20 Nëntor, 2024 - 3:30 pm
Tre vite pasi foli në anglisht, “Hana, vajza që kapi diellin” përralla që përfaqëson Shqipërinë në kolanën ndërkombëtare “Awake not Sleeping: reimagining fairy tales for a new generation”, vjen edhe në shqip edhe për lexuesit shqiptarë.
Shkrimtarja e njohur për fëmijë, Rovena Rrozhani ka sjellë librin më të ri me një përrallë që evokon folklorin të shkrirë në një përrallë moderne.
Libri i cili fitoi Fondin e krijimtarisë për fëmijë të Qendrësn Kombëtare të Librit dhe Leximit, në korrik 2024, është aktualisht në librari pas debutimit disa ditë më parë në Panairin e Nëntorit.
Historia e Hanës është sjellë në ilustrimet e bukura të piktores Mirjana Madhi e cila ka zbërthyer në piktura fatin e vajzës së pasqyrabërësit të cilës i bie detyra e vështirë për të shpëtuar fshatin e saj nga errësira dhe mjerimi.
Kjo përrallë me të papritura i mëson fëmijëve nuk është forca fizike që zgjidh sfidat, por vetëbesimi dhe zgjuarsia.
Edhe këtë herë Rovena Rrozhani sjell një histori të ndjeshme, të bazuar në motive popullore duke forcuar identitetin e saj shkrimtare shqiptare. Me këtë përrallë Rovena Rrozhani u përzgjodh nga mbi 100 shkrimtare nga 23 vende nga Europa dhe Azia Qendrore.
Kryeredaktorja e “Albania Letteraria” Anna Lattanzi, vlerëson librin më të ri të shkrimtares: “Rovena Rrozhani me stilin e butë e të rrjedhshëm sjell në përrallë një profil modern, duke trajtuar tematika aktuale, pa ia hequr rrëfimit formën klasike dhe tradicionale. Sfidat, forca e grave, guximi apo ndjenja e drejtësisë, janë disa nga argumentet kryesore të kësaj përralle, e cila tërheq, magjeps e zbavit dhe mbetet njëkohësisht një mjet i jashtëzakonshëm mësimi. Rrëfimi i saj përcjell mesazhe të rëndësishme mbi jetën dhe gjithashtu një dozë të mirë motivimi.”
Ndërsa psikologia Blerta Bodinaku thekson se historia e Hanës ndriçon rrugën e vajzës dhe të gjithë botës. “Hana, ёshtё vajza me Hёnёn dhe me Diellin brenda saj, guximin dhe kreativititetin, besimin dhe vendosmёrinё, forcёn dhe ndjeshmёrinё”, shkruan ajo.
“Hana, vajza që kapi diellin” vjen pas disa librash që mbajnë firmën e shkrimtares së njohur për fëmijë si: “Lëndina e arushëve” dhe “Arinjtë duan të fluturojnë” apo “Fani në kërkim të dritës”, “Tullumbacja e bardhë” dhe “Rozi dhe domatja kërcimtare”./ KultPlus.com