6 Qershor, 2018 - 2:20 pm
Alberina Haxhijaj
Sot po shënohet dita e dytë e Panairit të Librit në Prishtinë dhe në kuadër të kësaj dite organizatorët e panairit po sjellin edhe promovime të librave të ndryshme, duke filluar me librin “Pëshpërimë gruaje” nga Klara Buda, shkruan KultPlus.
Në hapësirën e stendës së ‘UET Press& Mapo’, shkrimtarja Klara Buda kishte zënë vend përkrah librit të saj “Pëshpërimë gruaje”. Ajo në kuadër të panairit priste lexuesit dhe të interesuarit për krijimtarinë e saj. Me buzëqeshje në fytyrë i përshëndeste të gjithë një nga një dhe nuk ngurronte që t’iu shkruante fjalë që i dilnin nga zemra gjersa firmoste librat e blerë nga të pranishmit.
Faktin se është e lumtur që po rikthehet edhe këtë vit në Panairin e Librit në Prishtinë e thekson që në fillim të intervistës së saj për KultPlus.
“Është një panair i organizuar shumë mirë dhe unë vet personalisht gjithmonë vi me libra dhe i prezantoj edhe këtu edhe në Tiranë. Mendoj se është shumë e rëndësishme të themi se krijimi i hapësirës kulturore në mes të Tiranës dhe Prishtinës, midis Kosovës dhe Shqipërisë është mënyra më e mirë për t’i bashkuar këto dy vende”, tha ajo fillimisht.
Sipas saj Panairi i Prishtinës është një panair i cili ka një histori të shkurtër pasi që edhe shteti i Kosovës është i ri, mirëpo sipas saj ajo që duhet vlerësuar është se panairi është më i vjetër se shteti i Kosovës. Sipas saj kjo tregon se libri dhe kultura në këtë vend është në origjinë të zhvillimit të shtetit të ri. Tutje ajo flet për bashkimin kulturorë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, dy vendeve ku mbetet edhe mendja e saj gjersa qëndron në Francë.
“Ajo që duhet të ndodh në radhë të parë është një bashkim kulturor pasi që ky është më i fuqishëm dhe jo deklarata se do bashkojmë shtetet e të tilla. Duhet që të largohet dogana për librin fillimisht në mënyrë që kur libri udhëton nga Tirana në Prishtinë apo anasjelltas të mos paguhet dogana. Gjëja e parë që duhet të bëhet është bashkimi kulturor, një bashkim i cili nuk mundet të kontestohet nga askush për faktin se kultura është një, gjuha është një”, theksoi ajo.
Në qershor të viti të kaluar, Klara Buda pati ardhur në Panairin e Librit në Prishtinë nga ku u kthye me çmimin e veçantë për eseistikë, kritikë dhe publicistikë, që iu akordua librit të saj “Kosova mon amour”. Libri tregon se si Buda e njohu çdo pjesë të Kosovës gjatë bombardimeve në mars të 1999, derisa raportonte prej Parisit, si gazetare e Radio Francë Internacionale.
Këtë çmim ajo e kujton me shumë dashuri dhe është mirënjohëse ndaj organizatorëve të panairit për vlerësimin. Ndërsa këtë vit në panair ajo erdhi me “Pëshpërimë gruaje” një homazh për dashurinë si akt rezistence, por në njëfarë mase edhe për mëmësinë pasi që personazhi kryesor detyrohet nga presioni politik që të abortojë fëmijën e vet, fryti i vetëm i dashurisë së saj me Adrianin i cili i përket një klase të përmbysur.
“Dashuria këtu është si formë rezistence por edhe si e vetmja ndjenjë e cila nuk mund të tjetërsohet nga politika pasi që është ndjenjë që lind jashtë dhe pavarësisht strukturës. Në atë sistem aq të rreptë edhe të dashurojë dhe ta shprehje se dashuroje një njëri të një klasë tjetër ishte në vetvete një akt rezistencë. E vetmja është dashuria e cila i bënë rezistencë totalitarizmit dhe që i mbijeton edhe frikës pasi që të gjitha ndjenjat e tjera tjetërsohen në totalitarizëm”, u shpreh ajo për KultPlus.
Përmes dashurisë së ndaluar në mes të dy të rinjve ajo trajton gjithë problematika e totalitarizmi. Gjatë ditëve sa do të zgjasë panairi do të ketë edhe promovime të librave të tjerë, ndërsa për të gjithë të pasionuarit pas librave panairi do të jetë i hapur deri më 10 qershor në ambientet e Pallatit të Rinisë./ KultPlus.com