23 Shkurt, 2024 - 3:30 pm
“Thesari natyror i klasit botëror” titullohet libri i paraqitur sot në Divjakë nga humanistja Marianne Graff, Konsulle Nderi, presidente e Albania-Austria Partnerschaft për Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishte i pranishëm edhe ambasadori i Austrisë në Tiranë, Christian Steiner, si dhe shumë qytetarë e dashamirës të natyrës.
Administratori i udhërrëfyesit turistik Divjakë-Karavasta, Altin Hila tha për ATSH-në se, “ky libër është i vetmi material deri më sot, ku janë të përmbledhura mjaft bukur me anë të fotove dhe përshkrimeve flora dhe fauna e territorit të parkut Divjakë-Karavasta”.
“Materiali i punuar me shumë dashuri nga Marianne Graf dhe bashkëpunimi ynë i pakursyer bënë që ky libër të jetë mjaft i vlefshëm dhe i kuptueshëm nga të gjitha moshat dhe kategoritë e shoqërisë”, theksoi Hila.
Hila bën të ditur se libri është i përkthyer në dy gjuhë të tjera, anglisht dhe gjermanisht, gjë që i jep vlerë edhe përtej kufijve. Cilido dashamirës i natyrës që arrin ta prekë e shfletoj patjetër do të gjejë dhe mahnitet me realitetin e kësaj zone nëpërmjet fotove të gjalla”.
Pas promovimit të librit në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Udhërrëfyesve Turistikë, AdZM Fier në bashkëpunim me udhërrëfyes të ndryshëm nga i gjithë vendi bënë të mundur mbjelljen e 1 mijë fidanëve të llojit Pishë e butë, një dhuratë e çmuar nga Marianne Graf.
Divjaka mbetet vendi magjik atraktiv që mund të vizitohet 365 ditë të vitit. Fluksi i vizitoreve është gjithmonë në rritje dhe i pandalshëm. Divjaka ofron gjithçka që i duhet turistëve natyrë, histori, arkeologji, vrojtim zogjsh, faunë, florë, sporte të ndryshme, peshkim, etj”.
Në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta gjenden edhe delta lumenjsh, laguna, duna ranore dhe bimësi e rrallë, çka e bën këtë park një ndër më të rëndësishmit në Mesdhe./ atsh / KultPlus.com