me gjithë një embargo të rreptë, libri i ri i kujtimeve të shumëpritura të Princit Harry, “Spare”, u shfaq në libraritë e Spanjës pesë ditë përpara datës së publikimit javën e ardhshme.

Associated Press raporton se bleu një kopje në gjuhën spanjolle të librit – të quajtur “En La Sombra” – përpara botimit të tij në 16 gjuhë në mbarë botën të martën, tranmseton Klan Kosova.

Në librin e kujtimeve, Princi Harry tha se vëllai i tij William e sulmoi fizikisht atë gjatë një debati të egër, një nga shumë akuzat befasuese që përfshin takimin e parë seksual dhe rolin në vrasjen e njerëzve gjatë shërbimit të tij ushtarak në Afganistan.

Harry rrëfen një debat të vitit 2019 në shtëpinë e tij në Pallatin Kensington, në të cilin ai thotë se William e quajti gruan e Harryt, ish-aktoren Meghan Markle, “të vështirë”, “të vrazhdë” dhe “gërryese”. Harry tha se Uilliam e kapi vëllanë e tij për jakë dhe i grisi gjerdanin përpara se ta rrëzonte.

“Kam rënë në tasin e qenit, i cili u plas nën kurrizin tim, copat më prenë”, thotë Harry, raportuar për herë të parë nga The Guardian.

Harry thotë se kishte gërvishtje dhe mavijosje si rezultat i sherrit në fjalë, për të cilin William më vonë kërkoi falje.

Pretendimi është një nga disa në librin që ekspozon detaje të dhimbshme, intime – dhe në disa raste të kontestuara – për jetën e Harryt dhe anëtarëve të tjerë të familjes mbretërore.

Kujtimet janë të fundit në një varg zbulimesh dhe akuzash publike nga Harry dhe Meghan që kanë tronditur familjen mbretërore të Britanisë.

Aty përfshihen pohimet e Harryt se ai vrau 25 njerëz teksa shërbente si bashkë-pilot dhe gjuajtës  helikopteri Apache në vitin 2012, si pjesë e fushatës ushtarake të Britanisë kundër talebanëve në Afganistan.

Ai tha se nuk ndjente as krenari dhe as turp për veprimet e tij dhe në vapën e betejës i konsideronte luftëtarët e armikut si copa që hiqen nga një tabelë shahu.

Harry kaloi një dekadë në Ushtrinë Britanike – vitet që ai i ka përshkruar si më të lumturat e tij, sepse i lejuan atij një masë normaliteti – përpara se të merrte detyrat mbretërore me kohë të plotë më 2015.

Libri rrëfen dekadat e zhgënjimit të Harrit me jetën e tij mbretërore të privilegjuar, të shqyrtuar dhe të kufizuar.

As Pallati Buckingham, i cili përfaqëson Mbretin Charles III, as zyra e William’s Kensington Palace nuk kanë komentuar mbi këto akuza./ KultPlus.com

Të ngjajshme