18 Prill, 2024 - 9:40 am
Nga Albert Vataj
Vdekja e një nëne nuk është si çdo vdekje, si çdo mbarim i ditëve e shterrim i hapave, fikje e dritës së syve e këputjes së frymës. Vdekja e një nëne është solemniteti më i trishtë i një dhimbje që kafshon plagën që çel humbja.
Vdekja e një nëne është mbarimi i të gjitha ëndrrave që shohim në prehrin e saj dhe realiteteve të përmallshme që shpalojmë në epjen ngadhënjyese, që bekoi vullneti hyjnor i shpirtit të saj. Me humbjen e nënës mbetemi pa prehje, pa prekje që na përmend e na mbush me shend, mbetemi të vetëm në çdo dhimbje dhe të harruar në çdo gazmim. Sepse është thyer brenda nesh ena e lëndës magjike që mëkoi syri dhe prekja e saj. Të gjithë rendim drejt një caku të mbramë, duke ju bindur përulësisht ligjësisë së jetës dhe duke besuar në drejtësinë e ashpër të atij vullneti qiellor, asaj mirësie të lartë që na shpërbleu me shëmbëlltyrën e vet dhe na zbraz nga fryma tokësore, duke na mbushur me hapësirën e përjetësisë.
Etja për dritë hyjnore thërret vetëm ata, nënat, zemra dhe shpirti i të cilave rrok pafundësinë siç arriti ajo të mbushte çdo epje me përqafime. Ajo ikën pa marrë leje, ikën gjithnjë kaq papritur, ikën për të marrë në udhën e pasosur shpirtin që mbushi me pafundësi. Iku edhe kjo nënë e këtij fillimmarsi, duke lënë më shumë se dhimbje, lot. Mes heshtjes dhe pikëllimit që notonte mbi tymin e cigares, dikush pyeti sa vjeç ishte nëna. Ai i tha: – Nënë! Dhe lotit i fshehu. Ikën një nënë, ikën duke na lënë jetim, edhe pse prehërin në ditët e acarta të pleqërisë i’a ngrohën nipër dhe mbesa. Duart e saj i’a puthën gjithë ato mirënjohje. Falenderues mbeti gjithkush që ruajti në zemër dhe kujtime bujarinë e begatë dhe mirësinë e shenjtëruar të nënës që ajo mëkoi. Ikin nëna një ditë për të mos lënë moshë, numër vitesh që sakrifikoi, numër betejash ku luftoi, pafundësi çastesh meraku që e çanë dhe thërrmuan zemrën e saj. Dashuria e saj, ajo që nuk e mori dot në prehjen e paqes së gjithmonshme, qëndruan në ajrin dhe frymëmarrjen e gjërave që mbeten pjesë e shastisjes së kësaj dite morte. Mbetet gjithçka këndej, këndej ku dhimbja e humbjes dhe pikëllimi zgjohen për të kërkuar prej nesh një dorëzim pa kushte, një gjunjëzim që të epërm ka besimin në atë që ofron përulësisht me lutje.
Para çdo vdekjeje mundemi të jemi burra, por para vdekjes së nënës ne mbetemi fëmijë që qajmë me sytë e qiellit. / KultPlus.com